Alma Velaj është një nga përfaqësueset më besnike të këngës popullore shkodrane dhe ky është çelësi i suksesit të saj. Ajo është një këngëtare simpatike dhe e talentuar dhe kjo ka bërë që karriera e saj artistike të njohë vetëm suksese. Që në fillimet e saj Alma tregoi se në karakterin e saj mbizotëronte një vullnet i hekurt që kërkonte punë dhe pasion për të arritur suksesin. Ajo, përveç punës për përsosjen e vokalit, punoi për krijimin e një repertori të pasur me perlat e këngës popullore shkodrane, duke e plotësuar atë edhe me këngë të reja.
Alma vazhdimisht është e angazhuar në koncerte të ndryshme që organizohen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë, pra kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Ajo është e pëlqyeshme dhe e kërkuar në të gjitha trevat shqiptare si këngëtarja më e dashur nga të gjithë dashamirësit e këngës shqiptare, veçanërisht asaj shkodrane. Në një intervistë për emisionin Bio Folk në Radio Ejani Alma na tregon për aktivitetet e saj artistike, periudhën e vështirë të pandemisë si dhe projektet artistike në të ardhmen.
CMG: Alma, faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk në valët e Radio Ejani
Alma Velaj: Ju falenderoj shumë për ftesën dhe kënaqësia është e imja. Jam e previligjuar që jam e ftuar në këtë emision.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë ku përveç këngëve popullore shkodrane keni interpretuar edhe këngë popullore nga treva të tjera të vendit. Ndjeheni e plotësuar me suksesin tuaj gjatë këtyre viteve?
Alma Velaj: Unë kam një karrierë artistike prej 25 viteve tashmë dhe normal që ndjehem e plotësuar, por artisti gjithmonë duhet të jetë kërkues ndaj vetes. Sado që ndjehesh mire, por prapë kërkon diçka më shumë nga vetja, siç themi ne në Shkodër “e mira nuk ka fund”.
CMG: Jeni gjithmonë e pranishme nëpër evente live, por edhe keni prodhuar shpesh këngë të reja popullore.
Alma Velaj: Faktikisht unë kam filluar karrierën që e vogël, në moshën 5 vjeçare dhe gjithmonë jam prezantuar me këngë shkodrane, sepse e adhuroj muzikën shkodrane. Gjithmonë jam paraqitur me këngë shkodrane dhe do të paraqitem deri sa të mbyll karrierën, por rinia kërkon diçka tjetër dhe jemi të detyruar që të ndryshojmë diçka dhe jo vetëm këngë shkodrane edhe pse unë i adhuroj shumë.
CMG: Gjatë pandemisë aktivitetet artistike janë pezulluar dhe ju besoj e keni ndjerë mungesën e aktiviteteve.
Alma Velaj: Shumë e vërtetë dhe kjo na ka dëmtuar të gjithëve dhe jo vetëm mua. Edhe pse është një profesion me shumë stres dhe lodhje, por prapë kur na bien të rrimë pushim e ndjejmë shumë atë mungesën e aktiviteteve, sepse të merr malli për të kënduar. Unë jam mësuar të këndoj gjithë kohës dhe padyshim që më mungon muzika shumë, por edhe publiku.
CMG: Ju si këngëtare jeni e preferuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. Të kanë munguar gjatë këtij viti të pandemisë udhëtimet?
Alma Velaj: Të them të drejtën unë kam qenë e angazhuar shumë në Shqipëri, por këto vitet e fundit më shumë kam shkuar në Amerikë ku shkoj e vij për koncerte dhe gjatë verës kuptohet me gëzime familjare në Shqipëri dhe gjithë kohës jemi tranzit. Jam lodhur sepse vjen një kohë që lodhesh nga udhëtimet, por ishte mirë edhe kështu të bësh pak pushim.
CMG: Alma ju keni realizuar disa duete me këngëtarët shkodranë ku mund të përmend Vjollca Lukën, por edhe këngëtarë të tjerë.
Alma Velaj: Kanë qenë vërtetë bashkëpunime shumë të bukura, që do të mbesin në memorien time shumë gjatë. Vjollcën e kam patriote sepse jemi prej një vendi plus që e adhuroj shumë si këngëtare, si dhe këngët që kemi realizuar janë tipike shkodrane, që unë i dua shumë.
CMG: Cilat janë preferencat e publikut nëpër eventet live, ku ju këndoni?
Alma Velaj: Kjo varet se ku ndodhesh. Po të jesh në Shkodër normal që kërkohet muzika shkodrane, të jesh në Tiranë muzikë e Shqipërisë së mesme. Unë jam munduar që të kem repertor nga të gjitha trevat, sepse këngëtari duhet të jetë i gjithanshëm. Ndoshta nuk mundesh të realizosh 100% trevat e tjera, por duhet t’u afrohesh sadopak.
CMG: Gajtë karrierës suaj artistike keni realizuar edhe albume muzikore, apo vetëm këngë teke?
Alma Velaj: Ka vite që nuk realizoj më albume, por vetëm këngë.
CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?
Alma Velaj: Unë kam bashkëpunuar me disa kompozitorë në Shkodër më tepër me muzikë shkodrane si me Luan Dagistanin, Ilir Zogajn, Roland Gulin, ndërsa në Tiranë me Edi Balilin dhe Alban Fortunën, që për mua janë maestro. Kam bashkëpunuar edhe me kompozitorin Shpëtim Saraçi dhe bashkëpunimin e fundit me të e kam pasur në Amerikë.
CMG: Ta ruash traditën e muzikës popullore, qoftë dhe atë të muzikës qytetare shkodrane ç’do të thotë për ty si artiste?
Alma Velaj: Është shumë e vështirë sepse ka prej atyre që janë në moshë të re, që më kritikojnë kur bëj këngë shkodrane, por unë i dua dhe do t’i dua derisa të vdes, sepse jam shumë fanatike pas këngës shkodrane. Shpeshherë kam bërë edhe disa këngë të tjera brenda kësaj kohe që pëlqehen nga rinia, por unë mbetem te kënga shkodrane.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik apo këngë të re së afërmi, pasi të mbarojë pandemia?
Alma Velaj: Për momentin po merrem me një këngë dasme të trevave të Shkodrës dhe shpresoj që nga qershori ta publikoj.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Alma Velaj: Ju falenderoj juve dhe i uroj shumë sukese radios suaj. Përshëndes të gjithë kolegët e mi, duke uruar që sa më shpejt të dalim të lirë si dhe të gjithë shqiptarët të kenë sa më shumë shëndet, paqe dhe harmoni. (Gazmend Agaj)