Festivali i Filmit i Kanës, i anuluar tërësisht vitin e kaluar nga pandemia, do të shtyhet këtë vit nga maji në korrik, me shpresën për të pasur një festival "të drejtpërdrejtë".
Organizatorët e Kanës njoftuan se edicioni i sivjetshëm do të zhvillohet më 6-17 korrik, rreth dy muaj pas periudhës kur organizohet zakonisht. Festivali i Rivierës Franceze, që ishte organizuar për gati 75 vjet me pak ndërprerje, shpreson që koronavirusi të largohet gjatë verës.
Edicioni i 73-të i festivalit vjet fillimisht u shty për në qershor ose korrik para se të anulohej përfundimisht. Festivali megjithatë vazhdoi me një njoftim përzgjedhjeje të filmave që ishin planifikuar të përfshiheshin në konkurrim.
Këtë vit organizatorët synojnë që festivali të zhvillohet në çfarëdo mënyre, por nuk janë dhënë detaje se çfarë forme mund të marrë ai.(Zhan Dian/Artan)