Teuta Tenolli është një këngëtare e njohur e muzikës shqiptare, e cila ka nisur të këndojë që në fëmijëri pranë ish-Pallatit të Pionerëve në Tiranë ku ka fituar dy çmime të para, më pas në Liceun Artistik, për të vijuar rrugëtim në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në vazhdim të karrierës së saj Teuta lëvroi të kënduarin jashtë këtij zhanri, më këngë që i përshtaten më shumë publikut në përgjithësi. Ishte muzika ajo që shkoi tek Teuta, zë që u zbulua nga muzikologu i njohur Robert Radoja.
Teuta kishte dëshirë të studionte gjuhën frënge kur nisi studimet në Akademinë e Arteve. Më pas, me pengun pse nuk vazhdoi studimet në frëngjisht, ajo i dedikoi muzikën frëngjishtes, sepse vazhdon të interpretojë pjesë nga repertori i këngëtarëve francezë. Muzika popullore qytetare lëvrohet nga kjo artiste më së miri, duke sjellë për publikun këngë popullore nga treva të ndryshme të Shqipërisë.
Në një intervistë për Radio Ejani, Teuta na tregon për karrierën e saj artistike si dhe publikimet e reja në fushën e muzikës.
CMG: Teuta është kënaqësi të të kem të ftuar në emisionin Bio Folk.
Teuta Tenolli: Mirë se ju gjeta dhe shpresojmë të rikthehemi menjëherë në normalitet, sepse jemi në një periudhë shumë të vështirë të kësaj kohe të pandemisë.
CMG: Jemi në kohën e pandemisë. Sa ka ndikuar për ju si artiste kjo periudhë ?
Teuta Tenolli: Të them të drejtën në fillim e mora si me pak trishtim dhe ankth si çdokush. Është bërë gati një vit që nuk e kemi lëvruar fare muzikën live, sepse unë vërtet njihem si artiste e muzikës lirike klasike, por mbas largimit nga Teatri i Operas punova shumë me muzikën live. Mua ato më mungojnë shumë tani, por duhet të themi se nga gjithë të këqijat mendova se ka dhe diçka të mire, për arsye sepse unë po i risjell duke punuar shumë me materialet e mia muzikore të reja, që i kam publikuar në kanalin tim në YouTube.
CMG: Sa ju mungon spektatori në eventet artistike live?
Teuta Tenolli: Me të vërtetë që unë po punoj shumë, por siç e përmenda unë jam këngëtare e muzikës live ku e merr suportin pozitiv direkt nga publiku. Audienca sigurisht që më mungon shumë, por mendoj të jetë një kohë e shkurtër dhe dëshiroj që edhe krijimtaria e re që kam bërë të këndohet në eventet live. Mendoj që krijimtaritë e reja që po bëj do të ngelin në memorie të një periudhe shumë të vështirë që po kalojmë.
CMG: Kur keni punuar në eventet me muzikë live, por çfarë këngësh kërkonte publiku të dëgjonte nga repertori juaj?
Teuta Tenolli: Unë vij nga lirikja dhe si këngëtare klasike i kam provuar të gjitha zhanret e muzikës, si këngët e malësisë dhe ato patriotike. Te muzika popullore kam repertor të këngëve shkodrane, serenatat korçare dhe aty gjendem shumë mirë. Atë këngë që e këndoj e mendoj shumë mirë për t’i dhënë formën e duhur këngës. Jam munduar që mos dal asnjëherë nga vetvetja dhe realiteti i këngës, sepse mua nuk më lejohet të bëj gabime.
CMG: Ju dalloheni si një këngëtare shumë e kujdesur gjatë performancave dhe publikimit të këngëve.
Teuta Tenolli: Pikërisht atje ku këndonde live Teuta nuk mund të vinte një mysafir i një kënge tallavaje. Pra unë njihesha për serenatat, këngët franceze sepse unë me ato u lançova menjëherë pas largimit nga Teatri i Operas dhe ardhja ime nga koncertet që zhvilloheshin jashtë dhe gjithë njerëzit më vlerësonin. Unë kam luajtur shumë me vokalin, por të jemi realist se gjer sa unë jam e formuar nuk kam arritur ta prish vokalin, duke e ruajtur ngrohtësinë e shkollës dhe edukatën e të kënduarit.
CMG: Përveç koncerteve në Shqipëri ju gjithashtu keni qenë edhe në evente artistike jashtë vendit. Sa i përmalluar është publiku shqiptar që jeton jashtë për këngët shqiptare?
Teuta Tenolli: Unë kam qenë që në vitet 1992-93 me koncerte jashtë dhe publiku ishte shumë i përmalluar. Kam provuar edhe koncerte për shqiptarët në Itali këto kohët e fundit dhe na kanë pritur shumë mirë, pra kam provuar mall në kohë të ndryshme. Kurbeti më ka dhënë dashuri, durim dhe shumë repertor.
CMG: Kohët e fundit ju keni publikuar disa materiale muzikore. Mund të na thoni çfarë këngësh të reja keni sjellë për publikun?
Teuta Tenolli: Unë humba babain me të cilin kisha lidhje të jashtëzakonshme. Ne këngëtarët nganjëherë shkruajmë edhe tekste por edhe ndonjë vijë melodike dhe bëra një këngë që ja kushtova babait tim. Kam bërë këngën e hënës, në një formë rege, që është mirëpritur, kënga e nënës “8 mars pa ty” është edhe ajo shumë interesante dhe që është pëlqyer. Para pak kohësh publikova një kolazh kosovar duke je dedikuar origjinës së babait dhe kam bërë dhe një këngë tjetër “Sy jeshile” dhe të gjithë këngët gjenden në kanalin tim YouTube. Unë jam një këngëtare që i këndoj historive personale.
CMG: Teuta faleminderit për këtë intervistë dhe ju uroj suksese.
Teuta Tenolli: Faleminderit juve dhe uroj shëndet për të gjitha familjet shqiptare.
Intervistoi: Gazmend Agaj