Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi jane këngëtarë të njohur të muzikës popullore shqiptare. Hysni Alushi në fillimet e tij, ka qenë pjesë e Grupit Polifonik të Çelo Mezanit, ku merrnin pjesë në aktivitete të ndryshme që organizonte Pallati i Kulturës. Më vonë nxjerr albumin e tij të parë me këngë çame, të titullar "Zemra e Çamërisë". Më pas ai bashkëpunoi me Enkelejdën, mbesën e tij, bashkëpunim ky i cili ishte mjaft i susksesshëm. Enkelejda Arifi (Alushi) këndon kryesisht këngën çame por edhe ato të jugut dhe Shqipërisë së mesme. Ajo është e martuar në Gjilan, ku punon dhe vepron atje, si dhe ka marrë shumë çmime e mirënjohje për interpretimet e saj.
Hysni Alushi sëbashku me Enkelejdën, kanë marrë pjesë në shumë evenimente dhe festivale, ku dhe në disa prej tyre janë kurorëzuar me çmim të parë, ku mund të kujtojmë: "Maratonën e këngës popullore", "100 këngët e shekullit", "Festivali i Sarandës", e të tjera. Pjesëmarrës kanë qenë edhe nëpër koncerte në Diasporë, si: Danimarkë, Kanada, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi etj. Gjëja që i veçon nga këngëtarët e tjerë, është ajo se ato kanë kënduar apo janë paraqitur me këngë çame dhe përfaqësojnë gjithmonë krahinën e tyre Çamerinë, duke mos lënë anash edhe këngët e veriut, të Shqipërisë së mesme, etj.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin Bio Folk ata flasin për aktivitetet e tyre artistike si edhe projektet në të ardhmen.
Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi ne interviste per CMG
CMG: Enkelejda dhe Hysni ju falenderoj që jeni të ftuarit e emisionit Bio Folk.
Enkelejda Arifi: Faleminderit dhe kënaqësia është e jona
Hysni Alushi: Ju falenderojmë për ftesën dhe ju urojmë një vit sa më të mirë dhe të bukur.
CMG: Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë botën, por edhe për artistët. Si e keni përjetuar kohën e pandemisë?
Enkelejda Arifi: Fillimisht mund të them që unë e kam shijuar sepse kam qenë me familjen time pas shumë vitesh. Sigurisht dy muaj u shty i treti dhe nuk durohej më sepse u bë tepër. Na mungonte skena dhe muzika sepse ajo për ne është mënyrë e të jetuarit, por sigurisht që është edhe ana ekonomike, e cila është ndjerë shumë. Gjithësesi mendoj që ka qenë shumë e vështirë sepse përpos kontaktit me njerëzit kemi humbur dhe shumë njerëz të dashur, qoftë familjarë apo të njohur, por dhe shumë njerëz të skenës dhe ekranit. Mendoj që kjo ka qenë goditja më e rëndë që i është bërë komunitetit artistik dhe muzikor.
Hysni Alushi: Është e vërtetë ajo që tha Enkelejda që na ka munguar skena, por neve gjatë kohës së karantinës në qytetin e Durrësit kemi mbajtur koncerte në të gjitha lagjet e qytetit dhe ka qenë një ndjesi tjetër kur e shikon spektatorin nga ballkoni apo dritarja dhe shkallët e pallatit duke marrë duartrokitjet, nuk kishte kënaqësi më të madhe. Ne bëmë aq sa mundëm si artista për t’ua larguar atë stress, që kishte ndodhur në të gjithë botën. Uroj që ky vit mos të ketë më të tilla pandemic, sepse siç tha Enkelejda kemi humbur njerëzit e dashur dhe shumë shok dhe miq.
CMG: Sigurisht që keni qenë në kontakt me fansat tuaj, duke publikuar materiale muzikore. Besoj se publiku ju ka munguar fizikisht, por jo virtualisht
Enkelejda Arifi: Absolutisht virtualisht nuk na ka munguar, sepse kanë qenë kontaktet qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale, por edhe nëpërmjet televizioneve ose radiove të ndryshme ku kemi pasur lidhje të shpeshta me dashamirësit tanë, por dhe me gjithë shikuesit. Kjo ka qenë mund të them një dozë zbutje e asaj largësie që kemi pasur me ta. Komunikimi ka qenë i mirë ku kemi interpretuar live pjesë me instrumenta akustikë apo piano, por që nuk kanë munguar kontaktet me publikun.
Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi ne skene
CMG: Po juve Hysni sa ju ka munguar publiku në skenë apo evente të ndryshme artistike?
Hysni Alushi: Mendoj që nuk na ka munguar për arsye se kjo kohë e izolimit për shkak të pandemisë njerëzit i bëri më afër, duke u dëgjuar dhe parë nëpërmjet telefonit me njëri- tjetrin. Shumë njerëz e kanë gjetur kohën që të jenë më afër njëri- tjetrit sepse kishin kohë pa komunikuar, por erdhi koha që të qëndrojnë më afër duke komunikuar dhe pyetur për shëndetin dhe të afërmit të gjithë dashamirësit tanë.
CMG: Enkelejda ju me origjinë jeni came, por keni jetuar në Durrës dhe jeni e martuar në Gjilan. Përveç këngëve çame interpretoni po aq bukur edhe këngë të trevave të tjera, por edhe muzikën e lehtë. Kjo besoj është një arritje për një artist.
