Maja Aliçkaj është një nga këngëtaret e suksesshme të muzikës popullore shqiptare, e cila suksesin e ka arritur falë talentit dhe zërit të saj të veçantë. Që në moshë të vogël ajo spikati me talentin dhe origjinalitetin e saj si në imitime, personifikime personazhesh, etj, apo pjesëmarrjet në koncerte të ndryshme me këngë për fëmijë, si një sinjal i dukshëm i asaj rruge dhe ëndrre që ajo do të realizonte më pas.
Veçantia e krijimtarisë muzikore të Majas, krahas talentit dhe zërit të saj, është fakti se në rreth 80 për qind të kësaj krijimtarie, këngët mbajnë vulën e saj në muzikë e tekste. Për realizimin e këngëve ajo ka bashkëpunuar me muzikantë të njohur, njeri prej tyre është edhe kompozitori i mirënjohur Adrian Hila, me të cilin ka realizuar të gjitha këngët dhe suksesin e saj. E pakënaqur me atë që bën, kërkuese dhe kritike e madhe ndaj vetes, gjithmonë në kërkim të gjërave të veçanta dhe origjinale në muzikë, ajo ka sjellë shpesh krijime të reja popullore për publikun e saj. Maja është unike në skenë dhe mjaft e preferuar nga artdashësit shqiptarë, si brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për emisionin Bio Folk, Maja tregon për karrierën dhe planet artistike, pasi të mbarojë pandemia.
CMG: Maja, të falenderoj që pranove ftesën për të qenë në emisionin Bio Folk në Radio Ejani.
Maja Aliçkaj: Përshëndetje të gjithë dëgjuesëve të Radio Ejani dhe është kënaqësi për mua. Kam ardhur me shumë dëshirë.
CMG: Ne po e zhvillojmë këtë bisëdë në një kohë të pazakontë, siç është pandemia ku dhe aktivitetet janë pezulluar. Ju ka munguar publiku gjatë kësaj periudhe të vështirë?
Maja Aliçkaj: Padyshim që na ka munguar, sepse ne pa publikun jemi si peshku pa ujë. Kështu që uroj për gjithë njerëzimin që të jetë fundi i kësaj pandemie, edhe ne të jemi pranë njëri -tjetrit dhe publikut tonë të shtrenjtë, që unë i kam motiv dhe frymëmarrje, përsa i përket punës dhe profesionit tim.
CMG: Të kishte shkuar ndonjëherë në mendje që do të kishe një pauzë kaq të gjatë në karrierë?
Maja Aliçkaj: Më ka shkuar në mendje vetëm kur pata kohën e shtatzanisë dhe të lindjes së djalit, dhe ajo ishte një gjë e parashikuar nga unë. Por me të vërtetë mu bë shumë kohë, sepse djali im Jonasi i zemrës sime është vetëm dy vjeç e pesë muaj dhe duke bërë një përllogaritje i bie që tre vitet e fundit kam qenë me goxha mungesa në drejtim të profesionit tim. Kjo për arsye të shtatzanisë siç thashë që nuk është shumë larg nga koha që po flasim, të muajve të parë të rritjes së bebit dhe më pas filloi pandemia dhe karantina, kështu që unë kalova një kohë më të gjatë pauze në karahasim me artistët e tjerë.
CMG: Ndërkohë, ju keni qenë e angazhuar në spektakle televizive, siç është “Këngë moj” ku keni qenë gjithmonë e pranishme jo vetëm me këngët e jugut por edhe të trevave të tjera.
Maja Aliçkaj: Kjo ishte një dhuratë e madhe që na u bë ne artistëve dhe jo vetëm neve por dhe publikut tone, që ndonëse nuk ishin prezent ashtu si në koncertet e tjera, në këtë spektakël sepse na mungonte publiku, por kjo siç e përmenda më lart ishte dhuratë e madhe për të dyja palët, sepse shkëmbyem një eksperiencë të re, shkëmbyem emocione ndryshe dhe na shërbeu mjaft mirë si ne ashtu edhe publikut.
Na u dha kjo mundësi nga grupi organizator, vëllezërit Pandi dhe Bledi Laço dhe kompozitori e drejtori artistik Adrian Hila dhe gjithë artistët pjesëmarrës, muzikantë apo këngëtarëve që morën pjesë dhe fatmirësisht me shumë sukses. Aty unë nuk qëndrova thejsht te këngët e jugut, por këndova edhe këngë të veriut, përveç performancave të mia kisha edhe duete siç ishte dueti me këngëtaren Era Rusi që ishte verior, pata dhe duetin me bilbilin e jugut me plot gojën, Petrit Lulon të cilin e përshëndes dhe e ndjej veten shumë mirë kur këndoj më të, sepse gjithçka shkon në përsosmëri.
Veç kësaj jemi pranë publikut me intervista. duke u munduar që edhe në këtë kohë të jemi pranë fansave ku ndonjëherë kam bërë edhe live direkt nga makina me publikun në rrjetet e mia sociale. Kështu kemi vepruar për të mos u shkëputur totalisht nga profesioni i shpirtit.
CMG: Para disa kohësh keni realizuar një duet me këngëtaren Fatmira Breçani, por ndërkohë keni realizuar edhe disa këngë me motive të veriut, ku zëri juaj është përshtatur mjaft mirë me këtë trevë.
