Eliona

Eliona

Këngëtarja me origjinë nga Struga Eliona Qira është lindur dhe rritur në Malmo te Suedisë, aty ku jeton me binjaken e saj dhe prindërit. Që e vogël u rrit duke studiuar piano, kitarë dhe pa diskutim duke shoqëruar meloditë e tyre me zërin e saj. Melodi dhe interpretim krejt origjinal, të cilin e dëgjon, e ridëgjon dhe më pas natyrshëm pyet : Cila është kjo këngëtare?! Mbushesh me shpresë, me një entuziazëm shumë pozitiv kur dëgjon një këngëtare si Eliona, e cila edhe pse jeton mes komercit, varësisë ndaj milionave të klikimeve dhe këngëve që shtohen nga momenti në moment, ajo zgjedh të jetë vetvetja, të këndojë në harmoni të plotë me stilin e saj.

Eliona Qira ka marr pjesë në vitin 2016 në Këngën Magjike me këngën "Më mëso të harroj" të kompozuar nga Adi Hila dhe vargje nga Jorgo Papingji. Në vitin 2020 fitoi çmimin e dytë si edhe disa çmime të tjera në Festivalin “Nota Fest” me këngën “Të harrova”. Ka realizuar disa videoklipe si dhe covera të këngëtarëve të njohur botërorë.

CMG: Përshëndetje Eliona! Mirë se vjen në programin “Muzika shqip” në Radio “Ejani”!

Eliona Qira: Përshëndetje dhe mirë se ju gjej dhe përshëndetje për ju dhe dëgjuesit e programit tuaj!

CMG: Ti jeton në Suedi me familjen ku edhe ke lindur. Si është të bësh muzikë në një vend të huaj?

Eliona Qira: Suedia është vendi i tretë në botë për eksport të muzikës, pas SHBA-së dhe Anglisë, sidomos duke pasur para sysh artistë të mëdhenj suedez si Roxxette, Abba, Avici etj konkurenca për të krijuar muzikë të mirë është shumë e madhe. Për të pasur sukses duhet që kualiteti i muzikës të jetë shumë i lartë, si dhe të merresh vetëm me muzikë.


Eliona në Nota Fest

Eliona në Nota Fest

CMG: Ti Eliona ke fituar çmimin e dytë, por edhe çmime të tjera mbështetëse në festivalin “Nota Fest” në dhjetor të vitit që lamë pas. Si ishte për ty kjo pjesëmarrje?

Eliona Qira: Është një eksperiencë shumë e mirë, në vendin tim muzikor dhe ndjehem shumë mirë që arrita të marr gjithë ato çmime, sidomos vendin e dytë në një festival kaq të çmuar nga publiku shqiptar.

CMG: Kush mendon se ishte çelësi i atij suksesi?

Eliona Qira: Çelësi i suksesit janë shumë faktorë sidomos dua të theksoj përzgjedhjen e këngës, teksti, zëri, performanca, si dhe suportin nga familja ime.

CMG: Ishe ndër pretendentet më të forta për ta fituar trofeun, por me një diferencë të vogël pikësh u pozicionove në vendin e dytë. Si u ndjeve në ato momente?

Eliona Qira: U ndjeva shumë mirë që fitova çmimin e dytë në “Nota fest”.

CMG: Cila ishte këngë e mirë për ty në atë festival?

Eliona Qira: Nuk dua të veçoj ndonjë këngë apo ndonjë artist, pasi çdo këngë kishte të veçantën e vet. Çdo perfomancë e kishte stilin dhe modestinë e vet. Pra, mua më pëlqyen të gjithë.

CMG: A do të të shohim ndonjëherë në skenën e Festivalit të RTSH-së, Eliona?

Eliona Qira: Po, patjetër. Mendoj që vitin e ardhshëm të marr pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar.


GENTIANA & ELIONA QIRA (MOTRA BINJAKE)

GENTIANA & ELIONA QIRA (MOTRA BINJAKE)

CMG: Eliona, në çfarë moshe e nise muzikën?

Eliona Qira:Unë dhe motra ime binjake nisëm rrugën tonë muzikore që në moshën 4 vjeçare, ndoshta dhe pak më parë, duke kënduar e më pas duke luajtur në piano. Ndonjëherë edhe duke bërtitur pranë familjes sime të madhe. Që nga ai moment e ndjeva muzikën si pjesë të pa ndarë të identitetit tim. Më kujtohet edhe kitara ime e parë, të cilën ma bleu xhaxhai im në Strugë. Ishte një natë e bukur vere, unë isha rreth 5 vjeç ku me kitarën që ma bleu xhaxhai, nisa papritmas të këndoj në mes të rrugës, buzë Drinit të zi. Pas pak shoh që rreth meje u mblodhën një grup i madh njerëzish dhe hidhnin para në kapelën time. Këtë mund ta quaj si fillimin e karrierës time muzikore.

