Këngëtarja Soni Malaj e ka nisur karierën muzikore në moshë shumë të re me grupin “Spirit Voice” (Zëri i shpirtit) sepse muzika për to ishte vërtetë zëri që dilte nga shpirti. Grupi vazhdoi aktivitetin e tij me sukseset e asaj kohe për ta ndërprerë këtë rrugëtim në vitin 2000 kur dy pjestare të grupit u larguan nga Shqipëria. Publiku në atë kohë e njihte si Sonja e “Spirit Voice”, por shtëpia diskografike me të cilën ajo realizoi albumin e parë “Mbretëresha e natës”, vendosi t’i japë një emër artistik, duke e quajtur Soni Malaj. Karriera artistike e Sonit vazhdoi si soliste. Në pasaportën e saj artistike sot ajo numëron katër albume muzikore, fituese e shumë çmimeve si në Festivalin “Kënga Magjike”, prezantuese e festivalit të RTSH-së në vitin 2005, anëtare jurie në dy sezone në talent show “X-Factor Albania”, fituese e çmimit të parë në “Top-fest” në vitin 2014 dhe fituese e një tjetër çmimi të parë, por në fushën e kërcimit në spektaklin “Dancing With the Stars Albania” në vitin 2018.

Për të ky fillim viti ka nisur me shumë impenjime si, përkushtimi për këngën “Versioni im” konkuruese në festivalin “Kënga Magjike”, por dhe puna për realizimin e një koncerti recital, i cili do të vijë shumë shpejt për publikun.


CMG: Soni Malaj, mirë se vjen në programin "Muzika shqip"! Këtë vit erdhe te "Kënga Magjike" me këngën "Versioni im", një bashkëpunim ky pas një dekade me kantautorin Flori Mumajesi dhe “Three Dots”. Si e prite këtë këngë ?

Soni Malaj: Përshëndetje Sava! Mirë se ju gjeta! Kënga “Versioni im” erdhi shumë natyrshëm. Ishin djemtë e studios "Three Dots" që ma ofruan këtë material muzikor. Ata mendonin se këtë këngë duhej ta këndonte patjetër një këngëtare me aq emocion sa ishte krijuar.

Djemtë menduan se personi që do e sillte më bukur këtë baladë dhe që do përcillte më mirë emocionin e historisë së fabulës, do isha unë. Që me dëgjimin e parë u emocionova jashtë mase me këngën, madje kam qarë sepse nuk e prisja të më emociononte kaq shumë. Kur vjen momenti për të përzgjedhur baladat, jam shumë selektive dhe e di që publiku ka shumë pritshmëri kur dal me këtë lloj zhanri. Kjo këngë është diçka ndryshe, nuk ka shpërthime të mëdha, është baladë narrative. Aty rrëfehet një histori, bazuar më shumë në emocion, të cilën në këtë rast e tregon vajza, por edhe nëse do ta këndonte një djalë mendoj se do qëndrojë mirë.

CMG: T'u desh shumë kohë për ta bërë këtë fabul tënden dhe më pas ta përcillje atë emocion te publiku?

Soni Malaj: Ke bërë pyetjen e duhur, më me vend, që të them të vërtetën nuk ma ka bërë asnjë gazetar deri tani. Në të vërtetë kjo ka qenë balada që nuk më ka lodhur vokalisht, por më ka bërë ta regjistroj katër herë materialin, kjo sa i takon trajtimit të saj . Është si puna e aktorëve që interpretojnë në skenë dhe duhet të futesh brenda në rol. Më duhej shumë punë për ta interpretuar, që të hyja në rolin e fabulës për ta përjetuar gjithë tekstin e kësaj kënge. "Three Dots" kanë dy studio dhe mua m’u desh të regjistroja në të dyja (qesh).


CMG: Ku u përcoll më mirë emocioni?

Soni Malaj: Një herë provuam të regjistronim ditën, një herë pasdite dhe një herë natën. Më në fund e arritëm atë që kërkonim. Shpresoj që në netët live të përcjell edhe më shumë emocion.

CMG: Kënga "Versioni im" çfarë vendi zë në repertorin tënd?

Soni Malaj: Fillimisht më pushton emocioni i këngës, por kur kënga bëhet e imja atëherë bëhet pjesë e shpirtit .

CMG: Si e sheh konkurencën, a do jesh ti fituesja e këtij festivali?

