Klajdi Musabelliu është këngëtar dhe autor këngësh i njohur. Fillesat e tij ai i ka në vitin 2002, ku si finalist i spektaklit të talent showt të parë shqiptar “Ethet e të premtes” mori famën e menjëhershme. Kompozitori Adi Hila dhe tektshkruesi Jorgo Papingji realizuan hitin e tij të parë. Kënga “Puthja e parë” garoi midis shumë artistive në koncertin e Stinës 2003 (i fundit i Radio Televizionit Shqiptar) ku Klajdi Musabelliu u vlerësua me çmimin e parë. Pjesëmarrjet e tij kanë qenë të shumta në festivalin e fundvitit në RTSH, në Kënga Magjike, Mikrofoni i Artë etj. Ka pak javë që ai ka sjellë materialin më të ri muzikor ku Klajdi Musabelliu vjen si kantautor i këngës “Lucky, Me fat”, për të cilën do flasë në Radio Ejani.
CMG: Përshëndetje Klajdi! Mirë se erdhe në programin " Muzika shqip"!
Klajdi Musabelliu: Përshëndetje Sava! Kënaqësi që jam me ty në këtë intervistë, pasi edhe intervistën e parë në jetën time ta kam dhënë ty në vitin 2003, pasi fitova çmimin e parë te “Këngët e Stinës”.
CMG: Në tekstin e këngës ti shkruan: "Në altar po të kërkoj, dëshmitarë botën kërkoj për ne të dy". Ështe një ëndërr, një vegim, apo diçka e re po vjen?
Klajdi Musabelliu: Muzika është sa e vërtetë aq dhe e pavërtetë, por njëkohësisht mund të jetë edhe një ëndërr. Nuk ka diçka konkrete, por lindi si një dëshirë që kënga të shoqërojë çiftet në altar, por pse jo edhe mua nëse do ta gjej atë vajzën.
CMG: Në postimin tënd në youtube ti shkruan: " Tani mbetet të zgjedh edhe unë vajzën, që t’i kërkoj dorën e ta çoj në altar. Ke përgatitur terrenin?
Klajdi Musabelliu: Jo, ende nuk ka asgjë konkrete. Hapim sytë por asgjë s’po ndodh në tregun e nuseve ( qesh).
CMG: Çfarë i premton asaj që do të vijë në jetën tënde?
Klajdi Musabelliu: Ta gjej një herë, se unë nuk jam ai tipi që premtoj. Dua të gjej dikë që ta pëlqej e ta dua, pastaj gjërat vijnë vetë rrugës, nuk dua t’i bëj me skenar.
CMG: Mendon se do të jetë kjo kënga që do të të shoqërojë në altar në të ardhmen?
Klajdi Musabelliu: Meqë e kam bërë vetë do ta vendos në dasmën time. Ky është qëllimi që çdo çift ta ketë kolonën zanore në martesë, t’i shoqërojë kjo këngë në ditën më të lumtur të jetës së tyre.
CMG: E ke krijuar kërë këngë në ditën e të dashuruarve. Je ndjerë vetëm atë moment, që të erdhi ky frymëzim?
Klajdi Musabelliu: Isha vetëm, jam vetëm. Kjo vetmia ka të mirat dhe të këqiat e saj, sepse dhe dhimbjen e kthen në forcë. Ato që ëndërron, i materializon, i shkruan dhe krijohet kënga.
CMG: Klajdi, të kujtohet kur e ke dhënë puthjen e parë?
Klajdi Musabelliu: Ka qenë viti 2003 kur kam dhënë puhtjen e parë skenike. Ndërsa atë të vërtetën ka qenë pak më përpara. Ishte një vit më e madhe ajo vajza. Ndërsa tekstin e këngës ma qëndisi Jorgo Papingji. Ai e studioi mirë situatën time dhe më realizoi këngën (qesh).
CMG: Si e sheh rrugëtimin tënd që nga “Puthja e parë” në vitin 2003 dhe deri te kënga “Lucky, Me fat”?
Klajdi Musabelliu: Ky rrugëtim ka qenë mjaft i turbullt, pasi në muzikë unë iki e vij. Kjo ndodh për arsye se unë bëj disa profesione të cilat i dua shumë, bëj dublantin, jam marr me gazetari, por nuk i kam munguar skenës për kohë të gjatë.
CMG: Duket sikur je në atë Trekëndëshin e Bermudës. Muzika, Dublimi, Gazetaria. Cilën do të veçoje? A mendon se mund të kesh sukses tek të treja?
Klajdi Musabelliu: Mami im thotë : Ti je “kiu fiu”. Muzikën po e po, por edhe aktorin dublant, duhet ta provosh për ta kuptuar. Unë si fëmijë i pa rritur mirë, e ndjej veten shumë mirë tek interpretimet që bëj, të cilat janë të shumtë për fëmijë, duke filluar nga zhapik e hardhuca dhe deri tek super heronjtë, etj. I dua fort të treja dhe jam përpjekur që t’i bëj paralelisht, por është e vështirë t’i ndaj. Nëse më duhet t’i rendis; këngën do e rendisja të parën, aktori dublant i dyti, gazetaria e treta. Aleksandër Gjoka ka kënduar “Dy dashuri”, ndërsa unë kam tre dashuri.
CMG: Cila këngë mendon se ka pasur më shumë impakt në publik?
