Kantautori Julian Lekocaj daljen e tij të parë në skenë e ka pasur në moshën 19 vjeçare në Mr. Albania 2001, ku u rendit në Top 5. Ndërsa prezantimi i parë në skenën muzikore ka qenë në festivalin Kënga Magjike 2002, për të vazhduar me pjesëmarrjen e tij në Festivalin e RTSH-së gjithashtu pati dhe pesë prezantime në edicionet e festivalit Top Fest. Në vitin 2010, si pjesë e Unix Band kanë përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin e “Turkce Vyzion” në Turqi. Juliani u largua nga skena e festivaleve për 7 vite për t{u rikthyer këtë vit me pjesëmarrjen e tij në Festivalin Kënga Magjike 2021 me këngën “Perëndeshë”.
CMG: Përshëndetje Julian! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Julian Lekoçaj :Përshëndetje Sava dhe të gjithë dëgjuesve të radio Ejani!
CMG: Rikthehesh në konkurim në Kënga Magjike skenë pas 7 vitesh mungese. Përse kjo mungesë ?
Julian Lekoçaj: Mungesa në evenimente apo festivale ka qenë për shkak të jetës sime personale. Me të ardhur në jetë vajza ime Daria, gjithë vëmendja jonë ishte te ajo. Gjithashtu isha i përkushtuar për shkollimin tim, pasi mora gradën shkencore Doktor. Këto kanë qenë arsyet kryesore që pata këtë shkëputje nga muzika ose më mirë mund të them se e lashë muzikën në plan të tretë.
CMG: Na trego më zgjeruar rreth kualifikimeve të tua.
Julian Lekoçaj: Unë kam mbaruar studimet për Agro Biznes, më pas kreva Masterin Shkencor e së fundi sapo kam përfunduar studimet për Doktoraturë, këtë herë për Marketingun e Bimëve Midicinale, duke qenë se kishte lidhje me degën që kreva në fakultet.
Aktualisht jap mësim në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, në degën e marketingut si lektor i jashtëm ku jap lëndën e bazave të marketingut. Gjithashtu jam menaxher prej 8 vitesh në një firmë në Tiranë dhe asnjë nga këto s’kanë lidhje me muzikën.
CMG: Synon të arrish edhe më lart?
Julian Lekoçaj: Shkolla nuk ka fund. Pas Doktoraturës, më ka mbetur dhe Post Doktoratura. Synimi është që të bëhem një pedagog i brendshëm sepse tani i jam i jashtëm. E ndjej se mund të jap shumë për studentët pasi të gjitha eksperiencat e mia në fushën e marketingut dhe çdo gjë ka lidhje me të ardhmen në këtë fushë.
CMG: Sa të interesuar janë të rinjtë rreth kësaj dege?
Julian Lekoçaj: Janë shumë të interesuar dhe më bëjnë të ndjehem mjaft komod. Janë të interesuar për marketingun digjital që është dhe e ardhmja e marketingut.
CMG: Kënga më e fundit mban titullin “Perëndeshë”. Çfarë mesazhi do të japësh nëpërmjet kësaj fabule?
Julian Lekoçaj: Fillimisht po punoja për një këngë që të merrja pjesë në festivalin "Kënga Magjike" e ndërsa krijoja melodinë, nusja po i këndonte vajzës një ninullë; “Perëndeshë e bukurisë”… kështu dhe unë në ato çaste po përsërisja fjalët e saj mbi bazën muzikore që po realizoja. Në fund pashë se dukej që teksti qëndronte mirë, kështu që mendova se do ishte mirë që këtë këngë tua kushtoj të gjitha femrave, sepse ato janë vërtetë Perëndesha. Kështu shkova menjëherë te miku im Sajmir Çili, i cili bëri orkestrimin dhe regjistrimin e këngës të cilën arritëm ta dorëzonim në ditën e fundit të pranimit të këngëve.
CMG: Le të jetë një ogur i mirë për vazhdimësinë tënde në muzikë.
Julian Lekoçaj: Ajo është ëndrra e çdo artisti, që të shkojë në finale dhe ta kurorëzojë me çmim materialin e tij.
CMG: Synimi yt është për të fituar çmim?
Julian Lekoçaj: Kam një material i cili është krijuar apostafat për këtë eveniment dhe pse mos synoj dhe ndonjë çmim.
