CMG: Pëshëndetje Alida! Çfarë vendi zë kërcimi dhe çfarë vendi zë muzika në karrierën tënde ?
Alida Duka: Përshëndetje Sava! Faleminderit për ftesën! E kam ndjekur programin dhe më ka pëlqyer. Muzika, kënga për mua zë vendin e parë mbi të gjitha ndërsa kërcimi është diçka që e plotëson artistin. Për mendimin tim një artist duhet të jetë i kompletuar për të pasur performancë sa më të mirë për publikun dhe për fansat e tij.
CMG: Vëllai yt Stine është shumë i dashur për publikun shqiptar. Në familjen tuaj kush e spikati talentin për muzikën?
Alida Duka: Stine është shumë pozitiv, ne e kemi si familje pozitivitetin, jemi të dashur me njerëzit. Jam motra e madhe e Stines dhe kur kam qenë në kopësht, ishin edukatoret ato që i kanë treguar prindërve për talentin tim dhe i orientuan që të më çonin në shkollën e muzikës. Kam qenë në moshën 5 vjeçare kur prindërit më regjistruan në një konkurs, aty fitova çmimin e parë. Më futën në shkollën e muzikës për piano dhe 3 vite më pas regjistruan Stinen për violin, pasi edhe ai ishte shumë i talentuar. Kështu e nisëm rrugën e muzikës dhe për këtë i jam falenderuese prindërve.
CMG: Çfarë kujton nga fillimet e tua?
Alida Duka: Kemi bërë shumë sakrifica për të studiuar në shkollën e muzikës në Peshkopi. Niseshim që në orë 6.30 të mëngjesit për të shkuar për në shkollë, rrugët kanë qenë plot me dëborë. Shkolla ishte në hyrje të Peshkopisë dhe shtëpinë e kishim në dalje të qytetit, ku na duhej ta përshkonim gjithë qytetin në këmbë. Janë kujtime që nuk fshihen kurrë.
CMG: Cilën këngë nga repertori yt, do doje ta dëgjoje në këto momente në valët e radio “Ejani”?
Alida Duka: Do doja t’i dëgjoja të gjitha. Unë gjatë ditës dëgjoj vetëm këngë shqip, pasi rreth 90 % të ditës jam në makinë dhe vendos play-listën në telefon. Po ta lë ty në dorë zgjedhjen.
CMG: Ti jeton prej vitesh në Gjermani. Na trego pak për fillimet e tua aty?
Alida Duka: Si çdo emigrant, fillimet nuk kanë qenë të lehta, por mendoj se njeriu i shkathët e gjen rrugën e tij kudo që të jetë.
CMG: Si është të bësh art në një vend të huaj?
Alida Duka: Unë u largova nga Shqipëria në vitin 1997, ndërsa me Stinen u vendosëm bashkë në Gjermani në vitin 1999. Më pas dëgjuam që do hapej një kompeticion muzikor në Shqipëri dhe kjo ishte ëndrra ime. Kështu vendosëm bashkë me Stinen për të marr pjesë në Top-Fest. Aty konkurova me këngën “Shihemi në Party”.
CMG: Cili është kulminacioni që ti dëshiron të arrish në jetë?
Alida Duka: Normal që njeriu e ka një pikësynim në jetën e tij. Pikësynimi është që të publikoj albumin tim këtu ku jetoj në Gjermani. Vitin që lamë pas kisha më shumë kohë që të merresha me të dhe gjithçka tani është drejt përfundimit. Kam bashkëpunime me rrepistë gjermanë dhe agjensi gjermane. Shanset janë shumë të mira, tani shpresoj të dalë sa më parë.
CMG: Në vitin e kaluar ke publikuar mjaft këngë dhe videoklipe. Si ke arritur të realizosh kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër?
Alida Duka: Është e vërtëtë. Të gjithëve u ka rënë shumë në sy kjo gjë. Kam punuar për 14 vjet si zv.menaxhere në një hotel në Gjermani dhe në muajin prill për arsye të Covid-19 u detyrova që ta lija punën te hoteli për të hapur më pas biznesin tim. Kam pasur ekstremisht punë, por kisha dhe kohë të lirë, të cilën e planifikoja të gjithën për vete. Më përpara kam patur kohë vetëm fundjavave, të cilat i planifikoja për të lëvizur nëpër koncerte dhe nuk më dilte koha të merresha me materiale të reja muzikore. Gjatë vitit 2020 përveç Covid-it, për mua pati shumë gjëra pozitive. Kisha kohë të lirë për të publikuar rreth 60 % të projekteve të mia. Kam ende materiale të pa publikuara me Ingrid Gjonin me Stinen i cili nuk doli në shtator, por janë këngë që do dalin në vazhdim.
CMG: Na trego pak jetën private?
Alida Duka: Jetë private nuk kam fare. Gjatë ditës i kushtohem punës, dhe në fund kur realizoj gjithçka jam shumë e lumtur dhe marr adrenalinën për të vazhduar projektet për muzikën. Gjithashtu kujdesem për mamin, motrën pasi i kam të gjithë afër shtëpisë sime. E di që nuk e beson njeri, por nuk i kam kushtuar kohë jetës private. Shpresoj që pasi të publikoj albumin tim muzikor, ju jap fjalën se do i kushtoj më shumë vëmendje.
CMG: Të tërheqin më shumë meshkujt shqiptarë apo ata gjermanë?
Alida Duka: Për meshkuj nuk dua të flas fare, pasi jam shumë e zhgënjyer. Preferoj që atë kohë të lirë që kam të rri vetëm ose t’ja kushtoj familjes, sesa dikujt që nuk ja vlen. Nuk mund të flas kokretisht për shqiptarët apo gjermanët.
CMG: Ke premtuar se do të sjellësh në janar një këngë dhe videoklip të ri. A mund ta promovojmë në programin “Muzika shqip”, në radio “Ejani”?
Alida Duka: Patjetër! Kënga me titullin “A ke ?” është një bashkëpunim me MO43, është një këngë të cilën e kam kompozuar për albumin. Është pëlqyer nga agjensia dhe njerëzit që e kanë dëgjuar dhe vendosa ta nxjerr në janar se përshtatet për muajt e ftohtë. Xhirimet i kemi realizuar në bore, në një vend pranë Frankfurtit ku duket jashtëzakonisht bukur, si në Zvicër. Na pëlqeu dhe na u përshtat ai vend. Dhe meqënëse realizuam bashkë intervistën, jam e lumtur ta promovoj te programi “Muzika shqip”.
CMG: Të falenderoj për këtë bisedë në distancë dhe shpresoj të shihemi së shpejti në Tiranë.
Alida Duka: Të falenderoj Sava dhe shpresoj të shihemi së shpejti!
Intervistoi: Sava Lena