Aktorja Eva Alikaj, një nga emrat më të vlerësuar të teatrit dhe kinemasë ka zënë një vend nderi në artin shqiptar. Ajo ka interpretuar në dhjetra filma dhe shfaqje teatrale si “Stola në park”, “Treni niset në shtatë pa pesë” etj, por për publikun ka mbetur shumë i dashur roli i Elsës, te komedia “Pallati 176”. Ashtu e këndshme, e ëmbël, me atë humorin që e karakterizon Eva Alikaj na rrëfen për bashkëpunimin e këngës “Mos më provoko” me kushëririn e saj, Çlirim Denaj.
Kantautori, Denaj i përket një brezi artistësh, të cilëtedhe pas ndërrimit të sistemeve, e gjetën veten mes muzikës dhe kulturës. Ai ka bërë për vete publikun me këngët “Viola”, “Pirati i zemrave”, “Ave Maria” etj. Por çfarë i bëri bashkë dy kushërinjtë Eva Alikaj dhe Çlirim Denaj?
CMG: Përshëndetje! Si jeni më shëndet? Kënaqësi t'ju kem në programin "Muzika shqip"!
Eva Alikaj: Kënaqësia është e imja Sava. Me shëndet jam mjaft mirë.
CMG: Si lindi ky bashkëpunim me Çlirim Denaj dhe a e pranove ftesën menjëherë?
Eva Alikaj: Që të jem e sinqertë mora një telefon nga motra e Çimit, Zana të cilën e përshëndes, pra vajza e hallës. Ajo më tha se Çimi ka bërë një këngë dhe do të paraqitet te "Kënga Magjike" dhe më pyeti a ke interes? Sigurisht i thashë, nëse do të më pëlqejë materiali. Kaluan disa ditë dhe më vjen mesazhi nga Çimi bashkë me këngën.
Atë ditë kisha dalë për të psonisur, ndërkohë që Vjena ishte në izolim për shkak të pandemisë. U ula në një stol jashtë dhe po e dëgjoja nga telefoni. Me dëgjimin për herë të parë nuk krijova ndonjë përshtypje, pastaj e ridëgjova disa herë dhe mendova se është një këngë që më shkon. Kështu që i telefonova menjëherë Çlimit dhe i thashë, po do të vij.
CMG: Çlirim, pas disa vitesh mungese ti rikthehesh në duet me aktoren Eva Alikaj. U krijua kjo këngë që në fillim për duet?
Çlirim Denaj: Përshëndetje, mirë se ju gjeta! Nuk kam hequr dorë për asnjë moment nga muzika këto kohë. Kur e krijova këtë këngë e mendova që në fillim që do të ishte në duet me aktoren Eva Alikaj. Meqënëse dhe publiku nuk e di që ne jemi kushërinj, që jemi fis artistash. Ja dërgova Evës dhe siç tha dhe ajo, e pëlqeu këngën. Pjesën e saj ja lashë në dorë të shtonte ndonjë frazë, nëse donte. Kështu Eva erdhi menjëherë dhe pas disa ditësh prova ne kënduam te "Kënga Magjike".
CMG: Eva, si u ndjeve me këtë fabul të këngës "Mos më provoko!"?
Eva Alikaj: Si dëgjohet dhe nga titulli në këngën "Mos më provoko!" bëhet fjalë për një femër dhe një mashkull të cilët flirtojnë, ngacmojnë njëri -tjetrin. Ishte interesante si temë, por ajo që ndjeva ditët e para, pasi bëm një javë prova, ishte se ndjehesha në siklet. Që të hyja në rol duhet të ngacmoja, provokoja. Çlimin e kam djalë halle dhe e shihja që edhe Çlimi ishte në siklet dhe ulte sytë ndonjëherë. Nuk e di si do ishte në rast se do bëhej fjalë për një film apo një rol në teatër, do ishte shumë e vështirë, por ne jemi profesionistë dhe që në ditën e dytë apo të tretë filluam ta shijonim këtë performance, çdo ditë e më tepër.
