Eglantina Toska është një këngëtare e njohur e muzikës popullore tradicionale e konfirmuar dhe si këngëtare profesioniste nga Ansambli “Isuf Myzyri” prej 10 vitesh, që vazhdon të jetë pjesë e këtij ansambli në Elbasan. Gjithashtu ajo ka marrë titullin Artiste e shquar e qytetit të Elbasanit dhe ka përfaqësuar muzikën shqiptare në shumë vende brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Karriera e saj ka nisur që herët për t’u ngjitur më pas në skenë për herë të parë në “Maratonën rinore të Elbasanit” me pjesëmarrjen e të gjithë gjimnazistëve të qytetit, me këngën "O dhëndërr ku vete kështu". Ka realizuar disa këngë kushtuar qytetit të Elbasanit si “Elbasani i bukur” dhe “Vajta në Elbasan” në duet me këngëtarin e mirënjohur Mehdi Zena. Në një intervistë për Bio Folk ajo flet për karrierën e saj artistike si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Eglantina është kënaqësi t’ju kem të ftuar në valët e Radio Ejani për emisionin Bio Folk.
Eglantina Toska: Falemiderit dhe kënaqësi dhe për mua që jam e ftuar në këtë emision.
CMG: Jeni një artiste me një karrierë të gjatë në muzikën popullore. Si ka nisur karriera juaj artistike?
Eglantina Toska: Qysh në vegjëli unë kam pasur idhull një këngëtare të mrekullueshme të Shqipërisë, Parashqevi Simakun në muzikën e lehtë, sepse më ka pëlqyer muzika e lehtë më shumë. Pastaj më vonë Merita Halili, Prashqevi Simaku dhe Eli Fara bënë disa puntata në televizion dhe aty fillova të pëlqej muzikën popullore. Karrierën si këngëtare e kam filluar rreth vitit 2000 kur vazhdoja gjimnazin në Elbasan. Kompozitori Edmond Rrapi realizoi një maratonë midis shkollave të mesme për të gjitha zhanret e artit, humor, këngë popullore dhe të lehta, balet, dhe aty unë spikata në muzikën popullore.
CMG: Ju jeni prezantuar gjithmonë me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, por shpeshherë keni interpretuar dhe këngë të trevave të tjera.
Eglantina Toska: Në fakt është interesante sepse karrierën e kam nisur me këngë jugu dhe pikërisht me këngën “O dhëndër ku vete kështu”, pasi atëhere pëlqeja këngëtaren Aurela Gaçe në spektaklin muzikor “12 në Holliwood”. Edmondi po thoshte që pse nuk ka një këngëtare popullore në shkollën tuaj dhe unë i thashë që ta provoja njëherë një këngë popullore dhe pasi më dëgjoi më tha që këtu do rrish.
Kështu që unë e kam nisur me muzikë popullore të jugut, por duke qenë se jam rritur në Elbasan dhe më pëlqejnë shumë këngët e Elbasanit dhe Shqipërisë së mesme, u përshtata aty më vonë.
CMG: Keni ndonjë lidhje familjare me jugun e vendit, që e nisët karrierën me këngë popullore të jugut?
Eglantina Toska: Po kam në fakt, pasi familja ime vjen nga jugu, mami nga Myzeqeja, që besoj e kap disi jugun dhe babi me origjinë të hershme nga Gjirokastra. Kështu që në gjak unë kam jugun, edhe pse mua më shumë më pëlqen Shqipëria e mesme sepse aty jam rritur.
CMG: Ju e ruani bukur traditën e këngës popullore, duke e interpretuar pastër atë dhe pa deformime. Kjo është vlerë më vete për artistin që ta ruajë folkun shqiptar.
Eglantina Toska: Është e vërtetë sepse muzika jonë folklorike qytetare është me të vërtetë një perlë, kështu që jam munduar me aq mundësi sa më është dhënë që ta ruaj këtë traditë. Plus, që unë jam pjesë e ansamblit “Isuf Muzyri” që është nder dhe kënaqësi të përfaqësoj një ansambël të tillë, pasi në çdo vend ku ti shkel në diasporë sa përmend Elbasanin dhe Isuf Myzyri të presin me kënaqësi. Më vjen mirë që jam pjesë e këtij ansambli dhe që këndoj këtë muzikë.
CMG: Për Elbasanin keni kënduar disa këngë popullore dhe së fundi keni sjellë edhe këngën “Vajta në Elbasan” në duet me këngëtarin Mehdi Zena, por dhe këngën tjetër “Elbasani i bukur”.
Eglantina Toska: Në fakt unë ndjehem borxhlie ndaj qytetit të Elbasanit sepse ai më ka evidentuar si këngëtare dhe ndjej vërtetë kënaqësi kur thonë këngëtarja nga Elbasani Eglantina Toska. Si detyrim moral ndaj qytetarëve të mi kam menduar të sjell këto këngë. Përsa i përket duetit me Mehdi Zenën, i cili është një ikonë jo vetëm e Elbasanit por gjithë shqiptarisë bashkë me vëllain Demirin. Mendova shyqyr që e kemi dhe pse mos ta bëj një këngë me Mehdiun, që ta kem dhe kujtim për të gjithë brezat që do ta ndjekin dhe pasojnë muzikën popullore qytetare.
