Vepra e fundit kinematografike e regjisores kinezo-amerikane Lulu Wang, e nominuar për “Golden Globe” për “The Farewell”, mund të surprizojë shikuesit jo vetëm me përmbajtjen, por edhe me formatin e produksionit.
Filmi me metrazh të shkurtër “Nian” është realizuar për të festuar Vitin e Ri Hënor Kinez. Wang deklaroi për “China Daily” se shpreson që narracioni fantastik t’u sjell njerëzve shpresë dhe guxim për t'u ballafaquar me të panjohurat e vitit të ri, ndërsa bota ende përballet me pandeminë Covid-19.
Filmi përqendrohet te Nian, një krijesë mitike që pretendohet të jetojë në male dhe, gjatë Festivalit të Pranverës, do të përndiqte njerëzit në fshatrat përreth. Legjenda e lashtë kineze thotë se njerëzit shpikën fishekzjarre për të trembur bishën. Protagonisja kryesore është një vajzë e vogël, Ating, që afrohet dhe krijon lidhje miqësore me Nian, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të prindërve të saj se Nian ushqehet me fëmijë.
Ambientuar në një fshat malor diku në Kinë, filmi i shkurtër eksploron një dilemë universale: Si e ekuilibrojnë prindërit inkurajimin e kuriozitetit të fëmijëve të tyre për botën dhe dëshirën instinktive për të mbrojtur pasardhësit e tyre nga dëmtimi? (Irma)