Solisti i grupit muzikor “NA”, pjesëmarrës në disa festivale si ai i Rtsh-së, Top Fest, Zhurma Show për rreth dy dekada ka realizuar shumë këngë dhe videoklipe me këtë grup muzikor, por ajo që është më e rëndësishme dhe ka spikatur është talenti i tij. Notat e larta vokale kur ai interpreton me qetësinë që e karakterizon, kanë bërë për vete shumë ndjekës të rrymës rock, të cilët nuk kanë munguar gjatë netëve të këndimit live. Ai e filloi aktivitetin muzikor në zhanrin e muzikës rock në fillim të vitit të 1999 në Gjakovë. Grupi u krijua nga Kreshnik Koshi dhe Bekim Kepuska. Sot ai vjen si solist me prezantimin e një kënge të re me titull “Flas me vete”.
CMG: Përshëndetje dhe mirëserdhe në “Muzika shqip” Kreshnik Koshi!
Kreshnik Koshi: Përshëndetje, mirë se ju gjeta Sava!
CMG: Ti vjen këtë herë vetëm, pa grupin “NA” me një këngë ndryshe nga sa jemi mësuar të të dëgjojmë. Na trego pak për këngën “Flas me vete”
Kreshnik Koshi: Këtë këngë e kam realizuar që në vitin ‘98 pra kanë kaluar mbi 20 vite. Tani që mu dha mundësia ta ripërpunoj, i shtova dhe nje strofë të re dhe e realizova në studion e Enis Mullajt. Mendova se tani ishte momenti për ta publikuar këngën, me apo pa grupin.
Në periudhën kur fillova të mësoja akordet e para fillova të shkruaj dhe tekste. Ndërkohë ndiqja shumë Beatles dhe imagjinoja diçka që nuk e kisha përjetuar asnjëherë. Atëherë nuk e dija çfarë ishte alkooli, pija vetëm limonata. Por teksti i këngës së shkruar 20 vite më parë thotë: “Isha i dehur, me lot në sy, kur ti më thoje, kur do të këndosh vetëm për mua"?!
Unë në atë kohë nuk kisha as të dashur. Strofa tjetër thotë: “Ne prapë u takuam”, dmth u takova me vetveten, pra koha që shkoi dhe kjo që po jetoj tani. Gjithçka po jetoj e kam imagjinuar që në adoleshencë.
CMG: Të ka frymëzuar periudha e pushimit të gjatë në pandemi për të shkruar muzikë?
Kreshnik Koshi: Kjo është më e mirë për artin. Kjo është si puna e luftës pasi edhe në luftëra njeriu frymëzohet.
CMG: Ke këngë të tjera të cilat i ke punuar më herët dhe nuk i ke bërë publike?
Kreshnik Koshi: Tani gjatë pandemisë kam bërë disa këngë të tjera të cilat janë në formë demo, por po të më jepet mundësia për ta punuar në studio dhe videoklipin gjithashtu, sa më shpejt mendoj ta publikoj dhe një këngë të re.
CMG: Sa e vështirë është të mbash një grup muzikor?
Kreshnik Koshi: E vështirë është, puna e grupit është si një familje. Filloi me miq e shokë në formë shoqërore, nuk menduam për interes që në fillim, por me kalimin e kohës gjithçka devijon, pasi mund të përballesh me probleme të shumta me të cilat nuk pajtohesh dot, sidomos ne shqiptarët dy koka bashkë është e vështirë me i bo. Grupin e mban interesi, sa më i madh është interesi brenda grupit, aq më shumë mund të zgjasë.
CMG: Ishte pandemia, kriza ekonomike që i zbehu 20 vite të Grupit “NA”?
Kreshnik Koshi: Kriza ekonomike qëndronte edhe para pandemisë, rrjetet sociale kanë ndikuar shumë, mënyra e jetesës e vështirë. Të mbijetosh si grup prej katër personash, unë e shoh që shumë grupe nuk kanë mundur të funksionojnë, pavarësisht dëshirës dhe pasionit.
Kam përshtypjen se në të ardhmen do ndryshojë dhe mënyra e të bërit muzikë. Artistët kanë filluar të merren me projekte ose me punë të tjera se për momentin është e pamundur për të funksionuar, pasi secili duhet të mbijetojë në mënyrën e vet.
CMG: Muzika rock ka më shumë fansa të zjarrtë në Shqipëri, apo në Kosovë?
Kreshnik Koshi: Në vendin tonë është pak e vështirë për t’u përballuar, nuk mund të bësh as investime për muzikën rock sepse nuk merr përfitime nga ajo. Për ne shqiptarët është çështje shpirtërore, por duhet patjetër një punë tjetër.
Të ishte ndonjë shtet tjetër me u marrë me muzikë rock është një investim i mirë dhe mundësia për të arritur është shumë e madhe. Këtu te ne nuk e përballojmë dot as investimet që bëjmë, për të patur përfitime nga ajo. Ne kemi kënaqësi shpirtërore që merremi me muzikë.
CMG: E ke një artist të preferuar të muzikës rock, ku frymëzohesh dhe e ke muzën tënde?
Kreshnik Koshi: Me kalimin e kohës kam fillu me pas vetveten. Në fillimet e mia kam parë festivalin e Rtsh-së dhe jam frymëzuar me grupet rock të viteve '90, gjithashtu edhe muzikë të njohur botërore të viteve '60-'70.
CMG: Ke filluar të “flasësh me vete”?
Kreshnik Koshi: Gjithmonë kam folur me vete, sidomos kur gaboj. Është mirë t’i bësh kritika vetes.
CMG: Ti si mendon, a ka kompozitorë të mirëfilltë të muzikës rock në Shqipëri?
Kreshnik Koshi: Shumë pak e njohin. Nuk mund të jetë domosdoshmërisht kompozitor ai që bën muzikë rock, ajo buron nga shpirti. Kompozitori mund ta përafrojë, por i del këngë festivali. Ndërkohë dikush që s'ta pret mendja, mund të bëjë një këngë të bukur rock, por këtu te ne mungon liria e të shprehurit.
CMG: Si e sheh muzikën rock pas një dekade?
Kreshnik Koshi: E shoh të njëjtë si sot.
CMG: Mendon se një rocker duhet të ketë patjetër flokët e gjata?
Kreshnik Koshi: Jo, mund të jetë edhe tullac (qesh).
CMG: Ke mbi 20 vite që këndon muzikë rock. Si është të jesh rocker, bashkëshort dhe prind i dy fëmijëve?
Kreshnik Koshi: Të gjitha janë pjesë të jetës. Jeta është familja, familja është jeta. Përveçse është një punë të cilën e bëj me shumë kënaqësi, gjithashtu është dhe mënyrë jetese. Familja është në plan të parë.
CMG: Sa i përkushtuar je ti për familjen?
Kreshnik Koshi: Ndoshta më shumë se duhet.
CMG: Sa herë zhvilloj intervistë me ty, nuk përton të vish me kitarën tënde për të interpretuar live në program. Çfarë do na interpretosh sot në “Muzika shqip” këtu në radio Ejani?
Kreshnik Koshi:Për kënaqësinë tënde Sava, po interpretoj një nga këngët e tua të preferuara "November Rain" nga Guns N'Roses dhe më pas këngë time më të re "Flas me vete".
CMG: Ndërsa ne ndjekim interpretimin tënd, unë të falenderoj për këtë bisedë të këndshme si dhe të uroj suksese!
Kreshnik Koshi: Shumë faleminderit për ftesën ty Sava dhe radio Ejani!.
Intervistoi Sava Lena