"Kjo është një betejë për humanizmin. Në Wuhan qëndruam në frontin e parë dhe ndihem krenar që isha pjesë e kësaj". Kjo është një pjesë nga versioni në gjuhën angleze i librit të Adham Sayed-it "Vetëbesimi vjen nga efektshmëria: Ditari i një të huaji në Wuhan", promovimi i të cilit u bë më 12 maj.
Në librin e tij Sayed rrëfen përvojat dhe vëzhgimet personale gjatë mbylljes së Wuhan-it, kur COVID-19 shpërtheu në qytet.
Sayet nga Libani ka studiuar në Wuhan për gjashtë vjet. Kur mori vendimin të qëndronte në qytetin që u godit nga COVID-19 vitin e kaluar, ai nuk e mendonte se do të kalonte një mbyllje 76-ditore, një përvojë që e bëri atë të njohur gjerësisht në internet, për pasqyrimin e jetës në qytet në këtë kohë të jashtëzakonshme.
Pas hapjes së Wuhan-it, Sayedi dëshironte të kthehej menjëherë në jetën normale. Por shumë ndjekës dhe miq e nxitën të shkruante këtë përvojë. Kështu që për 20 ditë radhazi, ditë e natë, ai shkruajti pandërprerë, pa dalë nga shtëpia. "Dukej si një tjetër karantinë", thotë me shaka ai.
Libri, në formën e ditarit, përmbledh artikuj dhe postime të tij në internet gjatë karantinës, duke përfshirë raporte informative dhe ndjenja personale. "Gjatë mbylljes, postoja çdo ditë të dhëna në median sociale, tregoja ndjenjat e mia, u kundërpërgjigjesha lajmeve të rreme ose shkruaja artikuj në arabishte, në mënyrë që ndjekësit të kuptonin çfarë po ndodhte", shpjegon ai.
Libri i Sayed-it, që u botua në arabishte në korrik dhe në kinezishte në dhjetor të vitit të kaluar, u mirëprit nga lexuesit brenda e jashtë Kinës. (Zhang Yan/Artan)