Eli Fara
Eli Fara është padyshim nga këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar. Është nga ato këngëtare, që edhe pas shumë vitesh në skenë është po aq e freskët dhe po aq energjike sa në fillimet e saj. Ajo është një këngëtare që me zërin e saj ka bërë për vetë të rinjtë e para viteve 90' por edhe të sotmit. E bukur dhe simpatike, pëlqimi që ka publiku për të nuk ka moshë, ashtu si edhe vetë Eli Fara. Ajo e këndon këngën popullore me shumë korrektësi dhe ëmbëlsi, gjë e cila e bën atë të jetë një këngëtare e madhe. Pasi është nga Korça, ajo këndon këngën korçare me shumë krenari.
Eli gjatë karrierës së saj artistike ka realizuar disa albume muzikore dhe ka marrë pjesë në shumë evenimente artistike si brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke u prezantuar denjësisht me muzikën e vërtetë shqiptare. Është fituese e mjaft çmimeve gjatë pjesëmarrjes së saj në festivale të ndryshme muzikore. Në një intervistë të veçantë për Radio Ejani 106 FM, Eli na tregon për aktivitetin e saj artistik, kohën e vështirë të pandemisë, si edhe projektet për të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Eli dhe faleminderit që pranove ftesën për të qenë e ftuar në emisionin Bio Folk në valët e Radio Ejani.
Eli Fara: Përshëndetje Gazi! Kënaqësi gjithashtu edhe për mua, gjithmonë i kam pritur me shumë dashuri intervistat që bëni ju.
CMG: Eli, edhe pse jemi në kohë pandemie ju keni qenë e angazhuar në disa spektakle muzikore televizive, ku më i fundit ka qenë “Këngë moj”, ku jeni paraqitur si gjithmonë me prezencën tuaj unike në skenë, por dhe me këngët e bukura popullore. Si jeni ndjerë në këtë spektakël?
Eli Fara: Tani siç dihet ne artistët kemi qenë të privuar për të qenë afër me publikun, koncertet dhe aktivitetet janë pezulluar. Kështu që u bë shumë mirë për të gjithë këngëtarët që u realizua një spektakël muzikor në televizion. Unë e kam pritur me shumë kënaqësi ftesën e stafit “Këngë moj” që janë Bledi, Pandi dhe Adi, dhe jam ndjerë shumë mirë sidomos te nata e këngëve të kurbetit.
Janë ato këngët e vajit për të cilat unë kam lindur dhe e gjej veten shumë. E gjej veten në ato këngë duke përmendur edhe muzikën, muzikantët sepse ne kemi muzikantë të shkëlqyer që janë virtuozë, klarinetisti virtuoz që erdhi nga Korça Zhani Struga që më shoqëroi, lahuta që është një instrument jashtëzakonisht i dashur për mua dhe për këngët e mia dhe i gjithë grupi që na ka shoqëruar në këto netë. Ndjeva mjaft kënaqësi, nostalgji dhe shyqyr që bëhen gjëra të tilla të paktën publiku t’i marrë nëpërmjet televizioneve apo radiove aktivitetet tona.
Eli Fara ne Interviste per CMG.
CMG: Sa ju ka munguar publiku në skenë si dhe në koncertet gjatë këtij viti të pandemisë, duke ditur që ju jeni nga këngëtaret e kërkuara në gjithë botën për koncerte. Ndoshta edhe udhëtimet ju kanë munguar gjatë kësaj periudhe?
Eli Fara: Absolutisht po, sigurisht që jo vetëm mua por të gjithë artistëve besoj që ju mungon publiku sepse është emocion tjetër kur ke publikun përpara dhe të duartroket, të takojnë me mall, fotografohen dhe mbeten në memorien e tyre, por dhe tonën gjithashtu. Por tek e fundit shëndeti, sepse në këtë fazë nuk ka asgjë tjetër të rëndësishme përveç shëndetit dhe të jemi mirë të gjithë.
CMG: Kur të mbarojë pandemia, cila është gjëja e parë që do të kishe dëshirë të bëje?