Soni Malaj: Të lumtë goja! Nuk ka përfunduar ende festivali, publiku e ka përqafuar shumë këtë këngë dhe më vjen mirë që kam një mbështetje të jashtëzakonshme nga publiku dhe fansat. Netët live janë ato deçizivet për atë verdiktin final. Po përgatitem bashkë me ekipin tim për t’a finalizuar me sukses këtë pjesëmarrje.

CMG: Ti këndon mjaft bukur baladat,por të shkojnë shumë dhe këngët ritmike ku këndon dhe performon duke kërcyer. Ti, ku e sheh veten më komode?

Soni Malaj: Të dyja i dominoj në skenë! Me këngët ritmike jap energjinë time ku e gjithë salla elektrizohet. Përfshihem kaq shumë sa më ka ndodhur që edhe të jem lënduar në sy nga mikrofoni gjatë kërcimit, ngaqë nuk e kontrolloj energjinë që më vjen së brendshmi, por dhe me baladat hyj kaq thellë brenda tyre sa nuk mund t’i ndaj dot. Dëshiroja gjithmonë që t’i perfeksionoja të dyja shumë.


CMG: Ti ke një vajzë të talentuar që duket se ka perspektivë në fushën e artit. A e përqafon ti këtë pasion të sajin, që ajo të bëhet një artiste në të ardhmen?

Soni Malaj: Është ëndrra ime dhe unë do e mbështes gjithmonë, por padiskutim dhe i ati i saj. Ajo është shumë perfeksioniste, bën prova dhe e dëgjon një këngë 20 herë. Madje mamaja ime ma thotë shpesh; “kjo vajzë është kopja jotë në gjithçka.”

CMG: Ku e ka më shumë talentin vajza në këngë apo në kërcim?

Soni Malaj: Në të dyja. Vjen shpesh me mua në sallën e provave edhe e sheh që unë punoj shumë. Ajo e ka të qartë se për të arritur një sukses duhet të punosh pafund dhe këtë gjë ja them gjithmonë.

Kur ajo i sheh kupat e mia, kërkon të ketë si ato, por në atë moment i tregoj se duhet shumë punë për t’i arritur këto kupa, pasi meritohen vetëm me punë.

CMG: A të imiton ty, Ana?

Soni Malaj: Në makinë kam një playlist me këngët e mia, të cilat i kam remiksuar dhe ajo i dëgjon shumë. Ngjason vërtetë me karakterin tim.

CMG: Soni, ti ke provuar dhe të prezantosh festivalin e Rtsh-së në vitin 2005. Cili është emocioni më i forte që ke mbartur, ai i prezantimit apo i interpretimit në skenën e një festivali?

Soni Malaj: Kur prezantova festivalin e Rtsh-së isha më komode, sesa mund të jem në një garë. Atëherë shihja kolegët e mi të cilët dridheshin nga emocioni dhe ndërkohë mendoja me vete, sa mirë që jam duke prezantuar, sepse interpretimi në një kompeticion përgjegjësi shumë e madhe, emocion edhe më i fortë. Sa i takon prezantimit të festivalit, më pëlqeu dhe kam shumë dëshirë t’i rikthehem.

CMG: Ke qenë fituese në “Dancing with the stars”. A është baleti, kërcimi pasioni yt i madh, pra një ëndërr në sirtar?

Soni Malaj: Patjetër që po! Prandaj ushtrohem çdo ditë me kërcimin sepse nuk dua ta lë. Edhe pse nuk u bëra balerinë e ushtroj kërcimin si një pasion shumë të madh, por njëkohësisht e shoh dhe si një pjesë kyçe të personalitetit tim artistik, që më duhet ta kultivoj çdo ditë. Madje stërvitja e vazhdueshme të bën shumë mirë edhe për anën fizike.

CMG: Ti ke provuar si janë emocionet e një çmimi të parë, atë të kompeticionit “Top Fest” në vitin 2014 me këngën “Me të jeton”. Më i rëndësishëm për ty është një çmim në festival, apo që kënga jote të jetë më e pëlqyera nga publiku?

Soni Malaj: Para se të marr pjesë në një kompeticion, konsultohem me grupin tim të punës, të cilët e studiojnë mirë këngën si nga ana emocionale ashtu edhe nga ajo teknike. Kam pasur shumë këngë të cilat nuk janë vlerësuar me çmime dhe ato janë; "Shpirti im binjak" , "Fluturimi 3470", "Zemër e pa kurdisur", "Shije tradhtie", "Ndarja" dhe në të vërtetë janë hite. Kështu që kur hyj në një garë nuk është se e marr të mirëqënë, e rëndësishme është që këto këngë janë përqafuar nga publiku.

