Tenori i mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu, vazhdon me angazhimet e tij artistike në skenat evropiane.
Ai interpretoi personazhin e Alfredo Germont-it në operën “Traviata” të kompozitorit Xhuzepe Verdi.
Ky event artistik u shfaq në televizionin italian “Rai3” si një film, dhe u prodhua nga “Raikultura” në bashkëpunim me Teatrin e operas së qytetit të Romës, Itali.
Koncepti regjisorial ishte i Mario Martone-s, "që lindi në një teatër bosh, sepse për shkak të pandemisë gjendja e të gjithë teatrove kudo në botë për më shumë se një vit është dramatike”. Qëllimi i regjisorit ishte që të përfshinte spektatorët në këtë moment të vështirë për botën e artit, që megjithatë nuk duhet ta bëjë imagjinatën të vdesë, duke përfshirë shikuesin, madje edhe atë më të largëtin, përmes televizionit.
"Traviata" bazohet në veprën "Zonja me kamelie" të Alexandër Dyma-s. Në qendër të saj është një kurtizane e bukur që dashurohet me një fisnik, por që ati i djalit e pengon dashurinë e tyre.