Erik Lloshi është këngëtari i njohur i muzikës së lehtë, i cili është diplomuar për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka marë pjesë në shumë Festivale si dhe ka qenë mjaft aktiv me publikime të videoklipeve. Fillesat Eriku i ka në skenë që në moshën 14 vjeçare kur konkuroi në Top Fest, Kënga Magjike, gjithashtu dhe në edicionin e fundit të festivalit të RTSH-së. Momentalisht ai punon si mësues i muzikës dhe konkuron në Festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Ta vodhën zemrën”. Planet e tij rreth muzikës janë të shumta, por dhe mjaft të bukura, që ai pret t’i realizojë në të ardhmen.

CMG: Përshëndetje Erik! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!

Erik Lloshi: Përshëndetje Sava! Kënaqësi gjithmonë të jem me ty në intervistë!

CMG: Materiali më i ri muzikor mban titullin “Ta vodhën zemrën”. Na trego si u krijua kjo këngë deri në finalizim?

Erik Lloshi: Është një kompozim i Enis Mullajt me tekst të shkruar nga unë. Nuk është bashkëpunimi i vetëm sepse me të kam edhe tre materiale të tjera, të cilat i kam realizuar për kategorinë e të rinjve.

CMG: Për ty është hera e parë që merr pjesë në një kompeticion si autor kënge?

Erik Lloshi: Për artistë të rinj është hera e parë dhe jam shumë i lumtur për këtë, pasi nuk ka gjë më të bukur sesa të shohësh krijimin tënd të kënduar nga artistë shumë të talentuar, që janë artistët e rinj.

CMG: Për cilën këngë bën tifo më tepër?

Erik Lloshi: Është shumë e vështirë për t’i ndarë. Njësoj sikur një prind të ndajë fëmijët e vet, pasi unë i konsideroj shumë të rëndësishme dhe kanë një vlerë të madhe për mua. Nga repertori im, mund të veçoj një këngë e cila më pëlqen shumë, por nuk mundi dot të hynte në natën finale te “Kënga Magjike”, por ajo këngë u bë shumë e famshme. “Si dukem unë pa ty”, që unë e dashuroj, vetëm kjo bën pak ndryshim.

CMG: Cila prej këngëve në konkurrim është më e bukura për ty?

Erik Lloshi: Nuk mund t’i ndaj dot sepse janë të krijuara nga shpirti. Secila prej atyre këngëve ka veçantinë dhe bukurinë e vet.

CMG: Ka qenë frymëzim gjatë pandemisë për të ardhur këtë vit edhe si kompozitor për artistët e rinj?

Erik Lloshi: Pandemia përveç mungesës së koncerteve, mua personalisht më ka rigjeneruar trurin, gjumin. Punoj ditën dhe arrij të shoh dritën e diellit. Më ka bërë mirë sepse kam pasur më shumë kohë për të krijuar. Për shumë persona ka qenë e vështirë, sepse janë përballur me problem të rënda shëndetësore si pasojë e pandemisë, por çdo e keqe ka dhe të mirat e saj.

CMG: Ty Erik, kush ta vodhi zemrën?

Erik Lloshi: (Qesh) Zemra ime ka dy vite që është vjedhur dhe këtë e dinë të gjithë. Ajo është futur në një kuti nga ku nuk del më, por dhe nuk ka vend për asnjë tjetër. Sa i takon këngës, ajo flet për një vajzë e cila ka tradhëtuar për çështje ekonomike dhe çështje që dihen pse ndodhin në ditët e sotme.

CMG: Është diçka e përjetuar?

Erik Lloshi: Nuk e kam përjetuar vetë, por është një histori e marë diku tjetër. Në tekstet që shkruaj janë histori të vërteta, të cilat i dëgjoj nga miqtë e mi dhe njerëzit që më rrethojnë.

CMG: Vargjet e këngës janë:

Sa të doja nuk ta thoja,

veten time e mohoja

se zemrën kush ta bleu

e le peng ti zemrën

se ty ta vodhën zemrën.


Erik Lloshi: Është një temë që preket shumë në Shqipëri, për fat të keq ka ndodhur shumë kohët e fundit, por shyqyr s’më ka ndodhur mua.

CMG: Je frymëzuar gjithmonë nga komshinjtë dhe nga njerëzit e njohur?

Erik Lloshi: (Qesh) Gjithmonë jam bazuar në histori të vërteta, por që nuk janë të miat.

CMG: Në prezantimin tënd te “Kënga Magjike” u diskutua për zhgënjimin, ku të linte të kuptoje se dikush të ka zhgënjyer…

Erik Lloshi: Njeriu zhgënjehet atëherë kur “e ha thikën pas shpine”, në kuptimin figurativ. Mërzitje të vogla ka kudo, por të mëdha nuk kam pasur. Në karrierën time çfarë kam dashur i kam arritur, ëndrra kam shumë dhe plane për të bërë në jetë.