CMG: Si anëtare jurie për dy sezone në “X Factor”. Çfarë do u sugjeroje sot të rinjve, që kanë pasion muzikën?

Soni Malaj: Vokalisht janë shumë të mirë. Në kohën që po jetojmë ka metoda të ndryshme në “youtube” sa i përket mbajtjes së zërit, mund të dëgjosh shumë këngëtarë. Në periudhën kur nisa karrierën artistike, prisja fundjavën të dëgjoja “Hit-paradën” në Radio Tirana që të mësoja mënyrën e këndimit nga këngëtarë të famshëm (qesh). Ndërsa sot është më e thjeshtë, mjafton një e klikuar dhe mund të dëgjosh metoda të ndryshme vokale në internet. Duke qenë gjërat kaq të gatshme sot nuk është dëshira për të punuar dhe origjinaliteti është më i vogël. Shumë këngëtarë e gjejnë një artist të cilin e kopjojnë dhe sa i përket konkurseve ata kënaqen me famën e shpejtë, duke kënduar këngët e të tjerëve, por harrojnë se pas përfundimit të një talent-show duhet të vazhdojnë të ecin me identitetin dhe këngët e tyre. Të rinjtë e sotëm i kam parë të kënaqen me pak dhe e lenë përgjysmë muzikën, pak prej tyre e kanë vazhduar karrierën muzikore. Ata që janë më largpamës, ata që kanë gjetur një menaxher për të ndjekur punën në vazhdim. Këtë kam vënë re në dy talent-show ku kam qenë pjesë e jurisë, gjithashtu dhe në kompeticione të tjera.


CMG: Një karierë artistike prej më shumë se dy dekadash.Çfarë ke fituar në gjithë këto vite?

Soni Malaj: Kam fituar padyshim eksperiencën, fansa të rinj çdo ditë, më e rritur profesionalisht, më shumë pjekuri etj. Tani e shoh karrierën dhe jetën në një këndvështrim tjetër, i jap prioritet gjërave të cilat më bëjnë më të lumtur.

CMG: Deri ku është synimi yt për të arritur?

Soni Malaj: Këto kohët e fundit nuk i kam dhënë shumë prioritet karrierës, por më së shumti i jam përkushtuar vajzës. Në këtë moment të jetës Ana ka më shumë rëndësi për mua se përkushtimi në karrierë. Falenderoj Zotin që më bekoi me Anën. Tani ajo është rritur dhe unë mund t’i përkushtohem paralelisht dhe vajzës, por të mbaj fort dhe karrierën.

CMG: Soni, ti po punon për një koncert recital. Ku ka arritur puna jote deri tani?

Soni Malaj: Shumë gjëra kanë ndryshuar. Në fillim mendoja që koncerti recital të bëhej më datë 14 shkurt, më pas erdhi pjesëmarrja te "Kënga Magjike". Për koncertin recital janë përzgjedhur materialet muzikore, por ka ende shumë gjëra teknike, gjithashtu mbeten për t’u diskutuar me drejtorin e orkestrës, etj.

CMG: Ku dhe kur do jetë afërsisht koncerti?

Soni Malaj: Vendi ende nuk është vendosur, por me këtë po merret menaxheri. Shpresoj me shumë mundësi që koncerti të jetë në fund të muajit qershor.

CMG: Ke menduar të kesh artistë të ftuar në këtë koncert recital?

Soni Malaj: Në fillim e kisha në plan të ftoja disa artistë, por kjo gjë ende nuk është vendosur.

CMG: Unë të falenderoj për intervistën dhe uroj të japësh maksimumin tënd në "Kënga Magjike"!

Soni Malaj: Uroj që kënga të votohet, të shpërndahet dhe klikohet sepse për këtë kam shumë nevojë, për mbështetjen e publikut.

CMG: Të uroj shumë suksese e dashur! Ishte kënaqësi të takoheshim bashkë pas një dekade, tashmë ti më e rritur profesionalisht, një mama mjaft e përkushtuar edhe pse duket se koha sikur ka ndalur për ty.

Soni Malaj: (Qesh) Mendoj se dashuria për artin, për njerëzit janë ato që më mbajnë më të re.

CMG: Çfarë do shtoje së fundi?

Soni Malaj: Dua të falenderoj shumë publikun për gjithë mbështjetjen që më ka bërë në këto 23 vite! I jam tejet mirënjohëse.

Intervistoi: Sava Lena