Këngëtarja e njohur Rovena Stefa është ngjitur në skenën e Festivalit të Rtsh-së që në adoleshencë, ku suksesin e arriti me këngën "Një gjethe më nis". Pas disa prezantimeve në skenën e festivalit, ajo realizoi disa albume si; “Bie Dëborë”, “Paraja”, “Dasma” etj, për të vazhduar më pas karrierën e saj të suksesshme në diasporë. Këngëtarja Rovena Stefa solli këtë vit të ri këngën “Le të thyhen gotat”.
CMG: Kemi kohë pa u takuar bashkë, por më në fund tani që u takuam "Le të thyhen gotat"!
Rovena Stefa: (Qesh) E vërtetë, kjo këngë e re "Le të thyhen gotat" erdhi në këtë kohë, erdhi me thyerje gotash, nuk kishte si të vinte ndryshe. Ne artistët në periudhat më të errëta të njerëzimit, arti krijon, fillon e rebelohet, gjen një nevojë të jashtëzakonshme për t’u shprehur, për të qenë sa më human dhe më pranë njerëzve.
CMG: Kjo këngë erdhi si një dhuratë për fansat e tu për vitin e ri. Na trego pak për fabulën e kësaj kënge?
Rovena Stefa: Ishte diku fundi i shtatorit kur u ula në një kafe me kompozitorin De Vox dhe po bisedonim për pandeminë, për verën që kaloi pa shumë diell. Njerëzit nëpër plazhe dilnin shëtisnin buzë detit, por dukej sikur kishte ndodhur ndonjë vaki, nuk mund të degjonin dot muzikë. Kjo për ne artistët ishte diçka shumë absurde dhe këtë herë rebelimi ynë ishte nëpërmjet muzikës. Kështu lindi idea për të sjellë një këngë për dashurinë, por jo domosdoshmërisht vetëm njëpërmjet një çifti, por dashurinë për njëri-tjetrin, për njerëzimin në tërësi.
Tekstin e këngës e kam shkruar vetë me shumë dashuri; "Le të thyhen gotat, një e nga një, kjo është nata jonë plot dashni. Le të digjet bota, zjarr e shkrumb e hi, zemra ime je vetëm ti". Ku në kuptimin figurativ kam pasqyruar situatën në të cilën ndodhemi.
CMG: Ti shkruan; “zemra ime je vetëm ti". Cilës zemre i drejtohesh?
Rovena Stefa: Në këtë rast i drejtohem gjithë dashurisë si koncept si dhe njerëzve që duan dikë. Kështu unë vendosem në një botë më të gjerë se bota ime personale.
CMG: Cili ka qenë komenti më i bukur, por edhe kritika që ke marë për këtë këngë?
Rovena Stefa: Emocionet kanë qenë shumë pozitive sa i takon emocioneve se është një lloj serenate dashurie.
CMG: Kam unë një kritikë Rovena, do ta pranosh?
Rovena Stefa: Nga ty e pres kritikën me shumë kënaqësi .
CMG: A do të kemi mundësi të të ndjekim me këtë lloj zhanri në vazhdim?
Rovena Stefa: Unë me dëshirën time dua të bëj shumë këngë, por shpresoj që të kemi mundesi ku ti këndojmë këto këngë dhe patjetër që do të realizoj.
CMG: Rovena, unë të mbaj mend në skenën e festivalit të veshur me një fustan të verdhë kur këndoje këngën " Një gjethe më nis", e cila për mua në atë kohë ishte refreni i ditës. Por çfarë kujton ti nga ai prezantim, i cili të dha famë të menjëhershme?
Rovena Stefa: Ka qenë viti 1998 ku mora pjesë në festivalin e Rtsh-së, i cili është zhvilluar në ambjentin e jashtëm të Pallatit të Kongreseve.
E kujtoj shumë mirë tani që më pati ndodhur një incident i vogël para se të këndoja. Shkova të blija këpucët që do vishja me fustanin e verdhë, i cili ndodhej diku nga rruga e Durrësit në Tiranë dhe me vrap shkoj për në Pallatin e Kongreseve. Të gjitha rrugët i përshkova në këmbë se nuk kisha makinë. Sa mbërrij në festival shoh që kisha blerë këpucët të së njëjtës këmbë. Më përshkoi një stres në ato momente, shkoj me vrap sërish që të merrja këpucët e duhura, por njëkohësisht që të kapja dhe kohën për të kënduar në festval. U ngjita në skenë dhe në ato momente më kaploi një emocion negativ, por kur pashë gjithë atë publik dhe kur mora duartrokitjet e ngrohta, ja dola mirë.
CMG: Pak lodhje, por besoj se ja ka vlejtur pasi të dha famën e menjëhershme.
Rovena Stefa: Të them të drejtën Sava, çdo gjë në jetën time, nuk ka qenë e lehtë për t’u realizuar. Nuk ka pasur kushtet që janë sot, ku artistët i kanë gjërat më të lehta.
CMG: Por mendoj se në ditët e sotme dhe emocioni është disi fallco, duhet të sforcohesh për të buzëqeshur kur del në ekran apo në skenë. Dikur emocioni buronte nga shpirti.
