Bujar Qamili në skenë
Bujar Qamili është këngëtar shumë i njohur i muzikës popullore shqiptare, kryesisht asaj shkodrane. Mes shumë çmimesh e vlerësimesh ndër vite, ai mban titullin “Mjeshtër i Madh” e nëpërmjet krijimtarisë artistike ka dhënë një kontribut të madh në artin shqiptar, në veçanti folklorin muzikor me këngë popullore. Mund të thuhet me plot gojën se me zërin e Bujar Qamilit janë rritur breza e se kënga shkodrane identifikohet me zërin dhe figurën e tashmë prej më shumë se 40 vitesh. I angazhuar në koncerte në të katër anët e botës, afër publikut që e do dhe e ndjek me fanatizëm, Bujari ka bërë për vete shumë artëdashës të të gjitha moshave. Çmimet që Bujar Qamili ka fituar gjatë karrieres së tij të gjatë artistike janë shumë, por si më të rëndësishmit dhe që vlejnë të theksohen janë çmim i parë në Festivalin e Këngës Shkodrane, çmim të dytë në “Mbrëmje të Muzikës Popullore”, çmim të tretë tek spektakli “12 në Hollivud”, çmim të parë tek “Maratona e Këngës Popullore Shqiptare”, çmim të parë tek “Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare” në Elbasan. Ka fituar edhe Diskun e Artë të Këngës Popullore Shqiptare si dhe çmimin e publikut nga Festivali “Folk Univers”. Për kontributin në muzikë ka marrë titullin më të lartë që i jepet një këngëtari, “Këngëtar i Urdhërit, Naim Frashëri i Artë”. Në një intervistë ekskluzive për emisionin Bio Folk në Radio Ejani ai na tregon rreth karrierës artistike, kohën e vështirë të pandemisë si dhe projektet në të ardhmen.
Bujar Qamili
CMG: Z.Qamili ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk.
Bujar Qamili: Unë ju falenderoj shumë sinqerisht me gjithë zemër për ftesën që më bëtë dhe gjatë kësaj interviste për emisionin Bio Folk në Radio Ejani do ju tregoj për aktivitetin dhe karrierën time artistike.
CMG: Ju jeni ndër këngëtarët e muzikës popullore që keni shkëlqyer në çdo kohë duke pasur mjaft adhurues. Si ka ardhur ky sukses i madh i juaji gjatë viteve të karrierës?
Bujar Qamili: Të them të drejtën sukseset e mia kanë qenë gjithmonë në rritje, duke filluar që në fillimet e para të jetës time artistike të viteve 1977-78 kur unë këndoja për herë të parë me klubin e rinisë dhe pastaj në qendrën kulturore të shtëpisë së kulturës dhe më pas të estradës profesioniste të qytetit për 12 vite me radhë kanë bërë që unë të jem strikt në këngën popullore shkodrane, por pse jo dhe atë shqiptare. Prandaj më pëlqen emisioni juaj Bio Folk, sepse nuk harron që të bëjë aktivitete të tilla siç është edhe emisioni ynë, që muzika popullore të mos harrohet asnjëherë.
Unë gjithmonë kam qenë në rritje të sukseseve, duke filluar këtu me aktivitetet e mia të cilat kanë qenë shumë të rëmndësishme gjatë viteve 85, 87 dhe 89 me orkestrën e madhe të RTSH-së. Por nuk ka qenë vetëm kjo rritja e karrierës sime atistike, kanë qenë edhe koncerte të tjera si koncertet e bamirësisë që unë kam dhënë në Lecco të Italisë për një fëmijë 6 vjeçar, ku të gjitha të ardhurat kaluan për fëmijën. Gjithashtu kam dhënë dhe një koncert dhe kontribut në veshmbathje për Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.