CMG: I ke dëgjuar konkurentët e tjerë dhe kush mendon se do jetë fituesi i festivalit “Kënga Magjike” 2021?
Julian Lekoçaj: Ka shumë artistë pjesëmarrës të cilët kanë materiale shumë të mira, ka këngëtarë të afirmuar, por dhe mjaft të rinj të talentuar me materiale shumë të mira. Është një konkurencë e fortë.
CMG: Ti një vit më parë ke publikuar një këngë me videoklip, që mban titullin “Shqiptar”. Çfarë ke dashur të shprehësh me atë këngë, e cila është një krijim i yti?
Julian Lekoçaj: "Shqiptar" është një këngë të cilën e kam realizuar me mikun tim Besin, me të cilin po punoj dhe për një album muzikor. Kënga "Shqiptar" shpreh revoltën e shpirtit të një artisti, e cila është e bazuar vetëm në fakte historike dhe ndjesitë që i krijohen artistit. Është një ide që lindi disa ditë pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 në Durrës ku të them të drejtën e përjetova shumë emocionalisht.Tërmetet mund të bien në të gjithë botën, por mos kesh mundësi të kesh mjete për të ngritur gërmadhat, për të shpëtuar njerëzit, por duhej të prisnim që të vinte ndihma nga jashtë, ndërsa jeta e tyre nuk priste sepse ishin nën rrënoja. Vetëm shpresa është ajo që të mban. Dhe në tekst është përmendur, pikërisht ky realitet që na vret të gjithëve, por që është i vërtetë.
CMG: Sot e sheh muzikë si një pasion?
Julian Lekoçaj: Muzikën e kam parë si pasion sepse kam vënë re se rivaliteti ka qenë i fortë dhe duke qenë kështu qëndroja pak i tërhequr në këtë drejtim. Doja të isha më shumë i fiksuar te puna ime, profesioni im ndërsa me muzikën jam marë sa herë që më është dhënë mundësia që të përshëndetem me publikun. Në periudhën e pandemisë shumë artistë mbetën pa punë, po ta shohim në këtë aspekt do isha dhe unë pa punë. Muzikën vazhdoj ta kem pasion, por këtë herë me një fokus më të madh. Kemi në plan me Besin për një këngë të re me videoklip, gjithashtu po punojme dhe per një album. Dua të marr pjesë në Festivalin e RTSH-së, përsëri vitet e ardhshme te "Kënga Magjike".
CMG: Ka dhe shumë filozofi brenda saj...
Julian Lekoçaj: Ka shumë filozofi sepse siç duket këto kohët e fundit sa vjen e rritemi, bëhemi nga pak filozof.
CMG:Tani do i mbash paralel të dyja profesionet?
Julian Lekoçaj: Tani që edhe vajza ime u rrit, patjetër që do përkushtohem te të dyja profesionet. Vetëm na vjen dhe djali s'di ç’të them (qesh).
CMG: Ti përgjatë viteve i ke kënduar "Nikit" ,"Bejbi të ndjej" "Dridhe, dridhe" ndërkohë në vitin 2014 ti këndove këngën "I the lamtumirë" dhe në fakt u zhduke nga skena. Duket sikur e kishe bërë me plan këtë gjë?
Julian Lekoçaj: Në jetën time kanë ndodhur shumë koinçidenca ndoshta dhe kjo ishte një prej tyre. E kam menduar dhe vetë këtë gjë, prandaj pas shtatë vitesh u riktheva në skenë me këngën "Perëndeshë". Kjo është një temë kyshtuar femrës, të bukurës dhe ti dhurosh dashurinë, vëmendjen, respektin që ajo të jetë e buzëqeshur është gjëja më e bukur që mund të bësh në jetë, madje dhe jeta jote do jetë e buzëqeshur.
CMG: Faleminderit Juli! Çfarë do shtoje së fundi?
Julian Lekoçaj: Të falenderoj dhe unë Sava! Nga dëgjuesit dhe lexuesit do kërkoja që të më ndjekin me këngën time në youtube, të më votojnë e ta shpërndajnë nëpër rrjetet sociale, në mënyrë që në fund të kem mundësinë dhe unë të kurorëzohem me ndonjë çmim.
Intervistoi: Sava Lena