Kantautori Alfred Meminaj ka studiuar në Liceun Artistik të Tiranës për instrumentin e trombës si dhe Akademinë e Lartë të Arteve e ka kryer për Trombë me Prof. Isak Shehun dhe kompozicion me Prof. Hajg Zaharjan, për ta përmbyllur po me të njëjtën degë masterin në Gjermani. Ka disa pjesëmarrje në festivalin e Rtsh-së, ku skenën e ka prekur për herë të parë në vitin 1996, në kohën kur studionte në vitin e parë në Liceun Artistik, ku ishte back-vokalist i grupit Ritfolk. Në vitin 2003 solli recitalin e tij të parë. Pas një mungese në tregun muzikor, rikthehet në festivalin “Festa e muzikës” ku mori pjesë si kantautor me këngën “Pas lamtumirës”. Gjatë vitit 2021 pret të sjellë shumë projekte dhe bashkëpunime muzikore për publikun shqiptar, por dhe publikimin e dy librave të tij me poezi dhe novelë.

CMG: Përshëndetje Alfred!

Alfred Meminaj: Përshëndetje nga zemra!

CMG: Ti ke marr pjesë në disa festivale, por ai i 40-të u përfol në media se kënga juaj “Vetëm ty të kam” ishte ndër materialet më të mira të natës së të rinjve, e cila nuk shkoi në finale. Çfarë kujton nga ato vite?

Alfred Meminaj: Në ato vite kur kam qenë pjesë e skenës dhe ajo ishte kënga më e mirë të cilën publiku e priti shumë mirë, por që nuk u morr një vendim i drejtë nga juria. Sigurisht që nuk e pritëm mirë, duke filluar nga tekstshkruesi i këngës Arben Duka dhe kompozitori Miron Kotani.

CMG: Fillimet në skenë i ke me grupin Ritfolk. Pse nuk vazhdon rrugëtimin me ta?

Alfred Meminaj: Në atë kohë sa kisha nisur studimet në Liceun Artistik në Tiranë. Djemtë erdhën dhe kërkuan disa back-vokal. Aty më zgjodhën dhe mua ku bëja zërin bass. Ishin emocionet e para të skenës, aty pashë për herë të parë se çdo të thotë festival. Më pas vazhdova të shkruaj këngë, tekste, e të ndiqja rrugën e artit.

CMG: Ke studiuar muzikë që në periudhën e gjimnazit, universitetit, gjithashtu edhe masterin në Gjermani. Ndërsa në kohët e sotme shohim shumë që nuk kanë mbaruar një shkollë arti, por janë të suksesshëm. Ti i ke dhënë rëndësi studimeve, por pse ke lënë pas dore daljet në skenë?

Alfred Meminaj: Të bërit art dhe muzikë ka ndryshim. Kush e studion muzikën, njeh fjalën, tingullin, harmoninë, melodinë e këngës. Kush nuk e ka studiuar atë e ka të lindur. Janë target grupe të ndryshme të të bërit art. Mua shkolla më ka mësuar të shkruar e të bëj art. Që njerëzit të mbajnë mend një vijë melodike apo një tekst të shkruar bukur.

CMG: Janë shumë këngëtarë të cilët bëjnë muzikë edhe pse nuk e kanë një fakultet arti, por janë të suksesshëm. Ti personalisht cilin do veçoje?

Alfred Meminaj: Do veçoja Florian Mumajesin i cili bën art, krijon muzikë të mirë. E kam njohur që në vitet ’98-’99 ku bashkë kemi qenë në radio, i transmetonim këngët e tij të para. Kemi patur një miqësi të mirë.

CMG: Pra, e ke apo jo një shkollë arti, për të bërë sukses duhet një menaxhim i mirë?

Alfred Meminaj: Është e vërtetë. Dikush e ka një menaxhim të mirë e dikush tjetër jo. Këto janë fatet në jetë.

CMG: Cilën këngë do doje të ndiqje në këto momente në valët e radio “Ejani”?

Alfred Meminaj: Të them të drejtën, do më bëhej qejfi që të ndiqja këngën “Vetëm ty të kam”, të cilën kam kohë pa e dëgjuar, e interpretuar në festivalin e 40-të të këngës në Rtsh.

Anxhela PERISTERI DHE ALFRED MEMINAJ

Anxhela PERISTERI DHE ALFRED MEMINAJ

CMG: Kanë kaluar plot 19 vite nga ky duet me Anxhela Peristerin. Si e prite fitoren e saj në këtë rikthim në festival ?