Koncertet e mia në Pallatin e Kongreseve kanë qenë tepër të suksesshme dhe unë jam munduar gjithmonë që ta këndoj këngën popullore shkodrane pastër, bukur ashtu siç është dhe vetë ajo pa deformime dhe pa prishje të teksteve, por duke e kënduar atë me origjinalitet. Gjithashtu ajo që ka qënë më kryesorja është se unë kam punuar me instrumentistët më të mirë si Nazmi Lizhi dhe Luan Borova, të cilët janë dy fizarmoniçistët dhe muzikantët më të mirë të Shkodrës, por pse jo dhe të Shqipërisë. të cilët i kam pasur në krah dhe në sajë të përvojës së tyre unë jam ai që sot jam këtu.
Gjithmonë preferenca ime ka qenë kënga popullore shkodrane, që unë në koncertet më dinjitoze dhe festivalet më prestigjoze të paraqitem me këngë shkodrane, ashtu siç jam paraqitur dhe kam fituar shumë çmime.
Si vlerësim i gjithë këtyre çmimeve unë jam vlerësuar nga presidentët e Republikës në vitin 2001 me urdhërin Naim Frashëri të Artë nga ish Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani dhe në vitin 2010 nga ish Presidenti Bamir Topi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Unë gëzoj një respekt dhe reputacion sidomos në qytetin tim të Shkodrës ku Bashkia e Shkodrës më ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”.
CMG: Kemi një vit që jemi në kohë pandemie dhe aktivitetet artistike janë pezulluar. Sa ka ndikuar kjo periudhë e vështirë në jetën tuaj artistike?
Bujar Qamili: Kjo ka qënë një periudhë jashtëzakonisht e keqe dhe nuk na e merrte mendja asnjërit dhe sidomos ne artistëve që do të vinte kjo kohë dhe do të kalonte një vit pa kapur mikrofonin me dorë. Kjo na ka penguar jashtë mase për shumë gjëra, së pari në ushtrimin profesional të cilin ne tani nuk po këndojmë absolutisht në asnjë ambient, qofshin këto në skenë apo në ambiente familjare dhe së dyti kuptohet edhe gjendja ekonomike të cliën kjo pandemi jo vetëm ne artistëve, por edhe bizneset i ka penguar shumë.
Faktikisht siç e kam shprehur dhe herë të tjera djali im muzikant, i cili Akademinë e arteve dhe është pedagog në shkollën e muzikës, kështu që e kemi një kitare në shtëpi dhe ulemi sa here, duke kujtuar të gjithë repertorin e këngëve të mia, të cilat kam pothuajse një vit që nuk i këndoj. Unë besoj te i madhi Zot që kjo pandemi të ikë sa më shpejt që ne artistët të ngjitemi në skenë dhe t’i japim publikut atë të cilën ka kohë që pret, por edhe për të gjithë të tjerët që të vazhdojnë jetën normale.
Bujar Qamili, koncert gjate karantines ne qytetin e Shkodres
CMG: Gjatë kohës së karantinës totale para një viti ju keni dhënë koncert për publikun në Shkodër, duke shijuar këngët tuaja nga ballkonet. Çfarë emocionesh keni përjetuar në ato momente të vështira për ta?
Bujar Qamili: Gjatë karrierës time artistike unë kam dhënë shumë koncerte recitale, 4 në qytetin e Shkodrës dhe 3 në Pallatin e Kongreseve ku salla ka qenë e mbushur plot. Para një viti unë së bashku me dy shokët e mi Ramazan Çeka dhe Edmond Ndoji menduam për një koncert të cilin nuk e kishte bërë deri në ato momente asnjeri.