CMG: Çlirim, përse mendove pikërisht Evën dhe jo një tjetër?
Çlirim Denaj: Duke e njohur mirë Evën, temperamentin, interpretimin e saj, mendova t’ja përshtas asaj këtë këngë, sepse do të ishte diçka ndryshe në këtë festival.
CMG: Çfarë të frymëzoi për këngën "Mos më provoko!"?
Çlirim Denaj: Unë krijoj poezi dhe i postoj në faqen time sociale në facebook. Duke parë të gjithë titujt e tyre, më ngacmoi kjo “Mos më provoko!”. Kështu i drejtohemi njëri- tjetrit, një vajzë e një djalë kur të dy i japin shenja njëri- tjetrit, derisa ata lidhen së bashku. Dhe më mirë se me Evën nuk mund ta bëja këtë bashkëpunim.
CMG: Kemi parë disa foto ku keni dalë bashkë. Më pas reagimi yt Çlimi ishte: “Është kushërira ime”. Doje që mos komentonin në media për ato foto?
Çlirimi Denaj: Edhe fotot u realizuan duke u bazuar në fabulën e këngës, për të cilat falënderoj Genc Resulin, i cili punoi me fotografitë.
CMG: Çlimi, ti ke dëshirë të të provokojnë ?
Çlirim Denaj: Provokimi është i bukur, por ne familjarëve nuk na shkon (qesh).
CMG: Eva, ti ke marrë pjesë në spektaklin "C'est la vie" dhe aty kemi parë një dashuri të madhe që ke për muzikën. Nëse kthehemi në retrospektivë, do e ndërroje aktrimin me këngën?
Eva Alikaj: Jo, nuk do ta ndërroja sepse unë jam aktore, por ajo që vë re dhe ndjej është se do të më pëlqente që sa herë të më jepet mundësia të këndoj. Sepse më jep kënaqësi. Spektakli "C'est la vie" ka qenë shumë frytdhënës, më ka ndihmuar pasi vazhdoi gjatë dhe unë munda të këndoja live shumë këngë, por dhe mundësia për të njohur këngëtarët shqiptarë si Era Rusi, Anxhela Peristeri, të cilat nuk kisha pasur fatin t’i njihja, pasi kam jetuar për një kohë të gjatë në Vjenë. Mu krijua besimi që ka këngëtarë të mirë Shqipëria dhe unë munda të këndoja përkrah tyre. E them modestisht këtë.
CMG: Eva, si është jeta jote në Austri?
Eva Alikaj: Jeta në Austri në këtë periudhë është si në gjithë botën. Ka monotoninë e vet, por nuk të pengon të shëtisësh, të jetosh, të kesh ëndrra, të grindesh, të duash. Unë jetoj me prindërit dhe i jap mundësinë vetes të jem ajo vajza e vogël. Ndonëse i thashë dikujt sot kështu, pasi ashtu e kam ndjerë veten. Ai më tha: Eva të gjithë kështu jemi, me prindërit. Nuk do ta quaja kohë të humbur këtë periudhën e pandemisë.
CMG: Çimi, në tekstet e këngëve të tua ka pak provokim brënda. Të pëlqejnë këto fabulat që kanë dhe aktrim brënda?
Çlirim Denaj: Po sigurisht. Kënga është magji më vete dhe skena gjithashtu. Kush di të bëjë magji, ka sukses. Ka pas edhe nga ata që më kanë kritikuar. Gjithashtu edhe kur bëra këngën "Pirati i zemrave" një miku im, Alfred Kaçinari më tha; Çfarë është ky titull "Pirati i zemrave"? Por iu drejtova; Ti bëj këngë për gjyshen, për nënën ndërsa unë do bëj kështu këngësh. Në të vërtetë të gjithë e kanë qejf piratin, të gjithë duan të rrëmbejnë zemra, madje ka shumë njerëz që më thonë: për mua e ke shkruar? Në fakt unë për të tjerët e kam shkruar, se vetë nuk jam shumë pirat.
