Greta Zani është padiskutim një nga këngëtaret e njohura të Shqipërisë së mesme. Këngët e saj i këndojnë i madh e i vogël, sepse ajo di si të sjellë produksionet e reja e këtë e bën sepse ndihet e kënaqur nga gëzimi i njerëzve, kur e dëgjojnë duke kënduar. Greta Zani nisi të merret me muzikë pasi mbaron gjimnazin në vitin 1992 dhe tre vjet rresht, deri në vitin 1995, ka qenë soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve popullore. Gjatë këtyre viteve të suksesshme mori pjesë në shumë aktivitete muzikore, ku ndër to mund të kujtojmë Festivalet Ndërkombëtare, si në: Spanjë, Egjipt, Greqi, Turqi, Itali, Gjermani, etj, ku është vlerësuar me çmime. Ka publikuar disa albume muzikore si dhe ka qenë gjithmonë e pranishme nëpër koncerte dhe gëzime familjare, duke interpretuar live dhe bukur këngët popullore. Në një intervistë për emisionin Bio Folk Greta na tregon rreth karrierës së saj artistike si dhe pasionin për muzikën.
CMG: Greta është kënaqësi që të kemi të ftuar në Radio Ejani.
Greta Zani: Përshëndetje Gazi dhe kënaqësia është e imja si gjithmonë si dy miq të vjetër jemi përsëri bashkë në këtë intervistë dhe ju falenderoj shumë për ftesën në emisionin Bio Folk.
CMG: Greta, ju keni një vokal i cili i shkon përshtat jo vetëm muzikës popullore, por dhe asaj të lehtë dhe klasike.
Greta Zani: Kjo në fakt është e vërtetë sepse unë e kam thënë edhe herë të tjera që karrierën nuk e kam nisur me muzikën popullore, por e kam nisur me muzikë të lehtë me dy artistat tanë të mëdhenj, Edison Mison dhe Oleg Arapin, që i përshëndes shumë. Olegu në fakt më dëgjoi kur këndoja në ansambël dhe u afrua që të më orkestroi një këngë, e cila ka qenë dhe kënga ime e parë e muzikës së lehtë dhe e inçizuam në studion e Edison Misos. Aty nisi karriera ime por më pas u zhvillua një konkurs tjetër në Ansamblin popullor ku unë u pranova dhe pastaj mori rrugë kjo punë dhe u azhurnova me këngën popullore. Muzika e lehtë më ka pëlqyer gjithmonë pavarësisht që kur bëj muzikë live e këndoj, por njerëzit më njohin te muzika popullore.
CMG: Ju njiheni si interpretuese e këngëve popullore të Shqipërisë së mesme kryesisht, por besoj se këndoni edhe këngë të trevave të tjera sipas kërkesave të pubikut?
Greta Zani: Normalisht edhe unë vetë siç më cilëson dhe populli jam këngëtare e këngëve të Shqipërisë së mesme. Nuk shquhem për këndimin e këngëve të jugut apo të veriut, por nuk e përjashtoj faktin që nuk i këndoj sepse nëpër evente të ndryshme, dasma apo mbrëmje të ndryshme do t’i këndojmë edhe këto këngë. Sipas kërkesave të njerëzve, mundohem që t’ja përshtas nuancën e ngjyrave të zërit çdo krahine, por Shqipëria e mesme flen më shumë në zërin tim.
CMG: Pak më parë përmendët eventet dhe dasmat, por ka kaluar një vit që këto organizime janë ndaluar për arsye të pandemisë. Ju sigurisht e keni lëvruar shumë muzikën live, por si ndjeheni në këtë periudhë që nuk ka më evente të tilla?
Greta Zani: Në fakt unë do ta cilësoja veten që jam një këngëtare e muzikës live më shumë sesa një këngëtare mediatike. Faktikisht te ne kjo gjë ka ndikuar jashtë mase. Pandemia ka mbyllur çdo gjë dhe tek ne ka ndikuar shumë. Shpresojmë që me vaksinimin e të gjithë njerëzve do të shpëtojmë nga ky virus.
CMG: Mbani kontakte të shpeshta me adhuruesit tuaj përmes rrjeteve sociale ose publikoni ndonjë këngë aty?
Greta Zani: Të them të drejtën këngë të re akoma nuk kam, ka një vit e dy muaj ndoshta që kam publikuar këngën e fundit. Kam në plan sigurisht që të realizoj një këngë të re, por akoma nuk e di të saktë se kur mund të dali një këngë e re. Nëpër rrjetet sociale sigurisht që postojmë këngë që i kemi të kënduara, por edhe mbajmë një marrëdhënie me artdashësit, duke mos i lënë që të heqin dorë nga muzika sepse edhe populli sikur është larguar pak nga situata që jemi. Ne nuk kemi më punë me muzikën live, prandaj edhe këto rrjetet sociale të nihmojnë në këtë aspekt. Gjithësesi po e them përsëri duke shpresuar që gjithçka të kthehet në normalitet që edhe ne t’i rikthehemi punës, por edhe njerëzit të kënaqen me atë që ne bëjmë.