Mendova që publikut tim shkodran t’i jap një koncert duke marë dhe ndihmën e madhe të drejtorit të policisë së Shkodrës dhe kryetares së bashkisë për vendin ku do të jepej ky koncert. Ata më siguruan që ta jap koncertin në një nga sheshet më kryesore të qytetit të Shkodrës, siç është Parruca. Vendosëm të krijonim një skënë në mes të qytetit për koncertin tim, i cili u prezantua nga gazetari i mirënjohur Bepin Kolvata. Në orën 18.00 unë u ngjita në skenë për të performuar repertorin e bukur të këngëve shkodrane. Dua të theksoj se edhe në këto moment që unë flas ndjej një emocion të jashtëzakonshëm, të cilin nuk e kisha provuar ndonjëherë në jetën time që të këndoja mbi një orë duke mos pasur asnjë spektator përpara, por kisha spektatorët me një zemër të madhe shkodrane, të cilët kishin mbushur ballkonet dhe dritaret e tyre duke më ndjekur dhe duartrokitur më shumë sesa në sallë. Prandaj ishte një kënaqësi e madhe të cilën nuk do ta harroj kurrë në jetën time artistike. Kjo ka hyrë si një nga evenimentet më të rëndësishme artistike në jetën time dhe kur unë e shikoj ndonjëherë më krijon një emocion tepër madh. Nuk kishte gjë më të bukur sesa kur unë hiqja mikrofonin dhe njerëzit këndonin nëpër ballkone. Për këtë event dua të falenderoj edhe drejtorin e televizionit TV1 Channel në Shkodër Edmond Ndoji, i cili i krijoi të gjitha mundësitë që mos të kemi asnjë problem teknik. Unë jam ndjerë tepër i emocionuar dhe kjo më ka emocionuar më mbrapa kur kam marrë të gjitha vlerësimet e njerëzve dhe kam marrë direkt vlerësimin nga Presidenti i Republikës Z.Ilir Meta për atë koncert që unë dhashë në shesh duke kënaqur të gjithë njerëzit që kishin dalë nëpër ballkone dhe dritare.
Bujar Qamili gjate ne koncerti.
CMG: Sa ju ka munguar publiku gjatë kësaj periudhe duke ditur se ju keni qenë në aktivitet të ngjeshur si në Shqipëri ashtu edhe nëpër botë?
Bujar Qamili: Bashkë me publikun më mungojnë koncertet, kuptohet se kur të mungojnë koncertet të mungon edhe publiku. Jemi në një situatë tepër të ngjeshur prej pandemisë dhe duhet të ruhemi sa më shumë dhe këtë jua them të gjithëve se duhet të kenë shumë kujdes. Faktikisht unë jam ndër këngëtarët shqiptarë, nuk po them i pari as i dyti, por e di me siguri të plotë që jam ndër ato këngëtarët që kam pasur aktivitetet më të shumta se shumë të tjerë.
Kjo pandemia na ka penguar dhe besoj se do ta kalojmë shumë shpejt këtë periudhë. Aktivitetet e mia kanë qenë të ngjeshura, kam anuluar shumë koncerte dhe një nga aktivitetet më të rëndësishmet të miat që është anuluar ka qenë pjesëmarrja në Festivalin Ballkanik në Belgjikë në të cilin unë do të përfaqësoja Shqipërinë me 5 instrumentistët e mi. Përveç kësaj kanë qenë shumë koncerte të tjera të cilat ne i kishim vendosur në listë siç kanë qenë Italia, koncertet në Francë, Belgjikë, Greqi, Ulqin dhe shumë shtete të tjera.
CMG: Bashkëpunimet tuaja me Luana Vjollcën dhe Mateus Frokun kanë qenë tepër të suksesshme. Keni në plan ndonjë bashkëpunim me ndonjë këngëtar tjetër?
