Ceremonia e 63-të vjetore e Çmimeve "Grammy" u mbajt në dhe përreth "Convention Center" në Los Anxhelos më 14 mars 2021. Këngëtarja dhe reperja Megan Thee Stallion fitoi çmimin "Artisti i ri më i mirë", duke mbyllur vitin e saj të posaçëm gjatë të cilit bashkëpunoi me superyjet Beyoncé dhe Cardi B.
Në veprimtarinë kryesore të dhënies së çmimeve të industrisë muzikore, që sivjet u zhvillua të kushtet e distancimit shoqëror, Megan Thee Stallion fitoi dy trofe. Përveç "Artisti i ri më i mirë", ajo ndau me mbretëreshën e muzikës pop Beyoncé çmimin për interpretimin më të mirë në muzikën rep, për "Savage Remix" të publikuar në "TikTok".
Beyoncé, e cila ishte edhe pretendentja kryesore e mbrëmjes me nëntë nominime, fitoi gjithashtu çmimin e videos më të mirë muzikore me "Brown Skin Girl", duke e ndarë çmimin me të bijën Blue Ivy Carter, që në moshën nëntë vjeç, bëhet fituesja e dyte më e re e një çmimi "Grammy".
Nominimet e tjera të Beyoncé përfshijnë këngën dhe diskun më të mirë të vitit, interpretimin më të mirë R&B dhe këngën më të mirë rep. Ajo vendosi një rekord të ri në "Grammy" me fitoren e saj të 28-të.
Edhe këngëtarja dhe krijuesja e këngëve Taylor Swift gjithashtu bëri histori në ceremoni, duke u bërë artistja e parë femër që fiton çmimin e albumit më të mirë të vitit tre herë.