Fatmira Brecani duke interpertuar
Fatmira Breçani është këngëtare e njohur e muzikës popullore kryesisht e Veriut të Shqipërisë, e cila interpreton që nga vitet '70 dhe këngët e saj janë pasuri kulturore e vendit. Ajo shquhet për zërin e saj të veçantë, duke i ngritur në një nivel tjetër pritshmëritë e këngës popullore. Gjatë karrierës së saj artistike është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga repertori i saj prej qindra këngësh veçohen "Xinxillushe", "E Vogla e Nanës", Oj Çikë Malësore" e kënduar me artistin e madh Gëzim Nika, “Çik Tropoje” e shumë të tjera. Fatmira është e angazhuar me koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke qenë gjithmonë besnike e këngës së mirëfilltë popullore shqiptare.
Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani, ajo na tregon për aktivitetet e saj artistike si dhe projektet muzikore pas pandemisë.
CMG: Znj.Breçani është kënaqësi që të kemi të ftuar në emisionin Bio Folk në Radio Ejani.
Fatmira Breçani: Përshëndetje për të gjithë adhuruesit e mi dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ju falenderoj edhe juve për ftesën në këtë emision dhe ndjehem shumë mirë që për vite me radhë respekti ndaj meje nga ju nuk mungon.
CMG: Ju keni dekada të tëra që këndoni në skenë, duke qenë ndër këngëtaret e preferuara të publikut, sepse zëri juaj kristal ka bërë për vete shumë adhurues.
Fatmira Breçani: Faleminderit për fjalët e mira që asnjëherë nuk mungojnë nga ju dhe i gjithë publiku dhe falë publikut unë jam sot në këtë nivel, sepse nuk kam ndaluar së kënduari duke i plotësuar të gjitha kërkesat e adhuruesëve të mi.
Fatmira Brecani me kengetarin Shkelzen Jetishi
CMG: Ju shquheni për ruajtjen e traditës së muzikës popullore sidomos të zonës së veriut. Kjo mendoj se ju ka sjellë më shumë sukses.
Fatmira Braçani: Unë siç kam qenë deri tani kështu do të vazhdoj sepse kam përfaqësuar këngën e mirëfilltë popullore, me të cilën do të vazhdoj deri sa të kem jetë.
CMG: Ju jeni një pasuese e së madhes Fatime Sokoli. Cili është vlerësimi juaj për këtë artiste, e cila u nda shpejt nga jeta dhe skena?
Fatmira Breçani: Unë e kam theksuar gjithmonë se Fatime Sokolin e kam pasur kolege, por edhe mësuese timen me të cilën kam punuar dhe kam kaluar një kohë shumë të mire, pavarësisht se e ndjera nuk e kishte jetën e gjatë, duke u larguar nga jeta në kulmin e saj artistik. Ajo ka lënë histori në breza dhe gjithë shqiptaria e kanë njohur dhe do ta kujtojnë gjithmonë. Unë ndjehem shumë mirë që gjithmonë më krahasojnë me zërin e saj, si dhe jam munduar të këndoj edhe disa këngë të saj. Tani vonë kam interpretuar një këngë që titullohet “Me krahë shqipesh nga Tropoja”, të cilën e adhurojnë të gjithë shqiptarët dhe unë jam prezantuar tani vonë në një emision televiziv me këtë këngë.
Fatmira Brecani me kostum popullor
CMG: Jeni gjithmonë e pranishme nëpër turne jashtë vendit. Si jeni pritur nga publiku dhe sa i përmalluar është publiku për t’ju dëgjuar live në skenë?
Fatmira Braçani: Unë kam shkuar në të gjithë botën deri në Australi dhe pritja e spektatorit ka qenë e mrekullueshme, si dhe ku jam ndjerë shumë mirë në çdo event. Kam pasur shumë emocione nga pritja që më kanë bërë dhe vazhdojnë kështu derisa të fillojmë edhe njëherë, sapo të mbarojë pandemia.
CMG: Ka ndikuar pandemia në jetën tuaj artistike, duke qenë se eventet janë pezulluar?
Fatmira Breçani: Ne kemi qenë krejt të kufizuar sepse e gjithë bota po e përjeton këtë situatë pandemike. Nuk kemi pasur aktivitete, por e rëndësishme është që jemi mirë me shëndet. Kemi qenë pak më të lirë në këtë periudhë sepse gjithmonë të ngarkuar, por na është dhënë mundësia për të realizuar disa materiale të reja. Shpresojmë që të mbarojë kjo situatë pandemike dhe të fillojmë punën siç ka qenë më përpara.
CMG: Sa ju ka munguar publiku gjatë kësaj periudhe, që nuk keni pasur aktivitete?
Fatmira Breçani: Publiku na ka munguar aq shumë sa që kur postojmë këngë që i kemi kënduar pa u shfaqur pandemia, na duket sikur ka marrë fund gjithçka. Urojmë që sa më shpejt të këndojmë përpara këtij publiku të mrekullueshëm, të cilët mezi presin të na shohin në skenë.
Fatmira Brecani ne skene
CMG: Besoj se rrjetet sociale ju kanë mbajtur më pranë publikut gjatë kësaj periudhe të vështirë
Fatmira Braçani: Unë komunikoj vazhdimisht me publikun në Facebook dhe Instagram si edhe nëpërmjet telefonit kam një komunikim të përditshëm me adhuruesit e mi. Ky komunikim me publikun edhe pse virtualisht, ne na mban gjallë.
