Tempulli i kungfusë "Shaolin" në malin Songshan në provincën Henan të Kinës Qendrore i ka mbyllur përsëri dyert të mërkurën, për shkak se provinca fqinje Hebei po përballet me një valë të re infeksionesh dhe ka raportuar më shumë se 300 raste të reja që nga 2 janari.
Sipas autoriteteve përkatëse vendore, vizitat publike në tempullin "Shaolin" dhe në vende të tjera fetare në këtë zonë do të pezullohen nga 13 janari deri në një njoftim të dytë, për shkak të pandemisë së COVID-19.
Pikat e tjera turistike në këtë zonë, duke përfshirë Akademinë "Songyang", ujëvarën "Luya" dhe kullën "Songyue", janë ende të hapura, por nën masa të rrepta të kontrollit të epidemisë.
Vizitorëve u kërkohet të mbajnë maska e të skanojnë “kodin shëndetësor”, si edhe u matet temperatura e trupit, para se të hyjnë në zonën turistike.
Tempuj të tjerë të famshëm të lashtë në provincën Henan, si Tempulli i Kalit të Bardhë në qytetin Luoyang dhe tempulli "Daxiangguo" në Kaifeng, gjithashtu janë mbyllur, duke pezulluar aktivitetet fetare publike nga e mërkura për të parandaluar mbledhjen masive dhe infektimet.
Masa merret ndërsa shumë qytete në Kinë kanë raportuar raste të reja të COVID-19 të lidhura me grumbullimet publike gjatë javëve të fundit. (Fang Xiaoyu/Artan)