foto nga VCG
Me 823 milionë dollarë të fituara nga shitja e biletave, filmi kinez i shfaqur gjatë Festës së Pranverës "Përshëndetje, mami" e kaloi të martën filmin amerikan “Wonder Woman", duke bërë që regjisorja e tij Jia Ling të zërë vendin e Patty Jenkins-it si regjisorja femër me të ardhurat më të larta për një film të vetëm në mbarë botën.
Sipas statistikave të platformës së shitjes së biletave "Maoyan", në 54 ditë pas premierës më 12 shkurt, filmi “Përshëndetje, mami” zë vendin e dytë për të ardhurat nga biletat e kinemave në Kinë, pas filmit “Wolf Warrior 2” të vitit 2017 që arriti fitime me vlerë 5.69 miliardë juanë. Të dy janë filmat e vetëm kinezë mes 100 filmave me vlerën më të lartë prej shitjes së biletave të kinemave në mbarë botën.
foto nga VCG
"Përshëndetje, mami" është filmi i parë i drejtuar nga aktorja e humorit Jia Ling. Në film Jia Ling, e trishtuar nga vdekja aksidentale e së ëmës Li Huanying, u kthye prapa në kohë në vitin 1982, duke u bërë shoqe e nënës së vet dhe duke u përpjekur për ta bërë jetën e saj sa më të mirë.
Pas shfaqjes, përshtypjet e mira për filmin kaluan gojë më gojë, duke bërë që "Përshëndetje, mami" të triumfojë mbi konkurrentin e vet të fortë, "Detective Chinatown 3", dhe pesë filma të tjera të shfaqur në të njëjtën kohë. "Përshëndetje, mami" zuri vendin e parë për vlerën e biletave të shitura për disa javë, deri në rishfaqjen e filmit amerikan “Avatar” më 12 mars.
Megjithëse përqindja e vendeve në kinema u kufizua nga 50 % deri në 75 % të kapacitetit gjatë kohës së Festës së Pranverës, filmi "Përshëndetje, mami”tërhoqi 120 milion shikues, duke u vlerësuar me notën 8.1 nga maksimalja 10 prej afro 1 milion vetave në platformën e vlerësimit të filmave “Douban”. (Fang Xiaoyu/Artan)