Alfred Meminaj: E prita shumë mirë. Interpretimin e saj të parë në skenë e ka patur me mua dhe ky rikthim i dha asaj fitoren e Festivalit. I uroj suksese, tani në skenat botërore.

CMG: Do dëshiroje në të ardhmen një tjetër bashkëpunim me Anxhelën?

Alfred Meminaj: Po, pse jo. Të kujtonim edhe një herë ato vite, kur kënduam bashkë. Anxhela është një këngëtare me një vokal shumë të mirë.

CMG: Do e bëje këtë ftesë publike?

Alfred Meminaj: Po, është bukur një ftesë e bërë publike.

CMG: Na trego për dëgjuesit e radio “Ejani” se deri ku ka arritur krijimtaria jote muzikore?

Alfred Meminaj: Kam marr pjesë në shumë evente para se të vinte koha e pandemisë. Kam realizuar shumë këngë si për të rritur ashtu edhe për fëmijë, të cilat pres që t’i publikoj shumë shpejt. Në vitin 2019 solla për publikun në videoklip me një kolazh këngësh të njohura shqiptare, në një farë mënyre si një rikthim në muzikë, pas një shkëputjeje disa vjeçare, për arsyet e mia personale. Prezantimi i fundit në skenë ka qenë në gusht-shtator 2020 në festivalin “Festa e këngës” realizuar nga Maestro Gjergj Leka në bashkëpunim me Televizionin News 24, të cilët i falenderoj.

CMG: Me çfarë materiali muzikor more pjesë në atë festival?

Alfred Meminaj: Aty konkurova me këngën “Pas lamtumirës”. Një këngë të cilën e kam realizuar që në vitin 2009, me tekst nga Arben Duka. E kam patur shumë për zemër dhe pata kënaqësinë që t’a sillja për publikun në këtë festë të muzikës shqiptare, ku pati dhe shumë sukses.

CMG: Cilat janë projektet e rradhës ku pret të marrësh pjesë këtë vit?

Alfred Meminaj: Kam në plan që këtë vit të sjell dy punime të reja. Një nga punët e mia do t’a prezantoj këtë vit në festivalin “Kënga Magjike”, si dhe një këngë tjetër kam menduar ta prezantoj në edicionin e dytë të festivalit “Festa e këngës”, realizuar nga Maestro Gjergj Leka.

CMG: Kam dëgjuar se së shpejti do kesh një duet me një artiste të madhe të skenës shqiptare. A është e vërtetë?

Alfred Meminaj: Populli thotë: “Ku ka zë, nuk është pa gjë.” Është e vërtetë që kam në plan një duet me një artiste shumë të famshme shqiptare. Jam duke përfunduar një material muzikor dhe besoj se do jetë diçka shumë e bukur e cila do mbesë gjatë në kujtesë.

CMG: Unë e di emrin e saj, por e respektoj vendimit tënd për t’ia lënë surprizë publikut. Të përgëzoj që ke marë iniciativën për të sjellë këtë duet ku do të bashkohen dy breza të ndryshëm edhe pse ajo artiste vazhdon t’i rezistojë kohërave dhe të mbetet një ikonë e muzikës shqiptare. Por a mund të na zbulosh diçka rreth zhanrit muzikor?

Alfred Meminaj: Do jetë një baladë, ku do ta gjejë veten çdo moshë. Këto janë planet e mia për vitin 2021. Gjithashtu do vazhdoj edhe punën time si mësues muzikë në një shkollë këtu në Tiranë. Duke shpresuar që të dalim sa më shpejt nga kjo pandemi, nga kjo flamë e keqe dhe t’i rikthehemi normalitetit, mendoj se ky vit për mua do jetë shumë produktiv. Gjithashtu kam gati për të nxjerrë në treg dy libra, njëra do jetë me poezi të miat dhe tjetra me novela.

CMG: Pas shumë obligimeve, studimeve të shumta në Shqipëri dhe Gjermani, të cilat të lanë disi edhe larg skenës, më vjen mirë që po rikthehesh në tregun muzikor shqiptar. Uroj që ti vesh në pah në vazhdim të gjitha materialet e tua muzikore dhe të jesh aktiv në festivalet shqiptare, sepse ka vërtetë nevojë për art dhe profesionalizëm. Të uroj shumë suksese!

Alfred Meminaj: Të falenderoj nga zemra ty Sava për intervistën dhe së bashku me stafin e radio “Ejani” ju uroj mbarësi.

Intervistoi Sava Lena