Këngëtari i zhanrit Rock & Pop Vedat Ademi e ka nisur karrierën e tij artistike me interpretimet live në Tiranë, ku është vlerësuar për vokalin e veçantë, duke qenë kështu mjaft i kërkuar për këto perfomanca në klube të ndryshme në kryeqytet e më gjerë. Këngët e tij janë shumë të dashura për publikun shqiptar, ku shumë prej tyre kanë qenë hite dhe kanë kryesuar në top-listat shqiptare.
Pjesëmarrjet e tij në festivale janë të shumta, që me prezantimin e tij të parë në Top Fest 2007, ku u pozicionua në Top 5 me këngën “Më mashtruan sytë”, për të vazhduar me pjesëmmarje në “Kënga Magjike”, "Zhurma Show Avvards 2010", "Netët e klipit shqiptarë 2011”, në Festivalin e RTSH-së ku ka marrë pjesë si kompozitor etj. Por edhe duetet e tij kanë rezultuar të suksesshme, si bashkëpunimet me Yllka Kuqin, Rezarta Shkurtën, gjithashtu e me kantautorin Pirro Çako ku me këngën “Bujë, vetëm bujë” fituan çmimin e dytë te “Kënga Magjike”2011, etj.
Përveç muzikës ne vumë re një tjetër talent të tijin, kërcimin ku në spektaklin "Dancing with the stars Albania" 2012 zuri vendin e dytë. Prej gati 5 vitesh Vedati ndodhet në SHBA me familjen e tij, ku vazhdon të jetë mjaft aktiv me publikime të materialeve të reja muzikore, shoqëruar me videoklipeve. Ka shumë mall për vendin e tij dhe mezi pret që të kthehet e të performojë në netët live për fansat e tij. Ka pak javë që ka prezantuar hitin e tij më të ri “Kënga jonë”, për të cilin është prononcuar për radion Ejani.
CMG: Përshëndetje nga Shqipëria Vedat! Urime për këngën e re "Kënga jonë"!
Vedat Ademi: Përshëndetje nga Nju Jorku Sava! Faleminderit për urimin, kënaqësi! Shpresoj që kjo këngë të bëhet një himn për të gjithë të dashuruarit e tanishëm dhe atyre të ardhshëm.
CMG: Na trego si nisi e deri në finalizim kjo këngë?
Vedat Ademi: Idea ka qenë goxha e vjetër. Kanë nisur mendimet dikur nga ata fansat e mi, ku shumë prej tyre të cilët janë dashuruar me kolonën zanore të këngëve të mia apo janë njohur nëpër ambjentet ku kam kënduar . Shpesh dëgjoja që këngët e mia kanë qenë një ogur i mirë për lidhjet e tyre, kështu që lindi ideja e kësaj kënge. Duke dëgjuar frazën “kënga jonë”, më lindi dëshira që kështu të mbajë titullin kjo këngë, e cila është një dhuratë për të gjithë fansat e mi, por në veçanti të gjithë atyre të cilët janë njohur në vendet, ku unë kam kënduar dhe performuar live.
CMG:Ti jeton prej disa kohësh në SHBA dhe ndërkohë je aktiv në muzikë. Punon aty në studio, apo vjen në Shqipëri për të punuar për këngët?
Vedat Ademi: U bën rreth 5 vite që jetoj në Nju Jork. Jam munduar të jem aktiv, si në periudhën kur kam qenë në Tiranë ku herë pas here kam ardhur me projekte e këngë të reja. Këto kohë këngët i kam realizuar në studio të ndryshme, si këtu ku jetoj në Amerikë, por dhe kur vija në Shqipëri. Gjithashtu dhe vidëoklipet, një pjesë janë realizuar në Nju Jork e një pjesë e tyre në Tiranë, gjithmonë sipas mundësive të krijuara dhe më pas është realizuar montazhi.
CMG:Periudha e pandemisë kishte dhe ato të mirat e saj, ka pasur produktivitet tek artistët. Po ti a ke qenë i qetë për të krijuar?
Vedat Ademi: Periudha e pandemisë ka qenë diçka e panjohur, e frikshme, por me kalimin e kohës sikur filluam të mësohemi me të. Sigurisht duke u kujdesur shumë. Kjo kohë na ka shijuar për të qëndruar më tepër pranë familjes, me fëmijët, duke dëgjuar muzikë dhe krijuar ide për këngë të reja. Ndërsa sa i takon aktiviteve me koncerte kemi qenë të shkëputur këtë periudhë.
CMG: Vedat, "Ke harruar" "Emrin tim", por "Zemrën time ke", "Thirrmë dashuri" se "Në zemër të mbaj". "Vetëm ti" "Je ajo", por "Koha s'kthehet" dhe për këtë "Nuk kam faj". "Një jetë me ty", tani " Dua të iki larg". Jam "Me fat" që "Zemrën time ke", "Let me love" sepse kjo është "Kënga jonë". Kaq shumë këngë, fabulat e tyre duken sikur ngjasojnë me njëra- tjetrën, sa nëse i bashkon titujt mund të krijosh një këngë të re. Çfarë të sjellin ndërmend ty tani?
