Intervistë me komentatorin shqiptar të Eurovizionit, Andri Xhahu
Edicioni i 65-të i Festivalit europian të këngës Eurovision 2021 ndau trofetë e tij të shtunën në Roterdam të Holandës. Fituese Italia, falë grupit muzikor “Maneskin” i cili performoi këngën “Zitti e Buoni” . 26 këngë konkurente në garën për cmimin e madh në natën finale. Këngëtarja Anxhela Peristeri, e cila përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Karma”, u rendit në vendin e 21-të, me 57 pikë në total.
Anxhela Peristeri në Eurovizion
CMG: Shqiptari i Eurovizionit është moderatori i tij Andri Xhahu, gazetar i Radio Tiranës. Unë e shoh Andrin pjesë të Eurovizionit.
Andri Xhahu: Faleminderit Eda për ftesën. Jam shumë I nderuar që ndaj këtë mikrofon me ty.
CMG: Një festival 65 vjeçar i këngës së lehtë europiane. E reja e këtij edicioni, zhvilluar pas ndërprerjes 2 vjeçare pandemike
Andri Xhahu:Ky ishte një edicion i jashtëzakonshëm për shumë faktorë. Për faktin që, siç e the dhe ti mungoi vitin e kaluar. Vinte në një periudhë pandemie dhe është zhvilluar në kushte të jashtëzakonëshme rregullash, kufizimesh për artistët, delegacionet dhe për gazetarët atje. Edhe për fansat nuk ka qenë e lehtë sepse çdo ditë janë testuar me testin PCR, ose kanë bërë tampon, siç e themi ne, sepse duhet të kujdeseshin për shëndetin e secilit. Madje për delegacionet, në momentin që njeri prej tyre infektohej ose rezultonte pozitiv me Covid, këngëtari rrezikonte të mos ngjitej në skenë.
CMG: Me sa di bëhet fjalë për grupin e Islandës?
Andri Xhahu: Po. Grupi i Islandës rrezikoi të mos ngjitej në skenë dhe është transmetuar vetëm prova, kurse ata e kanë ndjekur të gjithën nga dhoma e hotelit, por kjo nuk i pengoi që të dilnin të katërtët.
CMG: Sa i përket spektaklit mendoj se ishte e njejta skemë e viteve të kaluara.
Andri Xhahu: Ishte e njejta skemë, por Eurovizioni këtë vit ia doliishte që me mungesën e vitit të kaluar donin të kapnin më shumë audience dhe këtë e arritën që në natën e pare. Nëse çdo vit kanë numëruar deri në 200 milion telspektatorë, këtë vit i tejkaloi këto shfra sepse është punuar gjatë, materialet muzikore ishin shumë të mira dhe konkurenca ishte shumë e madhe duke patur parasysh që artistët duke patur më shumë kohë
CMG: Anxhela Peristeri me këngën “Karma”, megjithëse nuk arriti të rrëmbente çmimet e para, hyri në finale e u vlerësua si një prej këngëve më të mira. Në mediat sociale Anxhela u cilësua si “diva”, performanca e saj shpërthyese, paraqitja skenike e krahasueshme me Beyonce apo JLO. Komenti juaj?
Andri Xhahu: Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them se sa mire që e krahasojnë me Beyonce dhe Jennyfer Lopez sepse këtu në Shqipëri e anatemuan disi veshja, flokët dhe performance në total.
CMG: Në fakt mendoj se ajo nuk pati si qëllim t’i imitonte divat sepse dallova gjatë Eurovizionit, që disa këngëtare paten pak a shumë të njejtin stil.