CMG: Para pak kohësh ju morët pjesë në një aktivitet artistik me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore si e ftuar speciale. Si u ndjetë atje?
Fatmira Breçani: Po isha e ftuar në këtë koncertin “Trëndafilin kur ta dhashë” nën drejtimin e Sokol Marsit, të cilin e përshëndes sepse kam pasur fatin të bashkëpunoj me të. Unë kam vite që marr pjesë me AKVP në shumë evente si jashtë shtetit ashtu edhe këtu në Shqipëri, të cilët i falenderoj që më ftojnë gjithmonë dhe unë jam shumë e gatshme të bashkëpunoj me ta.
CMG: Gjatë publikimeve të fundit ju keni realizuar edhe disa bashkëpunime, njeri prej tyre me këngëtaren Maya Aliçkaj.
Fatmira Breçani: Unë kam pasur ftesë nga kolegia ime e mrekullueshme Maya që të bënim një duet bashkë dhe me kënaqësinë më të madhe e kemi realizuar një këngë. Ka dalë duet shumë i bukur i cili pëlqehet dhe këndohet gjithandej, por mbas këtij dueti kemi pasur dhe ftesa së bashku në shumë koncerte.
CMG: Së fundi kishit edhe një bashkëpunim me këngëtaren e mirënjohur Aurela Gaçe, pra nuk të ndahen vlonjatet.
Fatmira Breçani: Është e vërtetë, sepse Vlora dhe Tropoja janë si të thuash të njëjta në karakter. Kam pasur edhe me Aurelën së fundi një concert, ku kemi kënduar bashkë dhe them se është befasur i gjithë publiku duke na thënë pse kaq vonë dhe duhet të bashkëpunonit më përpara. Kënga me këngëtaren e mrekullueshme Aurela Gaçen është pëlqyer shumë sepse kemi kënduar live.
CMG: Pak më përpara përmendët se keni publikuar disa këngë të reja.
Fatmira Breçani: Unë kam realizuar disa këngë të reja si “Dashuria e gurbetqarit” një baladë, një këngë tjetër ritmike “Çik Tropoje” si dhe një duet me një këngëtar të mirëfilltë nga Tropoja dhe presim ta publikojmë së shpejti. Edhe pse jemi pushim ne do të vazhdojmë të këndojmë për të plotësuar kërkesat e publikut.
CMG: Kur të mbarojë pandemia do të kishe dëshirë të realizoje një koncert live për adhuruesit e shumtë?
Fatmira Breçani: E kemi diskutuar me shumë kolegë dhe mezi po pres të kalojë kjo pandemi dhe do ta realizoj një recital live në Pallatin e Kongreseve. Unë jam këngëtare që gjithmonë këndoj live dhe rrallë herë mund të këndoj me superpozime.
CMG: Si e keni ruajtur zërin tuaj sepse keni kaq vite në skenë dhe zëri juaj është kristal.
Fatmira Breçani: Zërin ta fal perëndia dhe unë kurrë në jetë nuk e kam trajtuar, por zëri do të vazhdosh punën. Në një koncert me Aurelën po bënim shaka sepse kur fillova të këndoja kisha pak pengesë dhe me humor i them që me siguri ka filluar me u ndryshk fyti, sepse kemi pushuar gati një vit. Unë nuk e trajtoj zërin me asnjë lloj ushqimi dhe as me gjëra të ngrohta, madje unë gjatë gjithë kohës konsumoj gjëra të ftohta, por me punë zëri është në formë.
Fatmira Brecani me kengetarin Shkelzen Jetishi
CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në realizimin e këngëve?
Fatmira Breçani: Unë kam punuar me shumë kompozitorë dhe autorë tekstesh, si kompozitori Kolë Susaj, Skënder Doshlani, Edmond Zhulali, Fatmir Muja, Hamit Alija me tekstet e tij të mrekullueshme, i ndjeri Gjok Beci dhe Agim Doçi. Kam punuar me Sokol Marsin, Edi Balilin, Alban Furtunën dhe me Alban Arifin. Me të gjitha bashkëpunimet kam mbetur shumë e kënaqur.
CMG: Keni së afërmi ndonjë plan për të realizuar ndonjë këngë të re?
Fatmira Breçani: Po vazhdoj të punoj me duetin me këngëtarin e mrekullueshëm nga Tropoja, Aranit Hoxha, këngë të cilën po e realizojmë te Alban Arifi dhe muzikën e kësaj kënge e ka bërë Kol Susaj ndërsa tekstin Gjokë Beci.
Fatmira Brecani ne interviste per CMG
CMG: Keni dhe shumë këngë me këngëtarin e mirënjohur Gëzim Nika. Vazhdoni të mbani kontakte ?
Fatmira Breçani: Unë kam punuar me Gëzimin, por kjo koha e pandemisë na ka kufizuar sepse ai jeton në Amerikë dhe e kemi pak të vështirë. Me kënaqësi të madhe do të bashkëpunoj përsëri me Gëzimin dhe marrëdhëniet i kemi siç i kemi pasur në fillimet tona.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.
Fatmira Breçani: Ju falenderoj ju për ftesën në emisionin Bio Folk si dhe përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, duke ju uruar gjithë të mirat dhe sa më shpejt të na largohet kjo pandemi, që të vazhdojmë përsëri me koncerte.
Intervistoi: Gazmend Agaj