CMG: Në disa këngë keni përdorur edhe kostumin popullor, i cili ju shkon shumë. Ju pëlqen kostumi i Shqipërisë së mesme që ta përdorni herë pas here kur interpretoni këngët polullore?
Eglantina Toska: Po më pëlqen shumë edhe pse unë si kostum timin popullor kam atë të kalasë së Elbasanit që e vesh më shpesh sepse me duket sikur është bërë për mua ai kostum dhe e përdor në çdo koncert. Të gjitha veshjet popullore të trevave mua më pëlqejnë.
CMG: Gjatë kësaj periudhe të gjatë të pandemisë e keni ndjerë mungesën e publikut dhe të aktiviteteve artistike?
Eglantina Toska: E kemi ndjerë shumë në fakt për shumë arsye, por që do të thoja se e para është ajo e shpirtit sepse muzika është jetë, jo vetëm për ne që këndojmë por dhe ata që e dëgjojnë dhe e shijojnë. Por kjo periudhë ka një të mirë tek unë të paktën sepse kam sjellë shumë projekte. Mbase është që kur ti je në fluks pune dhe vrapon, duke mos pasur kohë të mendosh për të bërë projekte, kurse tani pandemia më ka dhënë këtë favor që të realizoj këngë tradicionale, por dhe këngë të tjera që do të sjell gjatë verës. Kjo periudhë na ka dëmtuar shpirtërisht dhe financiarisht do të thosha, por kënaqem që më dëgjojnë sepse kjo është kënaqësia e këngëtarit.
CMG: Si i keni mbajtur kontaktet me fansat tuaj gjatë kësaj periudhe që nuk keni pasur aktivitete?
Eglantina Toska: Kontaktet me fansat i kam mbajtur nëpërmjet rrjeteve sociale por dhe kam lançuar në YouTube disa këngë dhe aty fillojnë komentet nga fansat. Jam munduar që t’ju gjendem afër gjatë kësaj kohe fansave të mi.
CMG: Me kë keni bashkëpunuar për realizimin e këngëve tuaja?
Eglantina Toska: Zakonisht të shumtat prej tyre janë me Edmond Rrapin që është kompozitori i Elbasanit, por ka dhe të tjerë krijues dhe orkestrues që kam punuar.
CMG: Në fillim të bisedës u shprehët se ju ka pëlqyer edhe muzika e lehtë. Keni dëshirë të eksperimentoni dhe te muzika e lehtë, apo do të mbeteni te popullorja?
Eglantina Toska: Më ka pëlqyer vërtetë shumë muzika e lehtë dhe sipas Edmondit mund ta këndoj dhe muzikën e lehtë, por unë kam preferuar që më mirë të rri këtu edhe të evidentohem për këtë gjë.
CMG: Keni disa vite që jeni shkëputur nga qyteti i Elbasanit dhe jetoni në Tiranë. Merrni ftesa nga Elbasani për raste festash për të kënduar?
Eglantina Toska: Jam e pranishme në të gjitha festat që mund të ketë qyteti i Elbasanit, si Dita e Verës apo Viti i Ri. Pra aktiviteti im më shumë atje është, por tani e kam zhvendosur edhe jashtë kufijve kohët e fundit. Në Elbasan ftohem gjithmonë. Aktivitetet nëse janë në Elbasan mund të jem emri i dytë mbas vëllëzërve Zena.
CMG: Në cilët shtete keni dhënë koncerte dhe si jeni pritur?
Eglantina Toska: Kohët e fundit kam shkuar më shumë në Itali dhe Greqi, por kam qenë dhe në Amerikë e Australi dhe publiku na ka pritur mjaft mirë.
CMG: Si i keni marrëdhëniet me kolegët e tjerë artistë të këngës popullore?
Eglantina Toska: Me ato që më ka rastisur të takohem i kam shumë të mira dhe nuk kam pasur asnjë konflikt me kolegët. Jam e qetë dhe bëj punën time, duke mos parë konkurencën me artistët e tjerë, sepse unë jam Eglantina dhe nuk jam xheloze për ndonjë, kështu që mendoj se jam në rregull me kolegët.
CMG: Do të kishit dëshirë të realizonit një koncert recital për publikun e Elbasanit së afërmi?
Eglantina Toska: Deri tani kam realizuar dy koncerte recital, por pse jo një tjetër së shpejti, mbase dhe me ansamblin “Isuf Myzyri” të bëjmë një koncert recital sapo të na ikë kjo pandemia, që ka pllakosur gjithë globin. Me shumë kënaqësi do e realizoja.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Eglantina Toska: Përshëndes të gjithë dëgjuesit kudo që janë dhe na dëgjojnë dhe në radhë të parë ju them të kenë shëndet dhe i uroj çdo të mirë. Faleminderit që na dëgjojnë!
Intervistoi: Gazmend Agaj