Foto nga VCG
Pushimet me rastin e Festës së Pranverës sollën shpresa të reja për rimëkëmbjen e sektorit kinematografik kinez, pas një viti me humbje nga epidemia e COVID-19.
Të dhënat nga platforma e rezervimit në internet të biletave të kinemave "Maoyan" treguan se javën e kaluar, shitjet e biletave i kaluan 860 milionë dollarët amerikanë, me një rritje 20 % në krahasim me një javë përpara saj.
Filmi komik me udhëtim në kohë që rrëfen një histori prekëse midis një vajze dhe së ëmës, "Përshëndetje, mami!", siguroi më shumë se gjysmën e vlerës së përgjithshme të të ardhurave javën e kaluar, duke zëvendësuar "Hetues në Chinatown 3", që ishte filmi më i shitur gjatë 8-14 shkurtit.
"Përshëndetje, mami", me regji të aktores komike të kthyer në kineaste Jia Ling, rrëfen një histori marrëdhëniesh të bazuar në jetën personale të saj. Nëna e Jia-së, Li Huanying, ndërroi jetë në një aksident rrugor, pak kohë pasi Li kishte filluar studimet universitare. Jia ia ka kushtuar filmin pikërisht së ëmës.
Studentja e vitit të parë të universitetit Jia Xiaoling (interpretuar nga vetë Jia Ling ) udhëtoi prapa në kohë, në vitet '80 të shekullit të kaluar, duke u takuar me nënën e vet të ndjerë që ishte ende një vajzë e re. Një takim i tillë e bëri Jia-në të pendohej që nuk ishte e lidhur sa duhej me të ëmën kur ajo ishte gjallë e të bënte përpjekje për të ndryshuar jetën e gruas që e kishte lindur.
Filmi mori 8.1 pikë nga 10 të plota në "Douban", një uebsajt kinez për vlerësimin e filmave i ngjashëm me "Rotten Tomatoes".(Zhang Yan/Artan)