Eli Fara: Kur të përfundojë pres menjeherë të udhëtoj sepse kërkesat janë të shumta dhe planifikohen që do të kemi koncerte, por varet se kur. Kështu që sa po të përfundojë pandemia do fillojmë aktivitetet tona, sigurisht që na ka marrë malli të udhëtojmë e të kapim avionët dhe të bëjmë gati valixhet, pavarësisht se janë shumë të lodhshme por nga ana tjetër është kënaqësia që i vendos kapakun pastaj me koncertin, interpertimin dhe publikun.
CMG: Ju Eli jeni ndër këngëtaret që nuk keni ndaluar së prodhuari këngë, pra keni pasur produksione të reja të këngëve popullore, por edhe muzikë të lehtë.
Eli Fara: Mendoj se kurrë nuk kam ndaluar së eksploruari brenda vetes time. Sigurisht që folku është në gjakun tim, në shpirtin tim, por duke u formuar me kalimin e viteve ke të tjera ndjesi dhe emocione të cilat do t’i shprehësh dhe në forma të ndryshme muzikore. Këto këngët e fundit që janë bërë të gjitha hite më kanë plotësuar goxha. Këngët janë bërë shumë të njohura dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për artistin kur këngët e reja i këndojnë në publik, kur jep një koncert apo dhe në evente private, të gjithë i këndojnë në këmbë këngët dhe kjo do të thotë se kam bërë gjetjen e duhur, së bashku me Adrian Hilën.
Kam edhe një duet me Kastriot Tushën ku muzikën e kemi bërë vetë dhe ajo ka dalë shumë e bukur dhe shumë e pëlqyer nga publiku. Bashkëpunimi tjetër me Revolt Klan, këngë të cilën e këndojnë të gjithë, bashkëpunim me Aurela Gaçen “Zemra rratatata”. Unë në bashkëpunimin me Aurelën mendoj që kam qenë Eli Fara, goxha me nota folku.
Eli Fara
CMG: Me Aurelën ju jeni shoqe dhe kolege prej shumë vitesh, pse erdhi kaq vonë ky bashkëpunim ?
Eli Fara: Gjithçka pret momentin e vet, ishte momenti i duhur që çohen te Kënga Magjike, ku është një skenë gjigante dhe të shkëlqenim. Gjithësesi ne po mendojmë një tjetër bashkëpunim që do jetë baladë sepse gjithë këto vite që kemi folur se do ta bëjmë një gjë bashkë dhe mendimi ishte për baladë. Ne bëmë një gjë shumë të bukur për publikun, por tani do të bëjmë një gjë shumë të bukur për publikun, por edhe shumë shpirtërore për ne.
CMG: Para pak javësh ju ishit e ftuar speciale te premiera e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në këtë aktivitet ju ishit e veshur edhe me kostumin e bukur popullor.
Eli Fara: U kënaqa, ishte një nostalgji edhe pjesmarrja aty ku mu kujtuan vitet 88-89, saundi i atyre viteve, trajtimi i atyre viteve me këngën popullore folklorike, kostumi popullor shumë i bukur dhe u ndjeva si atëhere, kur isha 20 vjeç.
CMG: Tashmë dihet se shumë vajza mbajnë emrin dhe mbiemrin tuaj dhe mendoj se kjo ka ardhur nga adhurimi i madh i prindërve të tyre për ju në ato vite. Si ndjeheni për këtë gjë?
