mihallaq andrea
Kantautori Mihallaq Andrea e ka nisur karierën e tij muzikore që në moshë të vogël. Kur ishte vetëm 14 vjec ai krijoi këngën e tij të parë, me tekstin e një të panjohure. Që prej asaj dite ai i është kushtuar krejtësisht muzikës korçare e veçanërisht serenatave, për t’u bërë më pas me zërin e tij të ëmbël, melodioz dhe krejtësisht të veçantë, pjesë e pandarë e serenatave në Korçë. Ai është cilësuar si "Këngëtari i dashurisë", "Princ i Serenatave" dhe si “Ikona e serenatës korçare”.
Mihallaq Andrea ka një karrierë të pasur muzikore si kantautor dhe së fundi ka botuar tre romane: "Historia e njeriut me kitarë, Dorëshkrimi i pambaruar","Margarita"dhe "Deputeti". Mihallaq Andrea është dekoruar me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut të Korçës” dhe "Mjeshtër i Madh" . Ai numëron ne repertorin e tij më shumë se 500 tekste e këngë, gjithashtu ai ka publikuar 5 albume muzikore, i fundit mban titullin “Ndryshe”.
CMG: Përshëndetje Mihallaq! Uroj të jesh mirë me shendet! Kënaqësi që të kam të ftuar në programin tim “Muzika shqip”!
Mihallaq Andrea: Faleminderit për ftesën Sava. Jam shumë i lumtur të jem në programin tënd ku mund të flas për këngët, krijimet e mia si dhe për albumin tim.
CMG: Ti ke shumë të reja për të rrëfyer në programin tonë, por unë kam dëshirë që ta nis me një pyetje rreth fillimeve të tua. Ishe vetëm 14 vjeç kur fillove të krijosh dhe teksti i parë është shkruar nga një vajzë e pa njohur. Si është kjo histori?
Mihallaq Andrea: Krijimi im i parë ka qenë kur isha vetëm 14 vjeç dhe sapo kisha filluar të luaja në kitarë. Një ditë më vjen një shoku im e më thotë të akordoja kitarën e tij. Ishim te porta e shtëpisë së tij, ndërsa më afrohet një vajzë, mosha ime e më thotë; Kam krijuar një poezi, a mund ta bësh këngë? E pranova, e mora poezinë e saj, ishin vargje të thjeshta të një vajze 14 vjeçare, e cila më vonë u bë mësuese letërsie. Disa ditë pasi e mora atë poezi, doli kënga. Ajo këngë mori dhenë në atë kohë. E këndonin të gjithë, të rinj e të mëdhenj.
CMG: Në moshën e adoleshencës realizove kompozimin e parë. Kush të nxiti për të vazhduar?
Mihallaq Andrea: Gjyshi im ka qenë mësues, por luante shumë bukur në kitarë, babai im disi më pak, por këndonte më bukur, dajallarët gjithashtu luanin në mandolinë. Korça dhe korçarët në përgjithësi kështu kanë qenë dhe këngët e mia që në ato fillime kanë qenë serenata apo këngë lirike korçare.
CMG: Përse e ke titulluar albumin e ri “Ndryshe”?
Mihallaq Andrea: Albumi im i ri është titulluar “Ndryshe”. Sepse aty nuk gjenden serenata apo këngët lirike korçare, ama fryma e saj ndjehet padyshim. Mban atë titull sepse aty jam paraqitur ndryshe. Aty ka muzikë të zhanreve të ndryshme, përveç serenatës. Për këtë album kam bashkëpunuar me autoren Rita Konda, me të cilën do t’i vazhdoj bashkëpunimet, për aq kohë sa ajo të shkruaj tekste aq të bukura. Mendoj që shumë shpejt ndoshta tani në muajin Mars të dalë në treg edhe një tjetër album i imi me serenata të mbledhura ndër vite. Shpresoj që të pëlqehet dhe ai si albumi “Ndryshe”, nga i cili nuk ka mbetur asnjë kopje.
Mihallaq Andrea në skenë
CMG: Sa kohë në ditë i kushton muzikës në studio?