Rovena Stefa: Ke shumë të drejtë. Dikur gjërat kanë qenë të vyera, daljet në skenë kanë qenë shumë të pakta.
CMG: Publiku, fansat ishin më të dashur, më të zjarrtë se në ditët e sotme.
Rovena Stefa: Kanë qenë vërtetë më të dashur, nuk ekzistonin rrjetet sociale, ateherë ka pasur vetëm një media dhe ajo ishte Rtsh-ja. Festivali ka qenë ngjarje shumë e madhe për të gjithë dhe të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve e ndiqnin atë festival.
CMG: E pëlqejnë fansat e tu këtë këngë?
Rovena Stefa: Po. Kjo këngë gjendet në youtube vetëm në versionin audio, pasi nuk e di pse Rtsh-ja nuk i ben publike në youtube këto festivale. Gjithsesi unë e kam postuar versionin audio në kanalin tim në youtube dhe më bëhet qejfi që fansat e mi e duan shumë këtë këngë.
CMG: Do të doje të bashkëpunoje sërish me të atë kompozitor?
Rovena Stefa: Me Limanin, po pse jo. E vërteta është se nuk kanë investuar të gjithë në muzikë. Muzika do një investim shumë të madh, në kohë dhe në para në mënyrë që të jesh në trend si producent dhe artist. Jeta evoluon, duhen marë parasysh dëshirat e njerëzve. Në rastin konkret Limani nuk merret më me muzikë.
CMG: Po në festivalin e Rtsh-së ku këndohet “live” do doje të merje pjesë?
Rovena Stefa: Në festivalin e Rtsh-së kam vite pa marr pjesë, pasi kam dëshirë që të kem një material të bukur. Do më pëlqente qoftë edhe për nostalgji, të kujtoj hapat e mi të parë aty.
CMG: Nuk të ngacmon dëshira për në “Eurovizion”?
Rovena Stefa: Po edhe ajo është një dëshirë mikluese. Të ngacmon patjetër dhe ajo dëshira për të përfaqësuar vendin, por sigurisht që ajo ka dhe shumë përgjegjësi brenda. Duhet të jetë një këngë që t’i pëlqejë si shumicës ashtu dhe kritikës.
CMG: Filloi të “binte dëborë”, më pas “paraja” hyri në mes, filloi frekuentimi i “dasmave”, ti sa vjen e bëheshe si “llokum”, e në fund “lum e lum per ty”, djali trim të ka thënë të du. Ç'të sjellin ndërmend?
Rovena Stefa: (Qesh) Sa bukur e paske bërë, me titujt e këngëve dhe albumeve të mia. Po të ishte ende epoka e albumeve, tani do kisha përfunduar albumin e 20-të.
Gjithsesi arrita të realizoj rreth 8-9 albume, ndërsa këngë solo e kanë kaluar numrin 200. Kujtoj se çdo këngë ka shumë punë, ka emocione brenda.
CMG: Rovena, u bënë rreth dy dekada që ti në tregun muzikor kryesisht në Kosovë e diasporë ke qenë shumë e kërkuar. Çfarë ke humbur dhe çfarë ke fituar ti si artiste?
Rovena Stefa: Kam fituar shumë dashuri nga njerëzit. Jam shumë e lumtur që kam fituar popullaritet dhe dashuri. Kam humbur ndoshta të pasurit e një jete më private, të kisha një familje apo dhe fëmijë. Gjithashtu kam humbur karrierën si juriste. Por me thënë të drejtën nuk jam pishman. Puna e një artisti kërkon shumë përkushtim, impenjim dhe nëse do isha martuar nuk do mund t’i bëja dot mirë të dyja paralelisht, mund të kisha dështuar diku.
CMG: Kur mendon se është koha për krijimin e një familjeje?
Rovena Stefa: Jam në atë fazën ku duhet të kem siguri të plotë në hapat që do të bëj. Jam duke e menduar për këtë (qesh).
CMG: Prici yt ideal preferon të jetë shqiptar apo i huaj?
Rovena Stefa: Prici im ideal kam dëshirë që të jetë shqiptar. Të shihemi në sy e të kuptohemi me një vështrim. Të duam jetën, të duam zbavitjen, të duam gjithçka që ka të bëj me qënien njeri, të jemi pak rebel, ashtu si kam edhe unë karakterin tim do doja edhe për të.
CMG: Rovena, ku e sheh veten pas një dekade?
Rovena Stefa: Deri atëherë do doja të bëja edhe shumë këngë të tjera, gjithashtu të kisha edhe fëmijët e mi.
CMG: Uroj të të realizohen deshirat! Çfarë do të shtoje së fundi për dëgjuesit e radio "Ejani"?
Rovena Stefa: Ju falenderoj për intervistën, jeni shumë të mirë, gjithashtu ti Sava si gjithmonë. Dëgjuesve të "Muzika shqip" dhe adhuruesve të muzikës sime u uroj sukses dhe fat në këtë vit të ri, si dhe shpresoj që ta përballojnë sa më mirë këtë situatë, e mbi të gjitha ta duan jetën.
CMG: Dhe unë të uroj që ta duash jetën, njësoj si sot! Çdo të mirë dhe suksese Rovena!
Intervistoi: Sava Lena