Enkelejda Arifi: Unë mendoj se ajo lind me personin dhe është një avantazh për një artist të interpretojë rryma të ndryshme, por ajo që unë mendoj se ka qenë dhe shkaktar, është trashëgimia familjare nga e cila kam trashëguar muzikën popullore, por kultivoj dhe zhanre të tjera sidomos muzikën e lehtë dhe argëtuese. Unë kam studiuar flaut dhe kështu që ka ndikuar që të zotëroj edhe zhanre të tjera që i përkasin muzikës së lehtë. Është kënaqësi gjithmonë që t’i lëvrosh të gjitha rrymat e muzikës.
CMG: Ndërkohë që ju Hysni jeni nga këngëtarët e hershëm të këngës çame dhe këngëve të trevës së jugut. Më vonë erdhi bashkëpunimi me mbesën tuaj Enkelejdën, duke kulmuar më këngën “Mall për Çamërinë”.
Hysni Alushi: Po është e vërtetë, që siç tha edhe Enkelejda kënga shkon trashëgimi. Unë e mora nga babai ndërsa Enkelejda e mori nga gjyshi kështu që kjo vazhdoi të kultivohet dhe do të kultivohet edhe në brezat e tjerë që do të vijnë, te fëmijët tanë. Është e vërtetë që muzika lind në shpirt dhe nuk është diçka që mund ta përfitojë çdo njeri për të kënduar ose për të luajtur në instrumenta.
CMG: Aq të bukura janë këngët çame sa kur ju interpretoni i gjithë publiku shqiptar kënaqet dhe argëtohet me këngët tuaja.
Enkelejda Arifi: Jo vetëm muzika çame, por muzika shqiptare në përgjithësi nga të gjitha trevat është shumë e bukur dhe e larmishme. Unë mendoj që jemi një popull që jemi shumë të pasur me treva, me muzikë të bukur dhe veshje shumë të bukura, ku janë njera më e bukur se tjetra. Unë mendoj që muzika popullore është një thesar që duhet ta ruajmë. Është e vërtetë se që në notat e para kur bien të muzikës çame të gjithë ngrihen në këmbë dhe kanë dëshirë të këndojnë dhe kërcejnë, por edhe kur këngët nuk janë të gëzueshme për të kërcyer, kur ka këngë vaji apo këngë malli, siç është dhe kënga jonë “Mall për Çamërinë”, njerëzit e këndojnë të gjithë pa marrë parasysh moshën dhe kjo është një ndjesi shumë e veçantë. Në të njëjtën kohë bën të ndjehesh krenar për përkatësinë se nga vjen apo trevën që ke dhe pasurinë që ka ajo trevë.
Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi
CMG: Nëpër evente të ndryshme ju kemi parë gjithmonë bashkë, por keni qenë ndonjëherë edhe të ndarë. Mendoni se publiku ju do bashkë?
Hysni Alushi: Normal që është krijuar ajo ndjesia që na shohin gjithmonë bashkë, por neve kemi kënduar edhe veç e veç, kur kemi pasur projektet tona. Edhe në projektet e Shqipërisë së mesme të dy kemi luajtur. Avantazhi jonë përsa i përket trevave të tjera ekziston sepse ne jemi rritur në Shqipërinë e mesme dhe nuk na pengon dialekti për të kënduar edhe në trevat e ndryshme. Një artist nga jugu e ka pak më të vështirë të luajë në Shqipërinë e mesme ose në veri dhe kjo është një avantazh për ne të dy.
CMG: Jemi në muajin e parë të viti 2021. Çfarë projektesh keni për këtë vit të ri që sapo ka nisur?
Enkelejda Arifi: Po janë planet që kanë ngelur nga viti 2020 ku kemi pasur në plan të bëjmë një duet tjetër me Hysniun ndërsa unë të bëjë një këngë solo për ta përfunduar, mirëpo pandemia na pengoi. Sigurisht që këto projekte do të përfundojnë këtë vit. Ka edhe plane të tjera që duhet t’ ja lemë kohës.
Hysni Alushi: Siç e përmendi dhe Enkelejda kishim projekte për vitin 2020 duke menduar se u bë shumë kohë që nuk po sillnim ndonjë të re, pavarësisht që kemi bërë materiale të tjera ku kemi sjellë potpuri të ndryshme nga trevat, por menduam të sjellim krijimtari të re sepse ishte momenti i duhur. Mendoj se në vitin 2021 do të kemi përpara ditë më të bukura dhe më të mira dhe do t’i realizojmë planet që na kanë mbetur përgjysmë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk?
Enkelejda Arifi: Dëshiroj të përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk. Së pari, dua tju them që të kenë jetë dhe shëndet sepse është kryesorja sot për ditët dhe kohën që jeton gjithë bota. Së dyti, këshilla ime është kjo, që njerëzit tanë t’i duam sepse janë shumë të rëndësishëm për ne dhe duhet t’i vlerësojmë.
Hysni Alushi: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe stafin tuaj sepse ju sillni buqeta të bukura nga të gjithë trevat shqiptare dhe kanë kënaqësinë ta dëgjojnë muzikën shqiptare të mirëfilltë.
Intervistoi: Gazmend Agaj