CMG: Çimi, si i ka pritur bashkëshortja këto këngë?
Çlirim Denaj: Nuk mund të them se jemi liberalë, se ka dhe fanatizëm në familje. Më thotë të bëj pak kujdes me tekstet.
CMG: Cila këngë mendon se ka pasur më shumë impakt në publik "Pirati i zemrave" apo "Viola"?
Çlirim Denaj: Kur këndova këngën "Viola" njerëzit nuk më njihnin dhe më thërrisnin “Viola” si titulli i këngës dhe më vinte zor. Unë goxha burrë me mustaqe më thërrisnin në emër femre. Gjithësesi mendoj se kam bërë këngë të cilat kanë mbetur te njerëzit.
CMG: Çfarë kujton ti nga këto vite?
Çlirim Denaj: Kanë qenë vite të bukura, të suksesshme, njërëzit më donin, më respektonin, i këndonin këngët e mia. Kur interpretova "Pirati i zemrave" deri në atë moment nuk ishte parë njeri të dilte në skenë me pallto dhe me flokë të gjata. Dhe që në prezantimin e parë salla oshëtiu, bëri bujë. Nuk kishte ardhur ende koha e shfrenimit të veshjeve.
CMG: Në atë kohë Adelina Ismaili u zhvesh në skenë, ndërsa ti u veshe me pallto…
Çlirim Denaj: Kështu ishin atëhere pyetjet e gazetarëve, përse me pallto? Dhe përgjigjja ime ishte: Duke parë njerëzit që zhvishen, unë mendova të vishem. Në krijimtarinë time dua të eci gjithmonë kundër rrymës.
CMG: Ti që në prezantimet e para ke qenë mjaft aktiv në skenën e festivalit të RTSH-së. U bë kohë e gjatë që s’ke marrë më pjesë. Përse?
Çlirim Denaj: Nuk kam marr pjesë në festival, por jam marrë me muzikë. Kam pas një pozicion pune që i jam përkushtuar shumë, duke lënë pas dore veten. Pandemia u bë shkak që të krijoja ku përgatita një album të cilin së shpejti do ta prezantoj në një koncert recital. Nga konkurrimet isha shkëputur dhe ja ku u riktheva te “Kënga Magjike” këtë vit.
CMG: Çfarë prisni nga Kënga Magjike?
Çimi: Objektivi im te “Kënga Magjike” është që të hyj deri në finale. Nëse e arrij këtë e kam arritur qëllimin tim.
Eva Alikaj: Shpresoj që ta kalojmë fazën e dytë për në "Kënga Magjike". Për mua do të jetë shumë kënaqësi të jem pranë publikut tim shqiptar.
CMG: Çimi, ti po përgatit dhe një këngë me videoklip?
Çlirimi Denaj: Pas albumit, koncertit recital, po punoj dhe për një këngë më një fabul interesante, të cilën po e realizoj në videoklip. Pas “Këngës Magjike”, me ndihmën që po më jep dhe drejtoresha ime e Qëndrës Kulturore të Tiranës, Jonida Beqo mendoj se nga fundi i majit fillimi i qershorit do jetë gati dhe recitali.
CMG: Ju uroj suksese! Faleminderit shumë për këtë bisedë! Shpresoj t’ju shohim sa më shpesh në ekranet tona.
Çlirim Denaj: Të falenderoj për intervistën. Të pres bashkë me stafin e radio Ejani në koncertin tim recital!
Eva Alikaj: Gjithashtu shumë faleminderit, ju uroj dhe juve shumë suksese. Publikut i premtoj se do të paraqitem sa më mire, nëse do të kem oferta të suksesshme dhe me vlerë, pasi është kënaqësi e imja të jem pranë publikut, i cili s'më ka lënë kurrë në baltë.
CMG: Eva, të presim sërish në Tiranë!
Intervistoi: Sava Lena