Një spektakël i ri i humorit i është shtuar ekraneve shqiptare gjatë këtij sezoni. Kanali ABC, dy javë më parë, startoi një show, që qysh në javët e para, premtoi plot risi në skenën e humorit shqiptar.
“Kosherja” lindi si një projekt ambicioz, duke refuzuar ta pranojë kompleksin me të cilin u përballën të gjithë të ngjashmit që lindën pas Portokallisë nëpër ekrane të tjera. Lindi nga një regjisor që pas 17 vitesh, e pa veten jashtë krijesës artistike që ai vetë krijoi, por që nuk i mungon guximi për të nisur një projekt nga e para, pa marrë asgjë nga e shkuara, veç eksperiencës së krijuar në vite.
Regjisori Altin Basha, është shumë optimist për krijesën e tij të re, të cilën e sjell me një formë dhe frymë të ndryshme dhe me një titull mjaft ngacmues, “Kosherja”.
“Padyshim që kam nisur nga fillimi, kam nisur nga ai momenti i andrenalinës kur ke pasiguri të vogla, kur ke dëshirë të madhe, kur ke pasion dhe të them të drejtën jam ndier i mbushur me energji. Jam shumë optimist për projektin.
Dita ditës po i bashkohen aktorë të Teatrit Kombëtar edhe më gjerë. Natyrisht që në mënyrë graduale emrat do të zbulohen dhe do të shikoni që do të krijohet një trupë, do të krijohet një skuadër, e cila në kolorin e spektakleve të humorit në Shqipëri, do të dallohet dhe do të bëjë diferencën. Eshtë një grup me të rinj, edhe skenaristët janë të rinj, edhe asistentët, edhe producentët janë njerëz të rinj, të cilët po sjellin shumë energji.
Projekti i ri më ka mbushur me një lloj energjie që prej kohe nuk e kisha ndjerë. Zbulimi, rizbulimi i formave të reja të humorit, dalja në treg me diçka të veçantë, gjetja e personazheve, gjetja e subjekteve, që ka qenë në fakt gjithnjë një nga pikat e mia të forta, ndërtimi i një skuadre, është një proces i gjithi, i cili më kishte munguar shumë prej kohësh dhe jam realisht shumë entuziast”.
Të gjithë e dimë sesa e vështirë është të krijosh një spektakël humori të përjavshëm dhe të bësh njerëzit të qeshin, pa u bërë vulgar. Portokallia për shumë vite arriti të ishte në majë dhe të mbante një lloj ekuilibri në raport me cilësinë. Por jo përherë kjo gjë ishte e lehtë. Në një shoqëri ku njerëzit diskutojnë vlerat, edhe humori bëhet i diskutueshëm.
Me spektaklin e ri Kosherja, regjisori Altin Basha dhe stafi i krijuar prej tij, po synon të sjellë një formë të re të spektaklit të humorit, një variete kabare, me disa specifika që lidhen me dinamikën e spektaklit, ku zë vend të veçantë satira politike, tema apo personazhe të reja, të cilët i japin frymëmarrje Kosheres së humorit. Një zhvillim i ndryshëm, një lloj transformimi i mënyrës se si perceptohet humori dhe se si bëhet humori në Shqipëri.
Në dukje e mbushur me spektakle humori, fundjavat në aspektin strukturor dukej sikur nuk kishin vend për një tjetër të këtij lloji.
Por një sy i vëmendshëm i ekraneve vëren se minutazhi aktual i humorit te fundjaves ka shume konsum dhe shume pak për të qeshur.
Pikerisht për faktin se paraardhesit e tij duket se jane lodhur nga personazhet përseritës që nuk sjellin më të papritura, nga skenarët e cunguar të cilët sforcohen të sjelin humor duke shkuar madje jo rrallë herë deri në vulgaritet, sfida e këtij spektakli humori është që të sjellë personazhe të reja, origjinale dhe jashtë vulgariteteve.
“Ky është synimi ynë në fakt, një reformim i asaj tradite që është krijuar gjithë këto vjet. Ka shumë premisa për të parë një spektakël shumë të veçantë humori, të ndryshëm dhe rinor”, thotë Basha.
Si një hapësirë lirie dhe qytetare, për tu përdorur në të mirë të shoqërisë shqiptare
Realizimi i këtij synimi ka marrë rrugën e mbarë. Në dy puntatat e para të transmetuara të dielën në mbrëmje në të njëjtën orë me spektaklin historik “Portokalli”, “Kosherja” e re ia ka dalë të tërheqë vëmëndje. Suksesi i parë qëndron tek përzedhja e aktorëve, shumica të rinj, të panjohur për publikun, të pakonsumuar, të talentuar dhe plot të papritura humori. Personazhe dhe situata humori të pasforcuar, që burojnë nga jeta reale dhe që vijnë po kaq të vërtetë nga një kast konkurrues aktorësh të rinj. Emrave të tyre i shtohen edhe aktorë të njohur të Teatrit Kombëtar, që ndonëse i kemi hasur në skena drame, sa i takon humorit, përbëjnë një risi, si Olta Daku, Eriona Kakeli dhe Besmir Bitraku, madje kemi parë të aktrojë edhe një fëmijë.
I vetmi personazh i mbartur nga e shkuara është Besmir Kallaku, i cili drejton spektaklin në krah të blogeres Jona Spahiu. Eshtë shumë interesante t’i shohësh ata të aktrojnë kabaret me cilësi shumë të lartë.
Ky projekt është një rikthim Altin Bashës si autor dhe i regjisorit Elton Papuçiu, të cilët realizuan një spektakël të guximshëm, ku satira politike therrëse nuk kurseu asnjë parti apo udhëheqës.
Një gjë është e sigurtë se e diela do të jetë relaksuese, me nota humori para ekranit të ABC-së. Do të jetë e ëmbël si mjalti, pickuese si blera, të gjitha bashkë do t’i ketë aty.
Neritana Kraja