Foto nga VCG


Pas anulimit vitin e kaluar, u njoftua se do të kishte 4 skenarë të mundshëm në të cilët “Eurovisioni”, mund të zhvillohej në vitin 2021. Ndërsa datat e festivalit afrohen është bërë e qartë se cili prej skenarëve nuk është më i zbatueshëm. Organizatorët e festivalit evropian të këngës “Eurovision Song Contest”, kanë bërë të ditur se këtë javë u përjashtua skenari i parë i organizimit të Eurovisionit, që ishte planifikuar të zhvillohej në kushte normale, por për shkak të gjendjes me COVID-19 në botë, ky skenar është përjashtuar, ndërsa kanë mbetur edhe tre të tjerë. Po ashtu, siç ishte bërë e ditur pas anulimit të festivalit vitin e kaluar, organizatorët kanë konfirmuar se festivali më i madh i muzikës në Evropë do të zhvillohet patjetër këtë vit në data 18,20 dhe 22 maj.

Holanda si vend mikëpritës i festivalit të 65-të bashkë me organizatorin Bashkimin Evropian të Trransmetuesve (EBU), tashmë kanë rëndë dakord që pas përjashtimit të skenarit A, të diskutohen edhe tre skenarët tjerë (B,C dhe D).

“Eurovisioni” do të bëjë kthimin e tij të mirëpritur në muajin maj pavarësisht nga pandemia, por në rrethanat mbizotëruese, është e pamundur të mbajmë ngjarjen në mënyrën siç jemi mësuar”, tha Martin Österdahl, mbikëqyrës ekzekutiv i festivalit.

Organizatorët tani do të përqendrojnë përpjekjet e tyre në Skenarin B. Kjo do të përfshijë organizimin e një ngjarjeje të distancuar shoqërore me artistë që interpretojnë në Roterdam të Holandës dhe me audiencë deri në 80% në sallë.

“Sigurisht, shëndeti dhe siguria e të gjithë pjesëmarrësve në Eurovision Song Contest, nga ekipet te artistët, është përparësia kryesore. Duke ndjekur zhvillimet ndërkombëtare u planifikua për 3 skenarë të rishikuar (B, C dhe D) që u publikuan për herë të parë vjeshtën e kaluar, ”shtoi Österdahl.

Një vendim i mëtejshëm se si do të zhvillohet festivali do të merret në javët e ardhshme.

Këtë vit tashmë janë konfirmuar 41 shtete pjesëmarrëse, ndërsa Shqipërinë do ta përfaqësojë këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën “Karma”.