Stine, emri i vërtetë i të cilit është Ernest Duka njihet si një nga këngëtarët më të mirë të rrymës R&B në Shqipëri. Ernest Duka që në moshë të vogël ishte i dhënë pas muzikës dhe kërcimit. Ai u mësonte shokëve të tij në shkollë kërcime të ndryshme të rrymës hip-hop. Debutimi i tij në skenën shqiptare ka qenë në vitin 1997, si pjestar i një grupi të quajtur ETB 57. Në një konkurs që u zhvillua në Gjermani ai u shpall si një nga kërcimtarët më të talentuar dhe këngëtari më i mirë.
Stine iu rikthye skenës shqiptare në TOP FEST 1 në bashkëpunimin me ABIN me këngën "Lady Lady", ku fitoi trofeun e çmimit të parë. Ndërkohë ai ka fituar çmime të ndryshme në TOP FEST, në festivalin “Mikrofoni i Artë”. Sot ai punon në studion e tij, ku realizon këngët e tij, të motrës së tij këngëtare Alida, por njëkohësisht po punon për të realizuar këngë edhe për talentet e reja, duke i përkrahur artistikisht.
CMG: Të të drejtohem si Stine, apo Nesti?
Stine: Me të dyja ndjehem mirë. Të njohurit më thërrasin në emër Nesti, ndërsa artistikisht njihem më shumë me Stine. Ti Sava, mu drejto si të kesh dëshirë.
CMG: Ke mbi dy dekada që krijon dhe interpreton në skenë. Si lindi dhe u kultivua pasioni për kërcimin dhe muzikën, i cili më pas u kthye në profesion për ty?
Stine: Ishte periudha e ’97-tës kur sa kishin filluar trazirat në Shqipëri dhe në fokus kisha kërcimin. Në këtë periudhë guxuam të bënim një këngë, të krijuar nga unë e cila fliste pikërisht për këtë situatë. Konkuruam në festivalin e shkollave të mesme në atë kohë “Rin-Fest” e cila u mbajt tek Piramida. Përveç kërcimit kisha edhe talent në muzikë.
CMG: Kush e spikati talentin tënd në atë pjesëmarrje?
Stine: Edhe më parë kam punuar me kompozimin, pasi kisha në shtëpi një tastierë të vogël dhe dy diktofona ku hidhja ndonjë ide, ndonjë krijim thjesht sa për pasion. Në momentin kur u kthye pasioni në profesion, ishte mrekulli.
CMG: Cili ishte komplimenti që more në atë kompeticion?
Stine: Kur e regjistruam këngën e parë, ishte Dorian Gjoni në studio dhe më tha: “Ti djalë paske goxha talent, vazhdo më tej, nuk duhet ta lesh me kaq!”
CMG: Muza jote kush ka qenë apo vazhdon të jetë?
Stine: Ndikohem shumë nga gjërat e përgjithshme që përjetoj, qofshin ato të mira apo të këqija. Kam dëshirë çdo ditë të shkoj në studio dhe t’i shkarkoj ato energjitë positive apo negative, t’i shkarkoj në muzikë, e cila për mua është shkarkuesi më i mirë i energjive, sido qofshin ato. Primare është jeta ime, por sigurisht edhe historitë që dëgjoj nga miqtë e mi.
CMG: Sa ka arritur numri i këngë që ke realizuar deri tani?
Stine: Nuk më kujtohen saktësisht, por mendoj se kam realizuar rreth 300-400 këngë për vete bashkë me kompozimet për artistë të tjerë.
CMG: Kaq shumë? Sa këngë në vit afërsisht realizon ti?
Stine: Kam rreth 800 këngë të cilat nuk i kam publikuar ende. Është çështje frymëzimi. Mund të ndodhë që për një periudhë kohe të rri pushim për tre muaj, por ka momente që për një kohe mund të rri, të fle në studio. Ka pasur raste që brenda një jave të krijoj disa këngë. Varet si është frymëzimi.
CMG: Sa kohë ke studiuar muzikë?
Stine: Shkollën fillore deri në klasën e shtatë e kam bërë në shkollë muzike për piano. Duke qenë se e kisha larg atë shkollë, e ndërpreva për të vazhduar në një shkollë tjetër, të cilën e kisha më afër.
CMG: Cilën nga këngët e tua, do doje ta dëgjoje tani në radio "Ejani"?
Stine: Një nga këngët që publiku pëlqen më shumë.
CMG: Sa i kënaqur je me arritjet e tua deri tani?
Stine: Deri tani jam i kënaqur sepse njeriu arrin atë që kërkon të arrijë. Normal që gjithmonë do jem me plane të reja, për të sjellë më shumë muzikë për publikun.
CMG: Të jep më shumë kënaqësi të krijosh muzikë për artistë të rinj, apo të interpretosh vetë në skenë?
Stine: Të dyja rastet kanë bukurinë e vet e nuk i ndaj dot. Kur këndoj këngët që kam krijuar vetë, marr kënaqësi nga prezenca e publikut, por emocion i bukur është dhe kur një artist tjetër këndon këngën time.
CMG: Kur ka qenë vlerësimi maksimal tek këngëtarët të cilët kanë interpretuar këngën tënde?
Stine: Mund të ketë plot këngë të bukura që ndoshta nuk janë vlerësuar në kompeticione apo festivale, por mendoj se edhe ato kanë marë vlerësimin e publikut sepse këngët e tyre janë bërë “hit-e”.