Klajdi Musabelliu: Patjetër që “Puthja e parë”, për të cilën falenderoj Jorgo Papingjin dhe Adi Hilën. Më vjen mirë që ka sukses sot e kësaj dite, por nga ana tjetër më ka sfumuar gjithë këngët e tjera. Kanë mbetur të gjithë te puthja e parë. Unë kam dhënë edhe puthje të tjera, kam dhënë dhe përqafime, kam patur dhe zënka etj (qesh).
CMG: Meqënëse atëherë me “Puthja e pare” pate sukses, tani me “Lucky, me fat”, uroj që të të ecë fati në të gjitha drejtimet.
Klajdi Musabelliu: Eh më kujtohet momenti kur sapo fitova çmimin, ti ishe e para që më more për dore dhe më shoqërove deri në Radio Tirana për të dhënë intervistën e parë eksluzive tek ty (qesh). Ishte kohë shumë e bukur.
CMG: Klajdi, si është një e përditshme e jotja ?
Klajdi Musabelliu: Varet ku ndodhem, se unë po bëj rreth katër vite që jetoj mes Italisë dhe Shqipërisë. Kur jam në Tiranë s'më del koha për asgjë se me këtë ligjin e pandemisë duhet të mbyllemi në orën 20.00 në shtëpi. Zgjohem në orën 12.00 gatuaj, ndihmoj mamin, takoj miqtë etj. Kur jam në Itali, ndodhem mes turistësh dhe aty nuk flihet kurrë. Në Itali punoj dhe argëtohem sigurisht në sektorin e turizmit. E kam të vështirë të zgjedh midis Liparit dhe Tiranës. Kur zgjohem në mëngjes konsumoj një kafe me miq, nëse kam ndonjë projekt në dorë merrem me të, nëse ndodhem në itali jam me turistët 24 që i shoqëroj, pastaj mbrëmjeve këndojmë e kënaqemi.
CMG: Ti ke qenë finalist në talent show-n e parë "Ethet e së premtes" bashkë me Rosela Gjylbegun, Anjeza Shahinin, Arbër Arapin, Elvana Gjatën etj. Si është marrëdhënia juaj sot?
Klajdi Musabelliu: E njejta si kemi qenë atëherë. Zihemi si atëhere.
CMG:Janë të shpeshta takimet?
Klajdi Musabelliu: Jemi të shpërdarë, kontaktet i kemi dhe kur mundemi takohemi. Kur jemi të gjithë të sintonuar në të njëjtën frekuencë. Nuk kemi qenë kur xheloz për njëri tjetrin, përkundrazi jemi përpjekur ta ndihmojmë njëri tjetrin. Këtë vit për shkak të pandemisë nuk jemi takuar. Por sapo të ketë përfunduar, do ta bëj një xhiro nga Anjeza në Angli, apo nga Arbri në Gjermani. Ose po të duan të kursejnë lekët këta miqtë e mi, le të vijnë të më takojnë në Shqipëri ose në Itali. E unë paguaj kafen te 15 katëshi.
CMG: E keni menduar që së bashku ju grupi i "Etheve 1" t’i riktheheni skenës në një bashkëpunim?
Klajdi Musabelliu: Një pjesë e grupit janë bërë dhe familjarë dhe u janë shtuar preoukupimet. Si ide nuk është e keqe. Një herë Arian Sukniqi më ka thënë se dëshironte të realizonte një koncert me Etheistët 1, por nuk e di se ku mbeti si projekt, mua do më pëlqente të riktheheshim të gjithë bashkë është nostalgji.
CMG: Çfarë do thoje për Rosela Gjylbegun?
Klajdi Musabelliu: Është e shkelqyer!
CMG: Anjeza Shahini?
Klajdi Musabelliu : Anjeza është si shpirt. E kam marrë pak inat se vetëm me mua s'ka bërë bashkëpunim dhe vetëm me Dren Abazin ka bërë, por s'ka problem, ja kam falur këtë herë (qesh) .
CMG: Arbër Arapi?
Klajdi Musabelliu: Arbri është një djalë i shkëlqyer, një familjar shumë i mirë, një doktor ekselent.
CMG: Elvana Gjata?
Klajdi Musabelliu: Elvana është yll bote.
CMG: A ka ndryshuar ndonjë prej tyre?
Klajdi Musabelliu: Një pjesë mund të kenë menaxher dhe daljet i kanë më të kontrolluara. Mendoj se nuk kanë ndryshuar asgjë sepse thellë brënda vetes ne e dimë dashurinë që kemi për njëri tjetrin dhe respektin të cilën e shprehim në mënyra të ndryshme.
CMG: Çfarë do shtoje së fundi?
Klajdi Musabelliu: Dua të të falenderoj për këtë intervistë se kishim kohë pa u takuar dhe kishe kohë pa më intervistuar. Do doja që të ishin të gjithë gazetarët si ty, ta bënin këtë profesion me kaq dashuri e pasion si ti e bën punën, i cili nuk është aq i bukur sa duket, i njëjtë si puna e muzikës. Por ata të cilët kanë ëndrra dhe pasione në jetë do doja t’i inkurajoja se ka në jetë dhe njerëz që ja dalin, nëse besojmë fort në atë që duam. Unë e bëj me shumë dashuri muzikën time edhe pse do më duhet trefishi apo katëfishi i kohës, duke i krahasuar me këngët e momentit unë vazhdoj ta bëj me pasion këtë profesion, duke shpresuar që të trokasë muzika e mirë në zemrat e njerëzve dhe kaq.
Intervistoi: Sava Lena