Bujar Qamili: Çdo gjë që vjen për të mirë nuk është keq që t’i shtohet biografisë time artistike. Të tillë kanë qenë edhe dueti me Luana Vjollcën dhe Mateus Frrokun. Kënga me Mateus Frrokun “Rrak tak zemra m’bani” ka qenë një duet me të vërtetë i pëlqyeshëm dhe është pritur shumë mirë nga të gjitha grupmoshat. Përsa i përket duetit tjetër me Luanën ishte një gjetje relativisht me përmasa profesionale e Luanës e cila dha mendimin për të bërë një duet me një këngë të cilën unë e kisha në repertorin tim, por erdhi si një këngë e re, me një orkestracion të ri dhe me dy vokale të regjistruara për herë të parë. Kënga doli shumë bukur duke pasur reagim tepër efikas në publik dhe ishte një nga këngët më të klikuara në YouTube. Unë i falenderoj të dy këngëtarët për performancën e tyre të bukur që dhanë në këto dy këngë dhe besoj të kem përsëri bashkëpunime të tjera me të dy, por edhe me këngëtarë të tjerë të cilët unë nuk i kam refuzuar asnjëherë, sepse jam këngëtar që kam dalë nga gjiri i popullit, prandaj dua shumë që dhe këngëtarët e rinj që vijnë të mundohem t’i respektoj.
Bujar Qamili me kostum popullor
CMG: T’ju pyes për dy artistë të mëdhenj të këngës popullore shkodrane, Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, të cilët janë ndarë nga jeta. Cili është vlerësimi juaj për këto dy ikona të këngës shkodrane?
Bujar Qamili: Të them të drejtën vetë pyetja juaj për këta dy artista të cilët ju i cilësoni të mëdhenj, them se nuk ka nevojë shumë për koment. Të flasësh për të madhin e jares shkodrane, atë që mbetet i papërsëritshmi Bik Ndoja si dhe këngëtarin popullor Shyqyri Alushi me repertorin e tij të bukur sidomos të ahengut shkodran, janë të papërsëritshëm. Megjithatë unë do të them dy fjalë, si Bikun ashtu edhe Shyqin unë i kam arrit në një moshë të re, mosha ime ka qenë 17- 18 vjeç kur Biku dhe Shyqi kanë qenë në kulmin e karrierës së tyre artistike dhe punonin të dy si profesionistë në Teatrin Migjeni. Të them të drejtën emocionet e mia kanë qenë tepër të mëdha kur unë shikoja në skenë Bik Ndojën dhe Shyqyri Alushin, të cilët ishin dy kolosët e këngës popullore shkodrane. Prandaj unë them që jam rritur në një brez të mirë artistësh dhe kam pasur se çfarë të mësoj nga këto dy artistë të mëdhenj, të cilët kishin një korrektësi jashtëzakonisht të madhe në repertorin e këngës shkodrane, në veshjet e tyre kur dilnin në skenë, në oraret e tyre në teatër. Ata kanë qenë dy artistë të cilët janë vlerësuar jo vetëm nga publiku, por edhe nga shteti. Megjithatë ajo që ka qenë më kryesorja është sepse kanë qenë dy mjeshtra të këngës dhe dy njerëz të mirë dhe të edukuar. Unë nuk mund të them ndonjë gjë më tepër por veç të ecim në rrugën e tyre, që e lanë hapur jo vetëm për mua por për çdo këngëtar lanë këngët e tyre të cilave ne duhet t’i përkushtohemi duke i mbajtur sa më lart.
Ajo që është më kryesorja kam kohë që mendoj dhe janë dy dëshira të miat, së pari duke i kërkuar kryetares së Bashkisë së Shkodrës një vend me pak metra katrorë që t’u bëhet një bust të dy këtyre kolosëve të muzikës popullore shkodrane qoftë nëpërmjet edhe të ardhurave të mia. Së dyti po përgatis dy koncerte radhazi, njërin për të madhin Bik Ndoja me repertorin e jareve të tij dhe të dytin për Shyqyri Alushin me këngët popullore ritmike të cilat dëgjohen shumë nëpër shtëpitë tona shkodrane.
CMG: Së fundi një mesazh urimi nga Bujar Qamili për të gjithë dëgjuesit e radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Bujar Qamili: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk dhe ju falenderoj shumë për këtë bisedë të këndshme dhe do të jem përsëri në dispozicionin tuaj sa herë që të kërkohet një mendim nga unë për biografinë time artistike, për këngën popullore shkodrane, pse jo dhe atë shqiptare. Ju faleminderit!
Intervistoi: Gazmend Agaj