Në Tiranë, Teatri Kombëtar kujtoi në 74-vjetorin e lindjes aktorin e madh Roland Trebicka, i ndarë nga jeta pak vite më parë, njofton “ATSH”.
Më së shumti i njohur si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, Trebicka vijon të mbetet me mall në kujtesën e artdashësve.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se aktori i madh Roland Trebicka do të kujtohet përherë me buzëqeshje.
“Në ditën e tij të lindjes kujtojmë njeriun që na bëri të qeshnim në kohë të vështira, një nga ata aktorë që arrinte të vishte bukur çdo rol, edhe ata më dramatikët, ndonëse te publiku është ngulitur për rolet e tij komike. Dhe, me artin e tij është aq i gjallë, saqë vetëm kjo datë, ka kuptim për artistë si ai”, -tha ministrja.
Për kontributin e tij në skenë, Trebicka është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi Bashkia e Korçës i akordoi titullin “Nder i qytetit”. (Fatosi)