Eli Fara: Është një gjë shumë e bukur kur ndodh diçka e tillë. Sigurisht që është kënaqësi të jesh e adhuruar deri në atë pikë nga njerëzit, nuk ka kënaqësi më të madhe. Unë në vitin 1989 kam qenë në Fier në një koncert dhe kështu ka nisur dhe u zbulua që ka dhe emra të tjerë Eli Fara dhe një çift më vjen dhe thotë të adhurojmë pafund dhe ngaqë të adhurojmë kemi lindur vajzë e cila është një muajshe dhe i kemi vendosur emrin Eli Fara. Unë mbeta njëherë kështu dhe thashë çfarë thotë, ai më tha emrin ja kemi vënë Eli Fara dhe mbiemrin e kemi Bushi sepse Eli ka shumë, por ne donim emrin dhe mbiemrin tuaj. Nuk e mora shumë seriozisht por u kënaqa dhe ju thashë faleminderit dhe ika, por më mbeti në kujtesë. Më vonë pastaj kur e kam treguar është zbuluar që janë shtatë emra Eli Fara. Një vajzë e kam parë në Angli sepse ka qenë në koncert, por që këto vajza tani janë 30 vjeçare dhe ndoshta janë edhe me fëmijë, kështu që është shumë kënaqësi.
Eli Fara
CMG: Ndoshta ka ardhur momenti që të realizoni një koncert recital tuajin në Pallatin e Kongreseve, apo diku tjetër për të kënaqur gjithë publikun?
Eli Fara: Patjetër që po, ka kohë që unë mendohem që të bëj një koncert me vegla akustike, të jenë vegla live popullore dhe ta zë që nga ato këngët e para me iso, akapel, pra të gjitha këngët e vjetra t’i risjell. Unë shpresoj se do të realizohet.
CMG: Eli ju interpretoni me mjeshtëri të lartë artistike si këngët popullore ashtu dhe serenatat korçare. Ju vetë kë doni më tepër te këto dy zhanre muzikore?
Eli Fara: Tani gjithë këngët dhe gjërat që bën një artist janë si puna e fëmijëve, nuk mund të thuash që do të madhin më shumë, apo të voglin, të gjitha janë një dashuri më vete.
Unë jam natyrë që e përjetoj edhe fazën kur krijohet një këngë, e përjetoj në detaje, në tekst, në çdo fjalë në çdo tingull, më vjen natën dhe më vijnë lulet vetë ku një ditë e këndoj ndryshe dhe të nesërmen ndryshe. Lindin pa vetëdije dhe më duket si periudha më e bukur kur krijoj.
Eli Fara dhe vajza e saj Marina
CMG: Me vajzën tuaj Marinën jeni si dy shoqe të mira, jeni gjithmonë bashkë apo nganjëherë dhe të ndara?
Eli Fara: Tani për këtë gjë nganjëherë më vjen shumë keq, që nuk kam qenë afër Marinës gjithmonë, për shkak të udhëtimeve të gjata e koncerteve dhe herë pas here kam qenë larg. E kam një lloj pengu që nuk e kam shijuar sa duhet Marinën dhe anasjelltas Marina nuk më ka shijuar kaq sa duhet. Por rëndësi ka që ne jemi mirë, ajo është rritur dhe është pjekur tani. Si shoqe nuk e them unë në fakt por gjithmonë i rri asaj nënë e bjë. Ajo mbetet gjithmonë fëmijë për mua.
CMG: Keni ndonjë projekt tjetër të veçantë, që do ta sillni së shpejti për publikun?
Eli Fara: Kam ndërmend dhe shpresoj ta realizoj një projekt shumë të veçantë në fakt me këngë shumë të bukura të vjetra të gjuhës vllahe të origjinës time. Unë në fakt kam qenë e ftuar nga komuniteti vlleh në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku realizohet çdo vit festivali i këngës vllehe me krijime të reja dhe të vjetra. Isha atje si e ftuar speciale dhe mora një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe dhe më shkoi mendja pse të mos i risjell ato këngë edhe për komunitetin vlleh këtu në Shqipëri, apo kudo ndodhen në Ballkan, sepse janë shumë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani
Eli Fara: I përshëndes të gjithë dhe ju uroj vetëm shëndet në familjet e tyre, për njerëzit e dashur kudo që i kanë dhe pastaj çdo gjë do Zoti normalizohet dhe mos të kemi ankthin dhe stresin që kemi kaluar të gjithë bashkë.
CMG: Faleminderit shumë dhe ju uroj shëndet e suksese!
Eli Fara: Faleminderit Gazi, shumë kënaqësi!
Intervistoi: Gazmend Agaj