Elida Korreshi është një artiste e pasionuar mbas këngës së muzikës së lehtë, por edhe asaj popullore. Ajo i është afruar spektatorit me këngë përherë të reja dhe sa më të larmishme, për të mos përsëritur vetveten dhe për t’i shpëtuar rutinës. Kështu, gjatë tërë veprimtarisë së gjatë si këngëtare profesioniste ajo ka interpretuar rreth 250 këngë. Si përfaqësuese e denjë e interpretuesve të këngës myzeqare ajo ka marë pjesë në disa festivale. E aftë që t’u përgjigjej melodive të këngëve të të gjitha krahinave, Elida mbetet e ngrohtë për të gjithë spektatorët e vendit; për ata shkodranë, por edhe për ata korçarë, për spektatorët gjirokastritë, por dhe për ata dibranë, për ata të mbarë Shqipërisë. Elida Korreshi vitet e fundit ka publikuar disa këngë të shoqëruara edhe me videoklipe si "Fry moj erë”, "Potpuri Myzeqare","Në një arë, në një lëndinë”, “U ngrita me natë" e shumë këngë të tjera.
Elida Korreshi duke interpretuar
CMG: Faleminderit Znj. Korreshi për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk në valët e radio Ejani.
Elida Korreshi: Faleminderit ju për ftesën dhe jam e nderuar që marr pjesë në këtë emision të mrekullueshëm.
CMG: Ju jeni një artiste me një karrierë të gjatë artistike, që keni interpretuar përveç se në muzikën e lehtë edhe në atë popullore, kryesisht të trevës së Myzeqesë. Çfarë kujtoni nga vitet e karrierës suaj?
Elida Korreshi: Duke qenë se është një karrierë e gjatë 50 vjeçare, sigurisht dhe kujtimet janë të pafundme si në aktivitete të ndryshme ashtu dhe me publikun. Por në këto do të veçoja edhe pse e kam të vështirë, por më kryesorja është pjesëmarrja për herë të parë në festivalin e 10-të të këngës në Radiotelevizion, ku unë isha në një moshë të re vetëm 15 vjeç. Sigurisht që mbetet një nga kujtimet e paharruara turneu në Francë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1980, I cili ishte një aktivitet i rëndësishëm për vendin, por për mua ka qenë një turne i mrekullueshëm. Do të veçoja dhe aktivitetin në Prishtinë me pjesëmarrjen e 5 këngëtarëve përfaqësues të Televizionit shqiptar ku kemi bërë regjistrime dhe kemi dhënë koncerte me miqtë e mi Alida Hiskun, Tonin Tërshanën, Zina Zdravën dhe Medi Zenën. Kemi bërë një aktivitet mjaft të bukur dhe këto mbeten të paharruara. Ka dhe plot aktivitete të tjera, por unë këto do të veçoja.
Elida Korreshi dhe kengetari elbasanas Medi Zena
CMG: Jeni nga përfaqësueset e denja të muzikës popullore myzeqare, duke e ruajtur me fanatizëm muzikën e tabanit popullor.
Elida Korreshi: Kënga popullore në përgjithësi, por veçanërisht kënga myzeqare më ka shoqëruar që në fëmijëri. Unë kam dhe një arsye më shumë për këngën popullore, sepse dhe babanë e kam pasur këngëtar dhe vallëtar me grupet popullore, kështu që gjatë gjithë jetës jam rritur me këngën popullore dhe sidomos atë myzeqare. Pastaj më vonë përvoja, kultura artistike e fitur në vite sigurisht që do të ishte ajo që do të isha në interpretim me ruajtjen dhe të traditës, duke i dhënë kulturën e fituar.
Elida Korreshi në albumin Potpuri myzeqare
CMG: Vitet e fundit ju keni realizuar disa këngë të shoqëruara edhe me video. Do të vazhdoni të prodhoni këngë të tjera për publikun?
Elida Korreshi: Shpresoj që në të ardhmen të kem mundësira të tjera për të realizuar këngë të tjera sepse zëri, kultura e të tëra nuk na mungojnë dhe sigurisht që do t’i realizojmë.
CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këtyre këngëve?
Elida Korreshi: Në realizimin e këtyre këngëve do të falenderoja veçanërisht kompozitorin dhe mikun tim, muzikantin e talentuar Agim Rrëza. Gjithashtu i falenderoj dhe përshëndes muzikantët e njohur Edmond Zhulalit dhe Edmond Rrapit ku në studiot e tyre janë realizuar edhe këto këngë.
Elida Korreshi gjate nje koncerti
CMG: Ju mungon publiku dhe a do të dëshiroje të realizoje ndonjë koncert recital me interpetime popullore myzeqare?
Elida Korreshi: Ashtu si të gjithë artistët në këto kohë publiku më mungon shumë. Publiku është jeta jonë dhe duartrokitjet e tyre na emocionojnë dhe na rinojnë. Përsa i përket pyetjes për recital, për momentin nuk kam ndërmend megjithatë nuk mund të them jo, koha do e tregojë.
Elida Korreshi duke intepretuar perpara artistes se madhe Vace Zela
CMG: Kohët e fundit jeni vlerësuar nga Bashkia e qytetit të Lushnjes me titullin “Qytetare Nderi”. Çfarë mund të na thuash për këtë vlerësim dhe a ju motivon për kontributin tuaj për artin dhe qytetin tuaj të Lushnjes?
Elida Korreshi: E nderuar që kam marë vlerësimin e lartë “Qytetare Nderi” e Lushnjes, e shkruar kjo në letër sepse e kam theksuar dhe diku tjetër që këto vlerësime dhe emocione ne i marrim gjatë viteve të karrierës me duartrokitjet dhe respektin, dashurinë e publikut. Por ky vlerësim i shkruajtur më motivon për një obligim më shumë ndaj qytetarëve të mi, ndaj qytetit tim. Kështu që nuk do të rresht gjithë jetën duke kënduar për të.
Elida Korreshi ne festivalin e kenges popullore
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani, emisionit Bio Folk si dhe miqve tuaj.
Elida Korreshi: Dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk dhe miqëve të mi do ju uroja dëgjim të këndshëm të këtij emisioni të mrekullueshëm, që transmeton dhe çon në çdo familje këngën tonë popullore aq të bukur, aq të ndjerë. I uroj sukese këtij emisioni, njëkohësisht uroj shëndet dhe lumturi për familje që kjo periudhë e vështirë që na ka kapur dhe ka të bëjë me jetën të kalojë dhe sigurisht të mirat pas kësaj vijnë. Ju faleminderit!
Intervistoi: Gazmend Agaj