Një anëtare e Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) ka shprehur shqetësim në lidhje me një monopol të mundshëm të zinxhirit të kinemave në Kinë, për shkak se filma që kanë thyer rekorde janë mbështetur nga kompani kinematografike të mëdha.
Anëtarja e KKPPK-së Yang Huiying tha se shumë kompani që operojnë zinxhire kinemash janë në pronësi të studiove të mëdha kinematografike ose marrin pjesë në shpërndarjen dhe prodhimin e filmave. Prandaj ato i japin përparësi shfaqjes së filmave në realizimin e të cilëve kanë marrë pjesë vetë, duke u lënë prodhimeve pa mbështetje nga gjigandët kinematografikë pak mundësi për të pasur sukses.
Sezoni i Festës së Pranverë është periudha e vitit me fitimet më të shumta për sektorin e kinematografisë. Gjatë festës së sivjetshme vlera e përgjithshme e shitjes së biletave prej 1.2 miliardë dollarësh ka thyer rekord. Shumica e fitimeve u arritën nga vetëm dy filma: “Detective Chinatown3” nga regjisori Chen Sicheng, prodhim i kompanisë “Wanda Pictures”, dhe “Përshëndetje, mami” nga kompania "Jialing". Të ardhurat e secilit prej të dy filmave arritën mbi 600 milionë dollarë.
Kompania “Wanda Pictures”, nga Grupi "Wanda", është një ndërmarrje e madhe e prodhimit dhe e shpërndarjes së filmit në Kinë. Ajo është edhe një nga operatorët më të mëdhenj të kinemave me mbi 600 salla në mbarë Kinën, dhe ka shënuar një rekord prej 200 milionë shikuesish në vitin 2019.
Pesë filma të tjerë të publikuar gjatë Festës së Pranverës së sivjetshme kanë pasur të ardhura nga shitja e biletave prej 150 milionë dollarësh ose më pak secili. (Fang Xiaoyu/Artan Goga)