Aroma është një mjet për kujtesën. Ajo ka aftësi të tejkalojë kohën e hapësirën, duke sjellë emocione të forta dhe duke krijuar përvoja të një bote tjetër, të perceptuara vetëm nëpërmjet shqisës së nuhatjes.
Në perëndim, parfumet kishin për qëllim të fshihnin erën e trupit. Lëngjet aromatike, me erëmimin e tyre magjepsës dhe bukurinë e papërshkrueshme, i shtynin anëtarët e familjeve mbretërore evropiane dhe zonjat e pasura të përpiqeshin për të pasur ndonjë shishkë prej tyre. Sidoqoftë, në kulturën orientale, parfumi interpretohet ndryshe.
Në Kinë, shishet shndërrohen në qeska dhe lëngu në pluhur. Mëlmesat, përbërësit mjekësorë dhe lulet përzihen dhe bluhen derisa bëhen një pluhur me veti të ndryshme, sipas stinës dhe përdoruesve. Koha është gjithashtu një faktor i rëndësishëm për krijimin e këtyre përvojave aromatike.
Zi Le, një prodhues aromash mjekësore, thotë se përgatitjet duhet të bëhen natën, vetëm brenda një periudhe të shkurtër rreth mesnatës, për shkak të fluksit të yin-it dhe yang-ut.
"Energjia yin është më e shumtë midis orës 11:00 të natës e 1 të mëngjesit dhe të gjithë përbërësit aromatikë kanë energji yang për t'iu kundërvënë yin-it", thotë ai. "Kjo përputhet me teorinë tradicionale kineze të yin-it dhe yang-ut."
Qeskat kineze nuk janë vetëm një rrugë për në parajsën me erëra dhe aroma të këndshme, por edhe një simbol i nderimit të Lindjes për natyrën.
"Në fazën e hershme, qeska kineze kishte qëllime praktike. Ajo përdorej për vetitë e saj mjekësore dhe ishte e lidhur ngushtë me zhvillimin e mjekësisë tradicionale kineze dhe bimëve mjekësore kineze", thotë Yi Shulin, një prodhues i qeskave të tilla.
Për të larguar sëmundjet dhe shpirtrat e këqinj, njerëzit në Kinën e lashtë vendosnin pluhur bimësh mjekësore me efekte të ndryshme në qese sipas stinëve. Megjithëse ato nuk kishin aromë të fortë, përmbanin erëmimet më autentike të natyrës.
Edhe forma e qeskave ka synime artistike, me modele të ndryshme që përmbajnë kuptime dhe emocione të ndryshme. Për shembull, simboli i svastikës dhe karakteri kinez "shou" shprehin jetëgjatësi dhe pasuri.
Qeskat gjithashtu shpesh jepeshin si dhurata. Për të treguar statusin e dhuruesit të saj, në qeskë qëndiseshin një numër i madh lulesh, si lulegjake, lule kumbulle dhe zambakë uji, të cilat simbolizojnë bukurinë femërore. Dy peshq pasqyronin marrëdhënien midis dy të dashuruarve.(Zhan Dian/Artan)