CMG: Ti interpreton në piano dhe në kitarë. Cili është instrumenti që do më fort?

Eliona Qira: Në piano kam luajtur që në moshën 4 vjeçare padyshim që do të jetë pianoja. Megjithatë sot do të preferoja kitarën.

CMG: Nga cili person u influencove ti?

Eliona Qira: Meqënëse unë ushtroj muzikën pop, atëherë mund të them se është James Bay dhe mund të them se influencohem shumë. Ajo që më pëlqen më shumë nga ky artist është se është shumë i thjeshtë si në jetën e përditshme dhe kur performon. Kjo është gjëja që më pëlqen më së shumti.

CMG: Si është e përditshmja jote në Suedi?

Eliona Qira: Duke parë situatën me Covid, ditët e mia duken pak më ndryshe në këtë vit të fundit. Shumicën e kohës e harxhoj duke studiuar online në dy Fakultetet e mia. Pjesën tjetër të kohës merrem me muzikë dhe aktivitete të lira, të cilat nuk janë edhe aq shumë.

CMG: Eliona, ku e sheh veten ti pas 10 viteve në aspektin artistik?

Eliona Qira: Shumë projekte që kisha dhe i kam ende, janë në “Star School” . Shpresoj që situata të normalizohet dhe unë të vazhdoj me projektet e mia, që edhe planet e mia të mund të realizohen, që një ditë të mund të përfaqësoj vendin tim Shqipërinë, në Eurovizion.


ELIONA, MOTRA BINJAKE DHE PRINDERIT

ELIONA, MOTRA BINJAKE DHE PRINDERIT

CMG: Cila është kënga që të pëlqen më shumë e që do dëshiroje ta interpretoje “live” në programin “Muzika shqip” këtu në valët e Radio “Ejani”?

Eliona Qira: Për kënaqësinë tuaj dhe të publikut, do të interpretoj një këngë që më pëlqen shumë nga e madhja Vaçe Zela, këngën e njohur “Valsi i lumturisë”.

CMG: Ti ke një motër binjake, e cila e ka filluar muzikën bashkë me ty. A merret sot ajo me muzikë?

Eliona Qira: Unë kam një motër binjake, e cila gjithshtu e ka filluar muzikën bashkë me mua që në moshën 4 vjeçare deri në shkollën e mesme, por interesi i saj mbaroi aty. Megjithatë ajo më ndihmon shumë në karrierën time muzikore, duke luajtur në piano si edhe më shoqëron me zërin e dytë, që e ka të mrekullueshëm. Gjithashtu është edhe menaxherja ime në botën muzikore.

CMG: Do na tregosh pak për kohën kur media suedeze shkruante artikuj gazetash për ty?

Eliona Qira: Pas perfomacës sime te “Kënga Magjike” në vitin 2016, interesi i medias suedeze u bë shumë i madh. Shumë media në Suedi ishin të interesuara për të më takuar dhe të bëhesha pjesë e ndonjë programi muzikor, madje edhe MTV-ja e kishte një artikull për mua, pas publikimit të këngës sime “Good Company”, të cilën e realizova me producentin e njohur amerikan VVAJU.

CMG: Ku e sheh ti të ardhmen tënde?

Eliona Qira: Shqipëria dhe shqiptarët janë frymëzimi im për muzikën. Dëshira ime e madhe është që unë të kem sukses në të dyja vendet pasi muzika shqiptare ka një vend të posaçëm në identitetin tim. Mirëpo në Suedi janë producentët e famshëm botërorë që do të thotë se kualiteti dhe kërkesa e muzikës është shumë më e lartë. Kjo e bën edhe konkurencën shumë më të madhe.

CMG: Cilat janë planet e tua të afërta rreth muzikës?

Eliona Qira: Për fat të keq është gjithçka në Star school, për shkak të situatës e nuk mund të them një plan konkret. Do ju kisha lutur që për këtë pyetje, t’i përgjigjesha pak më vonë.

CMG: Çfarë do të shtoje së fundi?

Eliona Qira: Dua t’i përshëndes të gjithë dëgjuesit e programit Muzika shqip” dhe Radio “Ejani” nga Suedia. Dhe shpresoj të dëgjohemi dhe shihemi sa më shpejt! Stay safe!

Intervistoi: Sava Lena