Andri Xhahu: E drejtë. Kishte disa këngëtare si përshembull ajo e Moldavisë dhe e Qipros që paten të njejtin stil veshjeje, ngjyrat dhe paraqitja skenike në total. Anxhela Peristeri është komentuar pozitivisht nga Eurovizioni, madje e kanë krahasuar me një gotë shampanje në skenë. Anxhela ishte shumë dinjitoze në performancën e saj dhe kjo duhet vlerësuar e duhet thënë, sepse ndodh shpesh dhe unë kam kontakte me komentatorë apo zëdhënës pikësh të cilët thonë “Obobo, në vitin 2018 për shembull kemi patur një prezantim jo të mire”. Kurse ne sa here kthejmë kokën pas nuk na vjen turp për asnjë nga këngëtarët se kemi çuar këngëtarët më të mire dhe këngë shumë të mira.
CMG: Kanë mbetur në kujtesë jo vetëm të specialistëve, por edhe të publikut.
Andri Xhahu: Shumë e vërtetë. Rijësia e këtij viti është se ne çdo vit kemi shkuar me performanca të kuruara nga ne vetë ose nga Eurovizioni, ndërsa këtë here Anxhela realizoi një kontakt me krijuesen e shumë performancave të suksesshme në Eurovizion, me Sacha Jean Baptiste, e cila është koreografe dhe regjizore suedeze. Ajo e pa prej vokalit, shtatit dhe fuqisë së këngës që të ishte e vetme në skenë . Madje një detaj ishte që ajo i tha Anxhelës të mos kërcejë, sepse vajzat e gjata nuk duhet të kërcejnë në skenë, ndaj u mendua të ishte e vetme në skenë për të vënë theksin te zëri dhe te mesazhi i këngës.
Anxhela Peristeri dhe Gjon Muharremi në Eurovizion 2021
CMG: Një tjetër këngëtar me origjinë shqiptare debutoi në Eurovision. Gjon Muharremaj përfaqësoi Zvicrën dhe arriti në vendin e tretë, falë vokalit të tij. A na bën ky rast të mendojmë se shqiptarët kanë talent të spikatur në muzikë? I referohem këtu Dua Lipës, Rita Orës, Ava Max, Bebe Rexhës dhe tani një djalë.
Andri Xhahu: Ky është rasti i dytë në Eurovizion që ndodh një gjë e tillë. Unë mbaj mend që në 2017 apo 2018 në mos gaboj ku Shqipëria u përfaqësua me Eugen Bushpepën, Italia me shqiptarin Ermal Meta dhe Qipro me Eleni Fureirën. Pra tre shqiptarë në një skenë të madhe. Kurse këtë vit dy Anxhela Peristeri dhe Gjon Muharremaj dhe në fakt vetë drejtuesit e Eurovizionit kur ishte viti i Eugen Bushpepës thane “sa talente kanë shqiptarët! Sa talente ka në Shqipëri dhe mbi të gjitha me vokale të fuqishme!”. Vërtet ky fakt na bën krenarë, kështu që duhet që Eurovizioni të na vlerësojë pak më shumë
CMG: Si ndjehesh në kostumin e moderatorit të Eurovizionit në Shqipëri?
Andri Xhahu: Mua më pëlqen shumë. Unë e kam ndjekur Eurovizionin fillimisht si fan dhe pastaj si gazetar që jepja informacione në radio e deri në 2012 kur u propozua që unë ta komentoj.
Andri Xhahu në intervistë për CMG
CMG: U bënë 10 vjet!
Andri Xhahu: Po vitin tjetër është jubileu.Unë komentoj dhe Festivalin e Sanremos, por nuk “më fle” aq sa Eurovizioni. Kur më pyesin kolegët a u lodha u them se çdo tre muaj po të ketë Eurovizion, nuk e kam problem fare. Ndjehem i vlerësuar që më është besuar dhe besoj se e bëj mire e shpresoj ta justifikoj këtë besim.
CMG: E bën shumë mire dhe kjo duket dhe nga fansat e tu.Të falenderoj për mundësinë që na krijove për të folur në këtë hapësirë për Eurovizionin në edicionin e tij të 65-të.
Andri Xhahu: Faleminderit Eda! Kënaqësi dhe nder!
Intervistoi Eda Merepeza