Vedat Ademi: Wow, kjo qënka shumë e veçantë! Faleminderit shumë për idenë Sava! S'më kishte shkuar mendja! Do ta kem parasysh dhe shpresoj që të dalë diçka e bukur me të gjithë titujt e këngëve të mia. S’e kisha menduar ndonjëherë! Wow, shumë bukur ! Do ta kem parasysh, ta premtoj këtë! Janë kaq shumë këngë, ose më saktë është shpirti që unë kam dhënë për gjithë këto këngë ndër vite dhe plot dashuri.
CMG: Cila është kënga që ka pasur më shumë sukses, sipas mendimit tënd?
Vedat Ademi: Janë shumë, duke filluar me këngën "Më mashtruan sytë" prezantimi im në “Top Fest”, pastaj me këngën "Një jetë me ty", "Koha s'kthehet", “Thirrmë dashuri”, “Dua të iki larg”, “Let me love”, pa harruar dhe këngën e cila ka qenë dedikim për 1 vjetorin e djalit tim, Jon Arti.
CMG: Këndove "Dua të iki larg" dhe ja ku je tashmë në SHBA. Mendon se është zgjedhja më e mirë që ke bërë?
Vedat Ademi: Këngën "Dua të iki larg" e realizova pa e menduar se do ikja larg (Qesh). Jam natyrë që dua të jem afër familjes sime, shoqërisë dhe patjetër pranë fansave, të cilët kanë qenë mbështetja më e madhe për mua. Ndoshta tani që të kthehem sërish në vendin tim, më duhet të bëj një këngë patriotike me titull "Do të kthehem" (qesh). Gjithsesi mendoj se është një eksperiencë e re, që mendoj se do të na vlejë në të ardhmen. Të sfidosh veten në gjëra të ndryshme.
CMG: A ke dëshirë për të provuar tregun amerikan?
Vedat Ademi: E kam provuar, kam sfiduar veten time me koncerte live dhe kam treguar që di të bëj për vete dhe një publik të huaj, si atë amerikan. Në moshën time është pak e vështirë që ta fillosh karrierën nga e para në një vend të huaj, se duhet të kesh shumë njohje. Është më e lehtë për ata të cilët lindin këtu. Çdo gjë do kohën e vet, të krijosh ato lidhjet e duhura, por patjetër që duhet dhe pak fat. Nuk e kam pretenduar këtë gjë sepse duhet të kesh njohuri, mentaliteti etj është ndoshta pak e vështirë. Gjithsesi dëshira ime mbetet që të kthehem pranë publikut tim në Shqipëri.
CMG: Si është përditshmëria jote aty?
Vedat Ademi: Është një rutinë normale. Çojmë djalin në shkollë, konsumojmë kafen e mëngjesit të dy me bashkëshorten, bisedojmë për projekte të reja, për fëmijët, shëtisim në ambjente të ndryshme etj. Pa harruar dhe aktivitetin tim të përditshëm, të cilin e kam nisur këto 5 vite dhe që është palestra.
CMG: Do doje që fëmijët e tu të merren me muzikë?
Vedat Ademi: Sigurisht që do kisha shumë dëshirë që të merrej ndonjë nga fëmijët e mi me muzikë. Nuk është se ua kam imponuar këtë gjë, por ata e duan muzikën dhe e shoh që e ndjejnë.
Duket që kanë vesh për muzikë, ndoshta ndonjëri nga fëmijët mund të bëhet artist, por edhe nëse bëhen ekonomist si mami, nuk do ishte keq.
CMG: Çfarë do u thoje fansave të tu, të cilët të presin me padurim për të realizuar koncerte në Shqipëri?
Vedat Ademi: Unë ndër vite jam munduar të shpreh falenderimin që kam për publikun dhe të gjithë ata që kanë qenë suport në muzikën time. Është publiku i cili më ka dhënë shtysën më të madhe, për të vazhduar e për të sjellë këngë të reja gjithmonë. Jam falenderues gjithë jetën për suportin që kam pasur nga fansat e mi. Jam munduar të jap shpirtin tim dhe gjithçka për muzikën, duke sjellë pozitivitet, dashuri dhe i vërtetë në artin tim. I falenderoj të gjithë dhe shpresoj të kthehet çdo gjë në normalitet që edhe unë të jem pranë tyre, për të shijuar dhe vetë muzikën me shumë atmosphere, të cilën jam mësuar ta kem ndër vite.
CMG: Faleminderit për këtë bisedë dhe shumë suksese!
Vedat Ademi: Faleminderit shumë për intervistën dhe suportin! Është kënaqësi e madhe! Uroj të jeni të gjithë mire me shëndet dhe të shihemi sa më shpejt në Shqipëri. Gjithë të mirat!
Intervistoi: Sava Lena