CMG: Greta vitin e kaluar ju keni marrë pjesë në një konkurs ndërkombëtar të muzikës klasike. Mund të na tregosh pak për pjesëmarrjen tuaj në këtë event?
Greta Zani: Vitin e kaluar ku u mbyllëm në mars nuk dija se çfarë të bëja në shtëpi sepse ato punët e shtëpisë bëhen brenda tre orësh dhe duke kërkuar në internet faqe të ndryshme më doli një njoftim që zhvillohej një konkurs ndërkombëtar në Itali për muzikën klasike. Ky konkurs kishte kategorinë e fillestarëve dhe atë të profesionistëve. Unë në fakt që kur kam mbaruar klasën e tetë e kam adhuruar muzikën klasike dhe kam konkuruar dy herë në lice, por nuk ka qenë fati që unë të fitoja atëherë dhe e kam dëgjuar gjithmonë muzikën klasike sepse më ka pëlqyer.
Ka qenë një ëndërr, por që ishte fshehur disi në zemër. Ky njoftim më entuziazmoi disi sepse kishte edhe atë limitin e moshës që e kishte pa kufi, sepse zakonisht këto konkurset e muzikës klasike kanë një limit moshe dhe thashë po e provoj dhe po marr pjesë. U regjistrova te faqja e tyre dhe menjëherë më kontaktuan sekretaria e agjencisë që organizonte konkursin. Faktikisht do shkoja në Itali për konkursin por meqenëse u mbyllëm konkursi u organizua online. Ndër 47 konkurentë fillestarë që merrnin pjesë mua më vlerësuan me çmim të parë dhe kjo ishte një surprizë shumë e madhe sepse përveç anës morale të vlerësimit u vlerësova dhe monetarisht. Nuk di ta spjegoj me fjalë se sa mirë jam ndjerë dhe këtu nisi ajo spunto e parë për të menduar pse të mos të vazhdoj edhe diçka tjetër përveç këngës popullore meqenëse dikush tjetër që nuk më njihte fare se kush isha më vlerësoi me këtë çmim dhe thashë unë vlej.
Kështu që vendosa që të konkuroja pas çmimit në Universitetin e Arteve për kanto ku isha një ndër fitueset dhe tani e ndjek akademinë online, por kam përfituar shumë gjëra aty të cilat unë më parë nuk i dija dhe akademia po më ndihmon në profesionin tim. Shpresoj shumë që pavarësisht moshës që unë e kam një karrierë tashmë 28 vjeçare me këngën popullore, planet e mija janë që t’i hyj edhe muzikës klasike dhe shpresoj që një ditë do më shohin dhe në skenat e muzikës klasike.
CMG: Keni gati tre dekada me këngën popullore dhe tani do të nisni një rrugëtim në muzikën klasike. Besoj se kjo nuk do ju shkëpusë nga muzika popullore?
Greta Zani: Unë nga kënga popullore nuk kam se si shkëputem sepse ai është profesioni im tek e fundit dhe muzika popullore tani flen në shpirtin tim dhe nuk ndahem dot. Dëshira është shumë e madhe që muzikën klasike ta këndoj njëherë në skenë.
CMG: Në këto 28 vite karrierë ju keni ruajtur tabanin popullor, duke e interpretuar me profesionalizëm këngën tradicionale.
Greta Zani: Në fakt jo që nuk kam dashur të eksperimentoj dhe dy apo tre këngë ndoshta edhe kam eksperimentuar, por zëri im flen te tabani dhe jo te eksperimenti. Nuk është se nuk mund t’i këndoj këto gjëra eksperimentale që bëjnë, ku disa bëhen edhe hite dhe disa jo, por dua të mbetem ajo që të thonë njerëzit që Greta e ka ruajtur vërtetë siç the edhe ti muzikën tradicionale të Shqipërisë së mesme dhe do vazhdoj me muzikën e tabanit.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj si dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Greta Zani: Në radhë të parë ju uroj të gjithëve që të kenë shëndet, jetë të gjatë dhe sa më shumë suksese dhe arritje në jetën e tyre. Tani jo për t’u lavdëruar por besoj që jam një shembull i mirë në këtë moshë për t’i thënë të tjerëve që ëndërrat që kanë në zemër apo në shpirt nuk është asnjëherë vonë për t’i realizuar.
Intervistoi: Gazmend Agaj