Mihallaq Andrea: Unë qëndroj 10-12 orë në studion time të vogël në shtëpi, krijoj muzikë për të gjithë, por edhe shkruaj. Kam shkruar romanin e parë “Dorëshkrimi i pa mbaruar”, dhe të dytin “Margarita”.
CMG: ”Margarita-t" janë shumë frymëzuese për artistë të mëdhenj. Riccardo Cocciante ka kënduar “Margherita” në vitin 1976. Edhe ju gjithashtu i keni kënduar Margaritës. Nga ju u frymëzua Riccardo Cocciante ?!
Mihallaq Andrea gjatë karrierës së tij
Mihallaq Andrea: Margarita e Riccardo Cocciantes është tjetër gjë, është një perlë e tij të cilën edhe unë e këndoj me shumë ëndje.
Cocciante është një artist i madh. Gjithsesi unë Margaritën time e çmoj si muzikë, pasi atëherë isha i ri për të krijuar një vepër. Kënga “Margarita” do jetë krijuar diku 5-6 vite përpara vitit 1976 (qesh).
CMG: Por ti ke shkruar disa libra, ndër të cilat edhe një me titullin “Margarita”
Mihallaq Andrea: Unë shkruajta librin “Margarita” ku më ka mbetur vetëm një kopje dhe shpresoj që ta ribotoj. Ndërsa libri i tretë titullohet “Deputeti” është një libër aktual i ngjarjeve aktuale politike në vend. Janë ngjarjet aktuale politike, të cilat i kam sjellë në libër artistikisht, por duke futur në punë edhe imagjinatën. Gjithashtu kam në dorë një libër tjetër, të cilin e kam titulluar “Tërmeti”, ku marr shkas nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 i cili shkaktoi tragjedi. Ky libër më duket iteresant. Gjithë subjekti i tij është në një shtëpi, gjithçka çfarë përjeton një njeri në kohën kur bie tërmeti. Personazhi kryesor është muzikant dhe në ato pak sekonda të tërmetit atij i kujtohet e gjithë jeta e tij, të gjitha këngët që ka shkruar apo ka kënduar.
CMG: Si ndikoi pandemia tek ty si artist?
Mihallaq Andrea: Covid-19 menduam se do të kalonte lehtë, por duket se po vazhdon gjatë. Marsin e një viti më parë, kur patëm atë mbylljen e detyruar, mendova t’u qëndroja sado pak afër njerëzve të ngujuar, me këngën time. Dhe ky mendim më bëri të ndjehem mirë, dhe kështu fillova të këndoj për rreth një muaj e gjysmë për çdo natë në faqen e facebookut, ku këndoja live me kitarë. Ndjehem shumë mirë se kam qenë në shoqërinë e njerëzve për t’ju zbutur sado pak dhimbjen. Shpresoj që kjo kohë të vlejë për të reflektuar, për të pasur më shumë dashuri për njëri-tjetrin. Do doja që t’i falenderoja të gjithë ata që më ndoqën në netët live nga shtëpia, por edhe të gjithë mjekët të cilët përballen çdo ditë në spitalet tona. Po mendoj që të filloj përsëri të këndoj “live” për publikun e gjerë.
Mihallaq andrea me familjen
CMG: Do të doje që femijët e tu të merreshin me art?
Mihallaq Andrea: Familja ime përbëhet nga bashkëshortja ime Irena me të cilën kam dy fëmijë, vajzën Klaudia dhe djalin Kristi. Klaudia mbaroi studimet në Romë dhe punon aty si stomatologe ndërsa djali është në Korçë ku ka mbaruar dy fakultete për Informatikë dhe Histori- Gjeografi. Kristi e pëlqen shumë muzikën, ka vesh të mirë muzike, luan në kitarë, por nuk di të këndojë.
CMG: Të falenderoj për këtë bisedë , të uroj shëndet dhe sa më shumë frymëzim për të na sjellë muzikë të bukur!
Mihallaq Andrea: Faleminderit Sava dhe Rradio Ejani për ftesën.
Intervistoi Sava Lena