CMG: Ti Erik, je tashmë në konkurim edhe me këngëtarët për të cilët ti ke realizuar këngët. Në finale kujt do t’i japësh më shumë pikë?

Erik Lloshi: Unë u paraqita si kompozitor me këngëtarët Gëzim Hajdari i cili mori 4 vota jeshil. Realizova gjithashtu dhe këngët e kënduara nga Ana dhe Klea. Normalisht që do të votoj për ta dhe ata për mua sepse kemi vërtetë materiale të mira muzikore.

CMG: Është e drejtë për të votuar materialin tënd?

Erik Lloshi: Po nuk votova materilin tim të cilin e kam bërë me shpirt, kë tjetër mund të votoj?!

CMG: Nëse do të duhet të zgjedhësh që njëri prej jush të dalë në finale, cila këngë do të ishte?

Erik Lloshi: Nuk e di, e kam të pamundur për të vendosur. Por ndoshta do të eleminoja veten time dhe do nxirrja të treja këngët, sepse janë materiale shumë të mira dhe këngëtarët janë shumë të mirë.

CMG: Po nga këngët e tua ndër vite, cilën do ti më fort dhe cilën mendon se publiku e do më fort?

Erik Lloshi: Është pak e vështirë, si të pyesësh një baba se cilën fëmijë do më shumë. Kam punuar ndër vite me autorë dhe kompozitorë shumë të mirë si Klejdi Bahiti, Flori Mumajesi, Adrian Hila, Alfred Kaçinari, Enis Mullaj. Për tekstet kam punuar me Endrit Mumajesin, Rozana Radin, Olti Currin, pothuajse kam punuar me të gjithë. Kam materiale shumë të bukura, një karrierë artistike shumë të gjerë, por unë do të veçoja një këngë e cila e ka titullin, “Si dukem unë pa ty”, e cila nuk u fut në natën finale, por që për mua është shumë e dashur dhe u bë shumë e dëgjuar edhe pse nuk hyri atë vit në “Kënga Magjike”. Dhe që prej atij viti Ardit Gjerbrea e ka bërë konkurimin e të rinjve me konkurs, sepse të gjithë të rinjtë që patën ardhur nga “X Factor” atë vit më kanë votuar me 0 pikë dhe të gjithë këngëtarët Big kanë votuar maksimalisht. Që nga ai moment ai bëri ndarjen, prandaj të rinjtë sot e kanë hakun prej meje, prej gabimeve që kanë bërë të rinjtë e parë, të cilët nuk vlerësuan si duhet një këngë të mirë.

CMG: Ti ke mbaruar studimet për kanto dhe përveç daljes në publik me prezantime të ndryshme, gjithashtu ushtron dhe profesionin e mësuesit.

Erik Lloshi: Unë po realizoj ëndrrën që kam pasur dikur, atë të mësimdhënies, jo atë çfarë mësohet në shkollë të kantos lirike me ato rregulla apo atë diktat ritmik e melodik të të mësuarit të gjërave. Po thyej disa rregulla dhe po jap atë që unë di dhe atë që unë ndjej mundohem ta transmetoj te studentët e mi, që t’i përgatis për në skenë për muzikën e lehtë.

Momentalisht jam i punësuar diku, por shpresoj që në të ardhmen të hap shkollën time me mësime moderne, jo vetëm për kanto dhe muzikë të lehtë, por edhe për violinçel, piano moderne, pra të gjitha instrumentat e modernizuara. Marr shkas nga kjo për të bërë një përshëndetje shumë të veçantë për profesoreshën time, këngëtaren e njohur Manjola Nallbani, e cila ka marë një iniciativë të tillë që në Akademinë e Arteve të futet muzika e lehtë. Ka qenë ajo e cila na ka frymëzuar që edhe ne sot e kësaj dite të hapim një shkollë apo një qëndër kursesh pikërisht për muzikën e lehtë dhe atë moderne. Faleminderit profesoreshë Manjola!

CMG: Të përgëzoj për idetë dhe iniciativat e reja, por ku bazohesh ti për të sjellë këto ndryshime?

Erik Lloshi: Unë edhe kur këndoj një këngë të një artisti tjetër, nuk e imitoj atë asnjëherë në mënyrën e të kënduarit, por jap nga vetja. Të njëjtën gjë bëj edhe me studentët , mundohem të jap atë që di, jo atë që kam mësuar nga dikush tjetër, por atë çfarë kam krijimin tim, në mënyrë që edhe ai të ketë krijimintarinë e vet dhe jo të më kopjojë mua.

CMG: Mënyra e mësimdhënies në muzikë nuk ka gjëra fikse?