Për shembull, rasti i këngës “Jo s’e di” e kënduar nga Laura Nezha, ajo u pëlqye masivisht dhe ky është çmimi për mua.
CMG: A ja vlen në kohët e sotme të kesh si profesion muzikën?
Stine: Nga eksperienca ime mendoj se ia vlen. Personalisht edhe nëse nuk do të fitoja asgjë nga muzika, është diçka të cilën nuk e shmang dot nga jeta ime. Mua më mbush më shumë nga ana shpirtërore. Kur e kam nisur muzikën nuk kam menduar për fitimet që do më sjellë muzika, por sigurisht që me kalimin e kohës, duke punuar mirë të ardhurat vijnë pas.
CMG: Të shohim shohim se e bën shpesh udhëtimin Shqipëri-Gjermani. Çfarë të lidh ty kaq shumë me këtë shtet?
Stine: Gjermania është vendi ku kam kaluar pjesën më të vështirë të adoleshencës, si edhe atë më të bukur. Ndërsa tani shkoj si vizitor sepse kam dhe familjen aty. Nuk më pëlqen më që të jetoj aty.
CMG: Në fillimet e tua, ke marr pjesë në audicione kërcimi, ku edhe je vlerësuar aty?
Stine: Shkova në Gjermani në fazën, ku sapo isha bërë i famshën në Shqipëri pasi fitova çmimin e parë në “Top-Fest” dhe më erdhi shumë keq që e lashë Shqipërinë në një moment aq të bukur. U deshën rreth dy vite që të ambjentohesha deri sa mësova gjuhën gjermane dhe arrita të hyja në linjën e aktiviteteve artistike aty. U regjistrova në kompeticione për kërcimin ku jemi vlerësuar me çmimin e tretë. Për mua ishte një formim i mirë sepse kur u ktheva në Shqipëri isha më i përgatitur.
CMG: Viti i pandemisë 2020-ta ishte shumë produktiv për ty. Por si do e konsideroje ti?
Stine: Kur mblidhemi me shoqërinë unë e përdor si batutë këtë punën e pandemisë, të cilën ja kam thënë shpesh herë dhe miqve se; “Një artist që të bëjë këngë të mira, duhet që të vetëizolohet në studio”. Në kohën kur u izoluan të gjithë, për mua ishte diçka normale dhe kreative, se unë sa herë që punoj në studio, mbyllem me ditë të tëra. E kam shmangur në këtë lloj mënyrë energjinë negative që na shfaqej nëpër lajme.
CMG: Çfarë planesh ke për 2021-shin?
Stine: Plani i parë është që të përfundoj albumin, të bëj një koncert recital dhe kam dëshirë që të afirmoj sa më shumë artistë të rinj, pasi në kohën kur e nisa unë muzikën nuk më ndihmoi askush. Nëse në fillimet e mia do të më ndihmonte dikush, s’do ta harroja gjithë jetën.
CMG: Ti Stine dhe Alida, vëlla e motër merreni me kërcim e muzikë. Por cili nga ju e nxiti si fillim tjetrin për të vazhduar këtë rrugë të artit?
Stine: Alida edhe pse ka mbaruar për kanto, nuk e zhvillonte shumë muzikën. Kam qenë unë që e kam nxitur të vazhdojë më tutje. Ndërsa unë e kam pasur muzikën 24 orë me vete. Kur isha në Gjermani i thoja Alidës se do ta përçojë energjinë time te kënga. Ajo nuk e besoj në atë fillim se do ecja mirë, por kur e pa suksesin tim, atëherë shprehu dëshirën që ta marrë seriozisht muzikën edhe vetë ajo.
CMG: Cilat janë planet në vazhdim për të realizuar bashkë?
Stine: Në albumin tim do ta kem një këngë me Alidën, por edhe ajo do e ketë një bashkëpunim me mua në albumin e saj. Kemi realizuar disa projekte, por na duhet të zgjedhim dy më të mirat, në mënyrë që t’i kthejmë qokën njëri-tjetrit (qesh).
CMG: Je përfolur shumë për jetën tënde private. Çfarë do na tregoje për dëgjuesit e radio "Ejani"?
Stine: Jam i plotësuar, një familjar i denjë. Familja është e shenjtë dhe e shtrenjtë dhe jam shumë i kënaqur.
CMG: Çfarë do na thoje për dëgjuesit e radio “Ejani”?
Stine: Do u thoja që të qëndroni sa më shumë në radio e të dëgjoni muzikë të mirë, të zgjedhur sepse youtube dhe interneti ndonjëherë të çon në muzikë të gabuar. Personalisht sa herë jam në makinë e dëgjoj shumë radion, aq më tepër kur ka edhe prezantuese të përgatitura si ty, Sava (qesh). Unë të falenderoj që më përzgjodhe në programin “Muzika shqip” dhe shpresoj që të jem i ftuar sërish. Vetë radio ka një magji, pasi një këngë e dëgjuar një herë në radio, vlen sa një milionë herë e klikuar në youtube. Dëgjuesve tuaj ju uroj një vit sa më të mbarë dhe shëndet të mirë.
CMG: Të falenderoj shumë për këtë bisedë dhe të ftoj sërish kur të publikosh albumin tënd muzikor ta prezantojmë në programin “Muzika shqip”.
Intervistoi: Sava Lena