Guximtar Rushani është këngëtar i muzikës së lehtë, serenatave dhe asaj popullore qytetare Pjesëmarrjet e tij kanë qenë të shumta në festivale të ndryshme në Maqedoni dhe Shqipëri, duke nisur që nga viti 2002. Ka disa prezantime në festivalin e Rtsh-së, “Kënga Magjike”, “Top Fest”, “Nota Fest” etj.
CMG: Përshëndetje Guximtar! Si je me shëndet? Si po i kalon këto kohë të pandemisë?
Guximtar Rushani: Ne jemi shumë mirë, gjithashtu uroj edhe për ju! Faleminderit për ftesën në programin “Muzika shqip”. Sa i takon periudhës së pandemisë, ka qenë shumë e vëshirë për të gjithë artistët. Kemi patur mungesë të aktiviteteve artistike. Ka qenë një vit mjat i vështirë, një vit për t’u harruar.
CMG:Për shumë artistë pandemia ishte edhe një frymëzim për të sjellë materiale të reja muzikore. Po për ty si ishte?
Guximtar Rushani: Ka qenë një periudhë e vështirë për mua pasi pandemia solli një apati artististike në aspektin personal. Gjithashtu edhe unë e kalova virusin në fjalë. Pavarësisht gjithë kësaj e gjeta kohën e duhur për të sjellë materiale të reja. Këtë herë kam sjellë përpunimin e tre këngëve popullore, nga të cilat njëra është publikuar dhe dy të tjera pres të dalin brenda dy muajve. Do jenë këngë popullore, por me një realizim disi më modern.
CMG: Më vjen mirë që e ke kaluar pa komplikacione këtë virus dhe ja ku jemi sot bashkë në këtë intervistë për radio “Ejani”.
Puna jote e përditshme i përket fushës akademike. Duket se më shumë përparësi i jep mësimdhënies dhe muzika për ty është në plan të dytë,
Guximtar Rushani: (Qesh) Pyetje shumë e bukur! Nganjëherë edhe unë personalisht kam ato dyshimet e mia, se ku fokusohem më shumë, në mësimdhënie, pra në punën akademike apo në muzikë. Gjithsesi mund të them se jam me fat që punoj në dy profesione që i dua shumë. Unë e përdor shumë një shprehje: “Nëse punën e bën me pasion, atëherë ti nuk ke punuar asnjë ditë të jetës tënde, por vetëm ke marë kënaqësi”. I bëj të dyja me shumë dashuri.
CMG: Kjo është një shprehje të cilën e përdor dhe më përshtatet shumë edhe mua. Guximtar, muzikën e konsideron thjesht një hobi apo profesion?
Guximtar Rushani: Fillimisht e kam nisur si një hobi, si një pjesë e mirë e këngëtarëve që kanë talentin dhe e shprehin atë nëpër festivale, evente të ndryshme etj. Megjithatë unë e shoh muzikën si pjesë së jetës sime. U bënë rreth 20 vite që këndoj, nuk e shoh thjesht si hobi, por si një aktivitet të rëndësishëm të jetës sime. Mund të them se është profesioni im i dytë.
CMG: Ti ke shumë pjesëmarrje në festivale,por cila është kënga që ty të pëlqen më shumë nga këto prezantime dhe që do doje ta dëgjoje në këto momente në programin “Muzika shqip”?
Guximtar Rushani: E vërtetë që kam qenë pjesëmarrës në shumë festivale si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni. Por me shumë mall do kujtoja në këto momente këngën me titullin “Gëzuar” të kënduar në Festivalin e Rtsh-së.
CMG: Çfarë kujton ti nga koha e festivaleve?
Guximtar Rushani: Festivalet kanë qenë një mënyrë e mirë për të treguar këngëtarët aftësitë e tyre vokale, muzikale etj. Kujtoj kohë të bukura, mundësinë e njohjeve me shumë artistë që për mua ka qenë një pasuri në vetvete, pasi edhe shumë nga ata artistë i kam miq sot. Festivali është një histori më vete, një eksperiencë e bukur të cilën e kujtoj gjithmonë.
CMG: Do i riktheheshe sërish konkurimeve?
Guximtar Rushani: Nëse do i kthehem apo jo konkurimeve, kjo mbetet për t’u diskutuar. Një dekadë më parë, ka patur më shumë festivale, më tepër mundësi konkurimi, por njëkohësisht kam qenë edhe më i ri dhe kam pasur të tjera ëndrra, të tjera dëshira.Tani nuk e shoh veten si pjesë të festivaleve. Deri para pandemisë, kam pasur shumë aktivitete ku këndoja fundjavave. Por nuk i dihet asnjëherë. Nëse një ditë më vjen në dorë një këngë e bukur dhe që i përshtatet vokalit tim, pse jo mund të ngjitem sërish në skenën e festivalit të Rtsh-së.
CMG:Në repertorin tënd ti ke dhe shumë bashkëpunime, cilin do të veçoje?
Guximtar Rushani: Kam shumë bashkëpunime, me këngëtarët, Agim Poshka, Elita Ziberi,Venera Lumani etj. Çdo duet ka atë veçantinë e vet, por pak më tepër do të veçoja duetin me Venera Lumanin të cilën përveç të tjerash e kam dhe shumë mikeshë.
CMG: "Ta Them Kush Je"? ti "Vjen Nje Bote Tjetër", nxjerr “Lotë dashurie” në “Vjeshtën e fundit”, por “Urdhri i shpirtit tim” të uron “Gëzuar”!
Guximtar Rushani: (Qesh) Sa bukur e ke përshkruar këtë fjali me titujt e këngëve të mia! E ke zbukuruar shumë këtë rrugëtim me materialet muzikore që kam përcjell ndër vite.
CMG: Na trego pak për jetën tënde private?
Guximtar Rushani: Jam i martuar me Rexhijen si dhe kam dy fëmijë , djalin Abin 12 vjeç dhe vajzën Luisën 6 vjeç. Punoj në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë si Kancelar Universitar dhe Pedagog. Bëj një jetë normale , jetojmë bukur!
CMG: Ke dëshirë që fëmijët e tu të merren me muzikë?
Guximtar Rushani: Sa i përket fëmijëve dëshira dhe mundësia janë dy gjëra të ndryshme. Dua që ata të merrem me diçka të cilën ta duan fort, pra ta dashurojnë atë punë, nëse do jetë muzika edhe më mirë.
CMG: Cilat janë materialet e fundit muzikore për të cilat po punon momentalisht?
Guximtar Rushani: Për momentin nuk kam në plan matëriale të reja, por po përpunoj disa materiale muzikore popullore të vjetra, në një version më modern. Më pëlqen të merrem me këngë të cilat mbesin gjatë me vite e shekuj. Dhe kur e risjell më duket sikur edhe unë jam pjesë e asaj kënge, asaj historie.
CMG: Cilat janë planet e vitit 2021 për ty?
Guximtar Rushani: Do doja të dilnim përfundimisht nga kjo pandemi e tmerrshme që po kalojmë. Shpresoj që ti rikthehemi normalitetit sa më parë.
CMG: Çfarë do thoje për dëgjuesit e Radio Ejani?
Guximtar Rushani: Ju përshëndes dhe ju uroj fat e mbarësi. Të keni kujdes me shëndetin deri sa të kaloj kjo periudhë e vështirë për të gjithë.
CMG:Faleminderit dhe suksese!
Intervistoi: Sava Lena