Çelja e luleve të kolzave vajëse në mbarë Kinën po tërheq njerëzit që të dalin jashtë, të marrin ajër të pastër dhe të shijojnë gjallërinë e pranverës pas dimrit të plogët.
Kina është një vend i madh dhe periudha e lulëzimit të kolzës vajëse zgjat midis shkurtit dhe nëntorit.
Fushat me këtë bimë janë kryesisht të përqendruara në zonën jugore të vendit, megjithëse gjenden edhe në disa pjesë të Kinës Veriore. Prandaj, nëse nuk arrini të shikoni lulet më të hershme, drejtohuni për në veri ose perëndim për t'u magjepsur nga pamjet e bukura të fushave të arta.
foto nga CFP
Qyteza Luoping në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore është vendi i parë ku hapen këto lule.
foto nga CFP
Wuyuan, një destinacion popullor në provincën Jiangxi të Kinës Lindore, është një vend tjetër i njohur për shijimin e hijeshisë së luleve të kolzave vajëse.
foto nga CFP
Xinghua në provincën Jiangsu është një qytet historik dhe kulturor në veri të deltës së lumit Jance. Ndryshe nga viset e tjera, fushat me kolzë vajëse këtu janë të vogla dhe të shpërndara. Sezoni i shikimit zakonisht fillon në prill.
foto nga CFP
Por fusha më e madhe e luleve të kolzave vajëse në vend dhe në botë është në Menyuan të provincës Qinghai në Kinën Veriperëndimore, me një sipërfaqe 33 300 hektarë.
foto nga CFP
Pllaja tibetane është zona më e lartë ku lulëzojnë kolzat vajëse në Kinë, dhe në "çatinë e botës" këto bimë i gjen kudo, nga Lhasa në malet Himalaje dhe nga Gyangze në Xigaze. Me malet e larta të mbuluara nga dëbora dhe qiellin e pastër blu në sfond, lulet me ngjyrë neoni këtu ofrojnë pamje të pashembullta befasuese.(Zhan Dian/Artan)