Sipas të dhënave nga platforma kineze e biletave të kinemave "Maoyan", filmat vendës sollën një fillim të mbarë për tregun kinematografik në Kinë në vitin 2021. Shitja e biletave të kinemave gjatë pushimeve treditore të festës së Vitit të Ri shënoi vlerën rekord 1.3 miliard juanë (201 milion dollarë) dhe në javën e parë nga 4 deri më 10 janar i kaloi 712 milionë juanët.
Pasi grumbulloi 521 milionë juanë gjatë pushimeve, filmi kinez me temën e familjes "Një lule e kuqe e vogël", i nxjerrë më 31 dhjetor, vazhdoi të kryesonte për vëllimin e shitjes së biletave, duke i tejkaluar 1 miliard juanët javën e kaluar dhe duke u bërë filmi i parë që fiton 1 miliard juanë në vitin 2021 dhe i 79-ti në historinë e kinematografisë së Kinës.
Komedia kineze "Përqafimi i ngrohtë", e shfaqur gjithashtu në ditën e fundit të vitit 2020, fitoi 149 milionë juanë duke zënë vendin e dytë në javën e kaluar. Filmi është një tjetër bashkëpunim midis dy aktorëve të humorit Shen Teng dhe Ma Li pas "Mirupafshim z. Dështak" dhe "Kurrë mos thuaj vdes".
Por në fundjavë filmi triller mjaft i shikuar gjatë Krishtlindjeve, "Vala goditëse 2", i cili u rendit i tretë që nga debutimi i dy filmave të rinj, u ngjit në vendin e dytë në fundjavë. Ndërsa filmi i animuar i Pixar-it "Soul" ka arritur të fitojë mbi 236 milion juanë që nga dalja e tij në Krishtlindje.
Sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare e Kinematografisë e Kinës, vëllimi i përgjithshëm i shitjes së biletave në Kinë në vitin 2020 arriti në 20.4 miliardë juanë, nga të cilat filmat vendës fituan 17.1 miliardë juanë, ose 83.7 për qind. Gjithashtu, 10 filmat më të mirë të vitit ishin të gjithë vendës. (Çang Çuo)