Valbona Hali është një këngëtare e njohur e muzikës popullore, që daljen në skenë e përcolli me sukses të menjëhershëm. Ajo është lidhur me këngën popullore pazgjidhshmërit pasi kënga popullore i dha suksesin dhe i hapi rrugën e vërtetë të skenës. Repertori i saj përmban kryesisht këngë të Shqipërisë së Mesme, këngë të cilat ajo i këndon plot pasion duke hyrë në radhët e këngëtareve më të sukseshme. E qetë dhe e çiltër ajo gjithmonë është në kërkim të së resë, të së bukurës, pasi tashmë dihet që kënga popullore ka fituar terren dhe numri i këngëtareve popullore po rritet nga dita në ditë.
Ajo ka një repertor të pasur me këngë popullore dhe gjithmonë publikimet e saj kanë qenë të suksesshme, duke u pritur mjaft mirë nga publiku.
Në një intervistë për Radio Ejani, Valbona tregon për aktivitetin e saj artistik si dhe projektet muzikore në të ardhmen.
CMG: Faleminderit Valbona për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk në Radio Ejani.
Valbona Halili: Faleminderit për ftesën dhe përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk. Është kënaqësi të jesh pranë këtyre njerëzve në këto ditë të vështira.
CMG: Sa ka ndikuar koha e pandemisë në jetën tuaj artistike?
Valbona Halili: Pyetje me vend, jo vetëm për mua por për ço artist, ashtu si në çdo sferë të jetës edhe në jetën tonë profesionale, periudha një vjeçare e pandemisë ka ndikuar shumë. Mund të them që na ka paralizuar të gjithë veprimtarinë artistike dhe ky është një penalitet, që nuk e kishim menduar, por as merituar.
CMG: Sa ju ka munguar publiku gjatë kësaj periudhe?
Valbona Halili: Më ka munguar shumë sepse publiku për mua është frymë, jetë dhe rreze drite që ngroh ekzistencën time. Pa publikun artisti nuk mund të jetojë.
CMG: Si i keni mbajtur kontaktet me fansat tuaj dhe a keni qenë aktive gjatë kësaj kohe në rrjetet sociale për të komunikuar më adhuruesit tuaj?
Valbona Halili: Duke qenë se rrjetet sociale janë e vetmja dritare e komunikimit me njerëzit që na duan dhe dashamirësit e muzikës na kanë ndihmuar të qëndrojmë shumë në kontakt dhe sa më afër njerëzve që adhurojnë muzikën tonë. Nëse do më mungonin edhe rrjetet sociale mendoj se do të ishte diçka katastrofale mendoj unë.
CMG: Cilët bashkëpunime me të tjerë këngëtarë të muzikës popullore do të veçoje si më të suksesshme?
Valbona Halili: Çdo bashkëpunim për mua ka rëndësinë e tij dhe nuk dua të bëj dallime për të mos pasur hatërmbetje dhe midis emrave që kam përzgjedhur unë në këto bashkëpunime. Bashkëpunimet janë shkëmbime suksesesh ku nga secili nga emrat që kam pasur të ftuar kanë qenë më e mira e mundshme, prandaj janë shumë të rëndësishme për mua.
CMG: Ju keni bashkëpunuar edhe me këngëtarin e mirënjohur Ismet Peja si dhe Shkurte Fejza. Si janë pritur nga publiku këngët që keni interpretuar me këto artistë?
Valbona Halili: Mund të them që është dhe një emër tjetër, një koleg dhe mik i imi, një zë bjeshke Tropoje, Aranit Hoxha. Ashtu siç i ka hije emrave të mëdhenj si ikona e madhe Ismet Peja mbetet emër që nuk do të zëvendësohet më në muzikë dhe Shkurte Fejza sigurisht ka suksesin e saj të padiskutueshëm në muzikë, po ashtu dhe bilbili i Tropojës Aranit Hoxha. Krijuam një trio fantastike që besoj gjeti vend në zemrat e gjithë shqiptarëve.
CMG: Valbona ju jeni një artiste me fat që punoni me kompozitorin e mirënjohur Edi Balili, sepse të gjitha këngët tuaja janë të kompozuara dhe orkestruara nga ky kompozitor.
Valbona Halili: Kush nuk do të kishte privilegjin të punonte me të madhin Edi Balili. Ai për mua ka qenë dhe do të mbetet krahu im i djathtë dhe kështu do të jetë gjithmonë.
CMG: Keni ndonjë projekt të ri muzikor së afërmi?
Valbona Halili: Po kam gati një këngë që mendoj se do të zërë vend dhe them ta publikoj në fillim të verës. Është një këngë tradicionale e Shqipërisë së Mesme, por do të mbetet surprizë dhe shpresojmë për ditët e bukura që do të na vijnë. Edhe kjo këngë do të jetë në bashkëpunim me Edi Balilin, sepse pa fjalën dhe mendjen e tij nuk mund të marr dot frymë.
CMG: Ju jeni identifikuar gjithmonë si një këngëtare e muzikës popullore bio, ruani traditën?
Valbona Halili: Unë jam përpjekur ta ruaj madhështinë e tabanit popullor dhe besoj se kam arritur ta përcjell te publiku me dashuri, jo vetëm unë por dhe shumë emra të njohur të muzikës së vërtetë popullore dhe të pastër nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe fansat tuaj.
Valbona Halili: Dëgjojeni sa më shumë Bio Folk! Shpresojmë për të gjithë që ditë më të bukura do të vijnë.
Intervistoi: Gazmend Agaj