Maja Aliçkaj: Nuk e përmenda duetin me bilbilin e veriut Fatmira Breçani për arsye se nuk ishin pjesë e spektaklit që folëm më lart, por dueti me Fatmirën është një nga këngët e mia të preferuara. Ky ishte një kombinim i përsosur dhe i suksesshëm, pra unë jam munduar në këto duete të zgjedh ajkën e jugut dhe atë të veriut dhe kjo jo për arsye tregu, por për arsye që unë jam ndjerë mirë dhe këto kombinime janë bërë thjesht për të krijuar dhe nxjerrë vepra të bukura muzikore. Përsa i përket krijimtarisë time ku unë përshtatem aq mirë edhe me veriun apo dhe me treva të tjera është sepse ne jemi rritur me muzikën mbarëshqiptare ku në veshin tonë ka ardhur çdo lloj treve njësoj.
Karrierën time si këngëtare për 14 vite rresht e kam ushtruar në Gjermani, ku kam lëvruar muzikën popullore të veriut, por dhe Shqipërinë e mesme, sepse i tillë ishte publiku në diasporë ku unë kam kënduar. Kështu që unë e kisha veshin e rrahur dhe dalëngadalë isha përsosur në të kënduarit e këtyre trevave, sepse i doja shumë prandaj dhe i këndoja. Më vonë në krijimet e mia kam bërë në një farë mënyre një gërshetim të jugut dhe të veriut të Shqipërisë, si dhe trevave të ndryshme.
CMG: Maja, gjithmonë jeni prezantuar me krijime të reja popullore, duke e pasuruar edhe më shumë folkun shqiptar, por kjo ju ka ndihmuar për të pasur arkivin personal me këngë popullore.
Maja Aliçkaj: Shumë nga këngët e mia janë krijime të miat, qoftë në tekste ashtu edhe muzikë dhe një pjesë e madhe e tyre janë të autorëve të njohur, siç është bashkëpunëtori dhe miku im Adrian Hila, si dhe poeti Arben Duka. Këta janë kryesisht bashkëpunëtorët e mi për këngët e reja. Kam sjellë së fundi dhe një këngë me muzikë dhe orkestrim të Gramoz Kozelit dhe tekstin tim.
Natyrisht videoklipet shumica kanë qenë të Max Production dhe Chill Production. Unë do mundohem që të sjell në treg edhe këngë të tjera, përveç jugoreve edhe të një zhanri më pak të prekur te unë, që është muzika e lehtë, por që do jetë prapë baza te muzika popullore. Këtë do ta bëj për qejfin tim sepse më pëlqejnë, por edhe për kënaqësinë e publikut që mua më dëgjojnë në koncertet live.
CMG: Shumë të njohin dhe si aktore. Keni luajtur edhe në teatër përkrah aktorit Ndriçim Xhepa. Të dyja bashkë i bëni tani apo më shumë muzikën se aktrimin, ngaqë muzika ka hapësirë më të madhe.
Maja Aliçkaj: Absolutisht kështu është e vëreta. Ëndrra ime në të vërtetë si fëmijë ka qenë për këngëtare, pastaj kur mbarova gjimnazin unë vendosa që të konkuroj për t’u bërë aktore. Për t’u bërë këngëtare nuk ishte e mundur nga ana profesionale sepse duhej të kishe mbaruar shkollën e muzikës, gjë që unë nuk e kisha bërë. Unë me shumë kënaqësi pastaj mora dejtimin për aktrim me ndihmën edhe të bashkëpunëtorit tim Lefter Simoni, i cili më ka përgatitur për aktrim. Më vonë unë emigrova në Gjermani, ku e nisa nga zero, por fatmirëshish isha gjithmonë në skenë si këngëtare sepse këndoja shqip. Pjesa si aktore nuk mbeti pa u prekur nga ana ime edhe në Gjermani, sepse arrita të luaja dy role në teatër dhe një rol në një film televiziv. Kështu që bëra diçka dhe atje për qejfin tim, por dhe për profesionin tim.
Pastaj pata fat kur erdha në Shqipëri pas disa vitesh, që të merrja pjesë në Teatrin Kombëtar me një rol shumë të mirë nga regjisori Spiro Duni dhe pata fatin e madh gjithashtu të luaja përkrah aktorit brilant Ndriçim Xhepa, duke mësuar shumë prej tij.
Kështu tani për t’i ushtruar që të dyja këto është shumë e vështirë, sepse pjesa e aktirimit do tre apo katër muaj që t’ja falësh aktrimit dhe unë do ta bëja me kënaqësi, por ashtu kanë ardhur rrethanat dhe në të ardhemn do të mundohem që ta gërshetoj dhe do ta përqafoja me shumë dashuri një rol të mirë në teatër, apo kinematografi.
CMG: Cili është plani juaj artistik pasi të mbarojë pandemia?
Maja Aliçkaj: Do rrëmbej mikrofonin dhe do këndoj. Kjo është e para që do bëja pasi të mbarojë pandemia, pastaj nuk e di sepse janë surpriza të tjera, krijimet të cilat i kam në mendje.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Maja Aliçkaj: Ejani në koncertet e mia dëgjues të Radio Ejani! Gjithmonë urimi që unë bëj të parin është shëndet dhe harmoni me njëri- tjetrin! E paçi zemrën të mbushur me gëzime dhe qoftë e fundit kjo pandemi dhe mos paçim asnjëherë fatkeqësi të tillë ndërkombëtare! Kënaqësi për mua që isha sot për ju të dashur dëgjues të Radio Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj