Irma Libohova është një emër me shumë peshë në muzikën shqiptare. Me gati 50 vite karrierë, Irma vijon të bëjë muzikë me po të njëjtin intensitet, me po të njëjtin ritëm, dashuri dhe dëshirë. Me një prezencë unike në skenën mbarëshqiptare Irma është një personalitet i muzikës dhe diamant që ka shkëlqyer që në fillimet e karrierës së saj, pa e humbur asnjëherë dashurinë e publikut.

Irma Libohova, këngëtarja e cila jeton tek publiku me këngët e saj jo vetëm në skenat e festivaleve të këngës në RTSH ndër vite, por dhe në skena të tjera, vijon të jetë në qendër të vëmendjes për krijimtarinë e saj. Zëri i vlerësuar mes një brezi artistësh, që i dhanë shumë skenës së muzikës shqiptare ndër vite. Me dekada karrierë muzikore, ajo ka një repertor shumë të pasur në këngë, ku nuk mungojnë dhe çmimet në festivale të ndryshme. Një artiste që interpereton mjeshtërisht këngët popullore nga të gjitha trevat e vendit, ku ngjyrat e zërit të saj i përshtaten mjaft mirë çdo kënge të çdo krahine.

Në një intervistë ekskluzive në Radio Ejani për emisionin Bio Folk, Irma na tregon për aktivitetet e saj artistike si dhe projektet në të ardhmen.

Irma Libohova në skenë

Irma Libohova në skenë

CMG: Znj.Libohova faleminderit dhe mirë se erdhe në Bio Folk.

Irma Libohova: Faleminderit shumë dhe është kënaqësi për mua. Kush nuk do të donte që të ishte pjesë e kësaj radioje, që ka një muzikë të filtruar dhe transmeton vërtetë muzikë të bukur. Është kënaqësi tjetër nësë produksionet e mia më të fundit do të transmetoheshin në Radio Ejani, pasi unë jam një person që i realizoj dhe i mbaj aty, nuk i nxjerr, mirëpo shpresoj që Radio Ejani t’i transmetojë sepse vërtetë kanë cilësi dhe janë të bukura.

CMG: Faleminderit shumë që na jepni të drejtën të transmetojmë produksionet tuaja muzikore. Jemi akoma në kohën e pandemisë ku dhe shumë aktivitete janë pezulluar. Ju si artiste sa e keni ndjerë mungesën e aktiviteteve gjatë kësaj periudhe?

Irma Libohova: Unë duke qenë një natyrë përgjithësisht optimiste nuk është se kam menduar shumë që të më rrëzojë situata e pandemisë. Shpirtërisht jo, mirëpo problem i artistëve është kontakti me publikun dhe ne ky na mungon. Sido që të këndosh me playback ose online, në të gjitha mënyrat që na imponoi situata nuk është keq, por emocioni i drejpërdrejt është jeta e artistit dhe në këtë kuptim besoj pandemia i ka bërë dëm artistëve. Shpresoj të kalojë sa më shpejt kjo situatë dhe të rimarrim marshin e duhur e xhirot e jetës dhe artistët të vazhdojnë të prodhojnë, sepse kam përshtypjen që ka edhe një lloj ndalese në krijimtari, sepse nuk ka hapsira për ta kënduar këngën.

Irma Libohova në spektakël

Irma Libohova në spektakël

CMG: Ju thatë se ju mungon publiku fizikisht, por nga ana tjetër virtualisht jeni aktive në rrjetet sociale si Instagram, duke mbajtur kontaktet me fansat tuaj.

Irma Libohova: Është e vërtetë dhe kjo është një e mirë që mund të kenë rrjetet sociale, që nuk humbasim kontaktin me publikun dhe herë pas here postojmë pjesë por edhe nostalgji apo ndonjë këngë të re, qoftë dhe ndonjë mendim dhe kjo është gjë shumë e mirë. Sa për rrjetet sociale personalisht me të thënë të drejtën jam e rezervuar, por postoj kur kemi pasur ndonjë aktivitet siç ishte “Këngë moj” apo Viti i ri, pra kemi mbajtur komunikimin gjallë nëpërmjet rrjeteve sociale.

CMG: Ju përveçse në Shqipëri jeni shumë e preferuar edhe në diasporë si dhe Kosovë ku keni qenë shpesh e ftuar në festa dhe eventet artistike.

Irma Libohova: Ne nuk duhet të harrojmë edhe pjesën tjetër të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut sepse edhe ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e shqiptarëve. Unë në Kosovë kam gati 30 vjet që jam prezent dhe pak më pak jam prezente edhe në Maqedoninë e Veriut te festat e tyre dhe është gjë shumë e mirë për artistin që të rrok shpirtërisht dhe fizikisht të gjitha trevat shqiptare. Unë ja kam arritur jo vetëm në Kosovë, jo vetëm te shqiptarët e Maqedonisë por edhe te shqiptarët e Malit të Zi dhe kudo ku gjuha shqipe është dominante.

Irma Libohova në vitet 80-të

Irma Libohova në vitet 80-të

CMG: Në fillim të kësaj interviste përmendët se keni realizuar disa produksione muzikore, por nuk i keni publikuar. Janë këngë që i përkasin trevave të ndryshme të folkut shqiptar?

