Lekë Pecnikaj është këngëtar i njohur i muzikës popullore të Veriut të Shqipërisë. Ai punon prej vitesh si solist i Ansamblit te Këngëve dhe Valleve Popullore. Leka ka një karrierë të gjatë artistike ku gjithmonë është prezantuar me këngë tradicionale popullore të trevës së veriut si dhe ka realizuar dy koncerte recital, të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku. Ai shquhet për zërin karakteristik si dhe bashkëpunimet me këngëtarë të tjerë të njohur popullorë kanë qenë të suksesshme. Në një intërvistë për emisionin Bio Folk në Radio Ejani ai na tregon rreth karrierës së tij artistike, aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit, si dhe projektet për të ardhmen.
Leke Pecnikaj me kengetaren Dava Gjergji
CMG: Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk.
Lekë Pecnikaj: Ju faleminderit dhe është kënaqësi edhe për mua të jem pjesë e këtij emisioni kaq të bukur, për këngën popullore.
CMG: Ju keni vite që punoni si solist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, duke kontribuar me zërin dhe interpretimet tuaja.
Lekë Pecnikaj: Është fat dhe kënaqësi që jam pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku kam disa vite që punoj dhe jetoj me këngëtarët më të mirë shqiptarë dhe orkestrën më të mirë e me këngët më të bukura shqiptare.
CMG: Edhe gjatë periudhës së pandemisë ju keni zhvilluar disa aktivitete me Ansamblin, ku publiku ju ka ndjekur përmes transmetimit në televizion dhe rrjetet sociale.
Leke Pecnikaj me djemte e tij
Lekë Pecnikaj: Është e vërtetë. Sikurse për të gjithë shqiptarët kjo kohë ka qenë shumë e vështirë edhe për ne artistët, por ne kemi punuar dhe kemi ndenjur gjithë kohën në punë, si dhe kemi bërë disa koncerte. Falënderojmë Televizionin Shqiptar që i ka filmuar dhe transmetuar. Një koncert ishte me këngët e ditës së verës, një koncert tjetër ishte i këngëtarëve të mirënjohur Kastriot Tusha dhe Aranit Hoxha, ku ishte e ftuar dhe këngëtarja Eli Fara.
Ky ishte një koncert mjaft dinjitoz dhe është pëlqyer. Na kanë marrë shumë në telefon shokë e miq nga të gjitha trevat, duke na përshëndetur.
CMG: Përveç punës suaj të përditëshme në Ansambël, ju keni nxjerrë gjithmonë këngë të reja. Si janë pritur këto këngë nga publiku?
Leke Pecnikaj me kolege te AKVP
Lekë Pecnikaj: Kemi publikuar shumë këngë me tekste të reja dhe muzikë të re, sepse vetë koha i kërkon dhe unë kam pasur fatin të bashkëpunoj dhe me shumë këngëtarë të mirë të zonës së veriut, si këngëtaren e madhe Fatmira Breçani, këngëtaren Dava Gjergji dhe shumë këngëtarë të tjerë. Kam realizuar disa këngë në bashkëpunim me tekstin e Hamit Aliajt, që e përshëndes shumë përmes valëve tuaja, por edhe me kompozitorin Kol Susaj gjithashtu kemi bërë disa këngë, që them se do mbeten gjatë në muzikën popullore shqiptare.
CMG: Besoj se duetet me Fatmira Breçanin kanë qenë të suksesshme?
Lekë Pecnikaj: Vetë Fatmira është bilbil dhe zë i rrallë në të gjithë zonën e veriut. Është një këngëtare që edhe Tropojën nuk e përmendim pa ja përmendur emrin e të madhës Fatmira Breçani. Bashkëpunimet me këtë artiste kanë qenë vërtetë të suksesshme.
CMG: Sa e keni ndjerë mungesën e aktiviteteve dhe publikut gjatë periudhës së pandemisë?
Lekë Pecnikaj: Këto kanë qenë kohë të vështira, që nuk i kemi pritur dhe as menduar se do të shkojë kështu, por unë kam qenë në punë vazhdimisht dhe gjithashtu djemtë e mi i kam artista ku njëri ka studiuar violinë dhe tani e përdor çiftelinë shumë bukur. Ai jeton në Gjermani dhe ka bërë shumë hite me këngëtarët e mëdhenj botërorë, që e kanë pëlqyer dhe e thërrasin në shumë klipe dhe evente. Djali tjetër mbaron Universitetin e Arteve për piano dhe unë kam bërë këngë edhe në shtëpi vazhdimisht me ata duke ilustruar këngë, pra nuk kam ndenjur asnjë ditë pa kënduar shqip.
CMG: Djali juaj në Gjermani ka bërë jehonë të madhe me instrumentin e çiftelisë tek të huajt, duke i njohur ata me folkun shqiptar.
Lekë Pecnikaj: Ai ka bërë shumë hite botërore me këngëtarë të njohur, që ata i kanë publikuar në rrjetet socilale, si shqiptari që na mahnit me çiftelinë e tij. Ka pasur gjithashtu edhe shumë takime me këngëtarë si Rita Ora, duke i miksuar këngët dhe bashkëpunime të tjera me këngëtarë të njohur, edhe shqiptarë.
Leke Pecnikaj me kostum popullor
CMG: Keni së shpejti ndonjë projekt artistik, në lidhje me këngën popullore?
Lekë Pecnikaj: Unë kam realizuar dy koncerte recitale në TKOB dhe kam dëshirë ta mbyll edhe me një koncert tjetër recital me praninë e spektatorëve këtu me ansamblin popullor. Dua të përmend edhe diçka që e kam pikë të dobët, kostumografinë. Unë kam mbi 300 kostume popullore shqiptare, si dhe një arkiv të vjetër të xhubletës dhe veshjeve të tjera popullore. Kam mbi 20 xhubleta të vjetra të koleksionuara dhe të gjitha janë të ndryshme dhe të bukura nga Malësia e Madhe, Dukagjini dhe zona e Nikaj Mërturit, sepse vij edhe vetë nga ajo zonë. Këtë punë e kam pasion dhe luftoj që çdo ditë ta shtoj dhe ta pasuroj akoma më shumë.
CMG: Keni në plan ndonjë këngë të re, që do ta publikoni së afërmi?
Lekë Pecnikaj: Kam një këngë tani, që nuk dua ta bëj publike, por mendoj se do të jetë e mirë dhe e kemi shtrydh edhe veten pas kësaj pandemie, që të bëjmë diçka të mirë për tregun muzikor shqiptar. Besoj se kënga e re nga muaj maj do të jetë gati.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
Lekë Pecnikaj: Të falenderoj shumë Gazi që e mbështet dhe e mbron muzikën e pastër shqiptare.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Leke Pecnikaj ne interviste per CMG