Erik Lloshi: Patjetër që ka gjëra fikse dhe ato janë intonacioni dhe veshi ritmik. Nëse nuk i ke këto dy elementë nuk mund të ecësh përpara, ndërsa për mënyrën se si këndohet çdo artist e ka një pjesë të vetën të karakterit të fshehur. Duhet të jemi gjithmonë vetvetja dhe të bëjmë atë që ndjejmë gjithmonë, pa u kufizuar nga askush dhe pa kopjuar askënd, këto janë dhe leksionet e para që unë jap. Nëse je vetvetja në muzikë, atëherë je unik në atë që bën. Jam shumë i sigurtë që mënyra e të kënduarit që unë bëj është unike dhe nuk e bën dot askush tjetër, të njëjtën gjë mundohem t’i mësoj edhe studentëve që kam përballë.

CMG: Sa kohë ka që ti merresh me mësimdhënie dhe kur mendon që të hapësh shkollën e muzikës?

Erik Lloshi: Kam dy vjet e gjysmë që merrem me mësimdhenien, kam krijuar një klasë timen shumë të mirë. Nuk mund të them një afat të caktuar se kur mund ta hap shkollën time. Çdo gjë është gati, por nuk mjafton vetëm ambjenti, pasi ka dhe shumë procedura ligjore për të hapur një biznez të madh, i cili do të ketë shumë studentë.

CMG: Sa kohë ke që meresh me produksione?

Erik Lloshi: Si producent kam filluar që në moshën 10 vjeçare. Kam studiuar për piano vetë, nuk ma ka mësuar askush dhe atëherë nuk ka pasur as youtube mësime pianoje, e mësoja çdo gjë me libër dhe studioja nga 6-8 orë në ditë piano. Shumicën e fëmijërisë time e kam kaluar duke studiuar shumë.

CMG: Këtë rrugë e zgjodhe vetë, apo ishin prindërit të cilët të drejtuan në muzikë?

Erik Lloshi: Të dy prindërit e mi janë muzikantë, si dhe xhaxhai e daja Babai është kitarist dhe ka një vesh absolut dhe në këtë pikë i kam ngjarë atij, ndërsa mami ka një zë shumë të bukur, por ka pak probleme me veshin (qesh).

CMG: Si ndjehen prindërit sot që djali i tyre është i njohur?

Erik Lloshi: Mami im e ka pasur gjithmonë ëndërr që të këndonte. E vogël rrinte poshtë dritares së qëndrës kultorore ku dëgjonte e këndonte nga dritarja, por kur dikush e dëgjoi zërin e saj, e futi brenda dhe i dhanë një këngë për të kënduar, me të cilën ajo ka shkëlqyer në një nga festivalet e Lushnjes, por nuk e realizoi ëndrrën e vet pasi nuk kishte mundësi financiare në atë kohë. Që nga ai moment u betua që fëmija që do të kishte talent do ta ndiqte rrugën e muzikës… dhe ja ku jam unë sot.

Eriku me bashkeshorten

Eriku me bashkeshorten

CMG: Ti nuk je më ai beqari, që mund të shëtisje kudo vetëm….

Përpara se të vija të takoja ty, po shihja në internet disa shkrime ku thuhej se pret një fëmijë, a është e vërtetë?

Erik Lloshi: (Qesh) Jam shumë i lumtur që kam përkrah një bashkëshorte si Romina, e cila më ka duruar shumë, më ka pritur deri sa unë ta kuptoj jetën bashkëshortore, ta kuptoj jetën e rregullt të një familjari. Se me thënë të drejtën muzikantët janë pak me penallti, por nuk e kemi shpirtin e keq. Jam shumë i lumtur që e kam Rominën bashkëshorten time të cilën e dua shumë, por sa i përket atyre lajmeve nuk janë të vërteta. Momentalisht nuk e kemi në plan për një fëmijë, gjithsesi ajo është në dorën e Zotit. Po të isha bërë baba do e kishin marr vesh prindërit e mi të parët, pastaj gazetat.

CMG: Çfarë do i shtoje së fundi kësaj interviste?

Erik Lloshi: Kësaj interviste do i shtoja një mesazh shumë të forte, që është kuptuar më së shumti në kohën e pandemisë sa i përket prindërve, motrës, bashkëshortes. Duajini të dashurit tuaj të zemrës, falni sa më shumë dashuri dhe qëndrojini pranë familjarëve tuaj sa janë gjallë, në mënyrë që të mos bëheni pishman nesër. Jetoni një jetë të qetë e të lumtur, pa intriga!

CMG: Suksese në “Kënga MAgjike” dhe në projektet në vazhdimësi!

Erik Lloshi: Shumë faleminderit Sava! U ndjeva shumë mirë në këtë intervistë me ty dhe shpresoj që të kemi intervista të tjera bashkë.

Intervistoi: Sava Lena