Irma Libohova: Unë kam dëshirë që t’i prek të gjithë trojet tona me muzikën e tyre të mrekullueshme sepse Shqipëria është një pasuri, pra dhe trevat me shqiptarë si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia janë një pasuri përsa i përket larmisë së këngëve dhe unë kam shumë dëshirë me mundësitë e mia t’i prek këngët më të bukura. Së fundi kam realizuar disa këngë si “Kur e përcolla ylberin”, e cila më ka pëlqyer gjithë jetën dhe e kam risjellë. Një këngë tjetër është me motive të jugut, një tjetër potpuri është prapë e jugut. Ndërsa nga Shqipëria e mesme hera herës përsiatem, por kanë bërë shumë të tjerë dhe unë kam bërë pushim. Kam bërë edhe këngë shkodrane si dhe të shqiptarëve të Ulqinit të cilat janë inçizime që për hir të vërtetës nuk i kam publikuar, por Radio Ejani dhe emisioni Bio Folk do t’i keni ekskluzive për t’i transmetuar.

Irma Libohova interviste per CMG

Irma Libohova interviste per CMG

Thjesht më pëlqen muzika shqiptare dhe ato këngë që kanë qenë më përpara dhe të cilat kanë qenë shumë të bukura dhe vlera. Nuk është se nuk ka sot prodhim, por nga prurja e madhe është shumë vështirë të dallosh të mirën. Me dëshirën që kam besoj që do vazhdoj sa të kem zërin, por edhe videon jo vetëm audion.

CMG: Ju Irma keni një arktiv të madh interpretimesh në muzikën e lehtë shqiptare dhe atë popullore. Keni sjellë ndonjëherë në mendje të realizoni një koncert recital?

Irma Libohova: Ke shumë të drejtë dhe kush është ai artist që nuk do të donte ta bënte një recital, aq më tepër që unë kam 50 vjet që jam në skenë, sepse kam filluar shumë e vogël të këndoj dhe kam tashmë eksperiencën dhe repertorin, por dhe kohën dhe pjekurinë e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Profesionalisht nuk më mungon asgjë sepse natyra të fal një mundësi që është talenti, por nuk të fal disa gjëra të tjera sepse unë nuk kam veti organizative. Pikërisht më duhet një staf njerëzish të mirë dhe punëtorë që nëse do ta bëjmë këtë recital, të kenë dëshirën e mirë për të ma bërë duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e mia artistike, shpirtërore, fizike për të bërë një produksion të bukur. Unë shpresoj se do të ndodhi kjo, por në kërkimin e stafit të duhur sigurisht që kjo merr kohë.

CMG: Kur të mbarojë pandemia dhe të rikthehemi në normalitet, cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit?

Irma Libohova: Gjëja e parë që unë do të doja shumë që të kisha një stadium me 10 mijë njerëz dhe të bërtisja pafund e të këndoja, por jo vetëm unë edhe ata të këndonin bashkë me mua, duke ftuar edhe gjithë artistët dhe të na shkonte zëri në kupë të qiellit.

CMG: Ju ishit e pranishme edhe në spektaklin televiziv muzikor “Këngë moj”. Si u ndjetë aty edhe pse pa publik?

Irma Libohova: Besoj se ishte një spektakël i bukur dhe unë isha pjesë e tij. Spektatorë kishim artistët, pra ne ishim spektatorë të njëri- tjetrit. Ky spektakël emocionin e vet e përcolli në television, por problem është i artistëve që nuk marrin atë feedback-un.

Dua të bëj një krahasim se çfarë ëshë të këndosh me playback dhe të këndosh live pa spektatorin tënd, është njësoj si dy të rinj që duhen shumë dhe ai i thotë asaj je shumë e bukur, por nuk të prek dot me dorë dhe të njëjtën gjë i thotë dhe ajo, je i mrekullueshëm, por nuk të prek dot me dorë. Në fakt kontakti fizik për dy njerëz që duhen është vetë dashuria, kështu është dhe puna jonë me publikun, unë e ndjej këtë mungesë dhe më ka krijuar një boshllëk që shpresoj se shumë shpejt mua dhe të gjithë kolegëve të na rikuperohet kjo mungesë.

CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi?

Irma Libohova: Unë kam shumë ide vetëm se kam shumë kërkesa ndaj vetes dhe shumë pretendime. Për momentin kam dëshirë të bëj një baladë, kjo është vetëm projekt dhe tekstin e kam bërë vetë. Unë i jap prioritet edhe kompozitorëve të rinj, kur ata vërtetë kanë krijimtari cilësore. Në fokus kam Enis Mullaj sepse është kompozitor i ri dhe i talentuar, që bën dhe produksione të mira dhe kam dëshirë të bëj diçka me të.

CMG: Faleminderit shumë që ishe pjesë e emisionit Bio Folk. Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.

Irma Libohova: Përshëndes të gjithë ata që e dëgjojnë Radio Ejani dhe më vjen mirë që kjo radio ka filtra ku transmeton vërtetë muzikën e bukur dhe cilësore, por pse jo dhe muzikën e hershmë që teknikisht është sjellë në kohë, siç kam bërë unë dhe kolegë të tjerë. Ju uroj suksese!


Intervistoi: Gazmend Agaj