Intervistë me këngëtarin, Ardian Trebicka
CMG: Jemi në ditët e para të vitit të ri dhe je artisti i parë për këtë vit të ri 2021 i ftuar në emisionin " Muzika shqip".
Ardian Trebicka: Ju falenderoj! Së pari ju uroj një vit të mbarë, një vit plot suksese dhe mbi të gjitha shëndet, sepse në kohët që po kalojmë shëndeti është bërë primar. Ndjehem mirë që më ke përzgjedhur dhe shpresoj të jem gjithmonë pjesë e programeve të tua.
Ardian Trebicka në koncert
CMG: Më datë 2 janar bashkë me tenorin Kastriot Tusha sollët për publikun një koncert festiv, shumë të veçantë i cili erdhi nën titullin "Tirana Parfum". Doja të dija se si ishte kjo eksperiencë për ty?
Ardian Trebicka: E vërtetë, ne sollëm nje koncert, të cilin kishim vite që e kishim menduar dhe ishte në plan përpara pandemisë, e kështu mbeti si ëndërr në sirtar. Gjithsesi ne arritëm ta sillnim pa publik, por për teleshikuesit falë mbështetjes së televizionit Vizion Plus. Është një nga eksperiencat e mia më të mira. Kastrioti ështe një artist me shumë vlera, por mbi të gjitha një mik që të le hapësirë dhe në komunikimin muzikor.
CMG: Koncerti mbante këngë të ndryshme ndër të cilat; këngë arbëreshe, tango, serenata, por edhe shumë hite botërore. Si u përzgjodh ky repertor?
Ardian Trebicka: Repertorin e zgjodhëm bashkë. Kastrioti shkeli një repertor mbi të cilin nuk e kishte prekur më parë, pra në repertorin e tij solli diçka të re në gjininë e tangos, por aty kemi prekur edhe disa nga perlat e muzikës shqiptare duke e nisur nga Muharrem Qena, Kongoli e me rradhë.
CMG: Cila është kënga e preferuar nga repertori yt, të cilin e kishe pjesë edhe të koncertit?
Ardian Trebicka: Do të veçoja këngën "Diçka mes nesh".
CMG: Ju dhe tenori Tusha jeni dy vokale me karaktere të ndryshme. Ishte i thjesht apo i vështirë ky bashkëpunim?
Ardian Trebicka: E vërtetë që jemi dy vokale të kundërt, por mendoj se ishte e thjeshtë sepse kjo krijoi spontanitetet dhe bukurinë me duetet, pasi në koncert kishim më shumë duete se këngë solo. Ne u ndjemë mirë dhe me të ikur pandemia, këtë koncert do e nxjerrim para publikut dhe ndoshta e bëjmë edhe në turne.
CMG: Si u ndjetë pa publik?
Ardian Trebicka: Në këtë rast kuptova se karriera e një këngëtari është 50 për qind këngëtari dhe 50 për qind publiku. E kishim shumë të vështirë për të krijuar emocion. Publiku na mungon, na mungojnë koncertet. Dhe sa mbaruam koncertin, biseduam bashkë dhe ishim në një mendje. Ishtë shumë e vështirë që të krijoje emocion pa publik.
Këngëtarja spanjolle Luz Casal
CMG: Para pak kohësh solle për publikun një koncert në Amfiteatrin e Tiranës me këngëtaren me famë botërore Luz Casal. Si erdhi ajo në Tiranë?
Ardian Trebicka: Ka qenë një eksperiencë e jashtzakonshme sepse Luz Casal është një nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore. Këtë projekt e ngrita bashkë me Arian Sukniqin si dhe mikur tonë të përbashkët Smerald Spahiu, i cili është violinist me shumë emër në orkestrën e Majorkës, në Spanjë. Doja që atë koncert ta sillja sërish në maj, por pandemia na i la pezuĺl shume gjëra.
Ne do regjistronim një këngë në gjuhën shqipe, në një nga studiot më të mëdha të Madridit dhe do isha i ftuar në një koncert të këngëtares spanjolle Luz Casal.
CMG: Bëhet fjalë për një material te ri muzikor?
Ardian Trebicka: Jo. Bëhet fjalë për këngën "Lule lule, mace mace" të cilën e sollëm në duet në koncetin tim në Amfiteatrin e Tiranës. Por në studio do ta kuronim edhe më mirë. Edhe pse i dashuroj këngët në gjuhën spanjolle, këtë herë e doja një bashkëpunim në gjuhën shqipe sepse është bukur kur një këngë shqiptare, merr jehonë ndërkombëtare.
CMG: Çfarë impakti i la kjo këngë këngëtares Luz Casal?
Ardian Trebicka: Ajo u mrekullua nga kjo këngë, u mrekullua me vendin, me njerezit dhe më ka premtuar se do të vijë sërish. Gjithashtu edhe unë i kam premtuar se do shkoj sërish, pra është një bashkëpunim i lënë përgjysmë.
CMG: Me të përfunduar pandemia, do i kesh dyert e hapura për bashkëpunimet me Luz Casal?
Ardian Trebicka: Besoj që po. Kemi folur në këto kohë pandemie dhe vazhdojme të jemi në kontakt.
CMG: Për rreth dy dekada ke sjellë për publikun 5 albume muzikore ndërsa je në ngjizje të albumit tënd të gjashtë. A mund të na rrëfesh disa detaje për karakterin apo zhanrin muzikor që do të trajtosh në këtë album?
Ardian Trebicka: Për koinçidencë, sa u ndava përpara takimit tonë me kompozitorin e albumeve të mia Ilirjan Mihalin, të cilit i kam besuar vokalin tim, ndërsa tekstet si gjithmonë ja kam besuar tim vëllai Armand Trebicka.
Dhe për këtë po diskutoja, se duhet të themi ato të pa thënat në këto 5 albume. Si gjithmonë duhet të jetë ndryshe. Vokali i përngjan albumeve, pra do jetë brenda karakterit tim, por ato gjëra që unë si kam thënë ndonjëherë. Sigurisht që kërkon shumë punë, deri në momentin për ta finalizuar. Mund të jetë pop, mund të jenë baladat etj. Në fund gjithçka do vijë më e plotë nga frymëzimi i teksteve që ka shkruar Armandi, pasi edhe ato janë drejt përfundimit.
CMG: Jemi në fillim të vitit 2021. Si ishte për ty viti që shkoi dhe çfarë pret nga ky vit i ri?
Ardian Trebicka: Përveç pandemisë, viti 2020 për mua ishte një vit i mbarë. Unë tani jam pjesë e mësimdhënies në Liceun Artistik të Tiranës, realizova koncertin me tenorin Kastrio Tusha, pra ka qenë një vit si gjithë të tjerët, por ndryshimi ishte mbyllja nga pandemia dhe na larguan nga publiku. Gjithsesi e gjetëm mënyrën për t’u rishfaqur në koncertin e transmetuar më 2 janar.
Ndërsa në vitin 2021 kam shumë plane. Kam një turne në Kanada, i cili ka mbetur në mes. Me Kastriot Tushën kemi dëshirë që ta çojmë koncertin në Shkup. Por albumi ështe një nga pikat e mia të dobëta, pasi më pëlqen që të përcjell te publiku krijimtari të re dhe gjithmonë e kam dashuruar prodhimin e këngëve të reja për ta shfaqur te publiku.
CMG: Do kesh një vit të mbushur plot me art, kulturë, koncerte etj.Të uroj shumë suksese!
Ardian Trebicka: Faleminderit Sava!
CMG: Sa i përket familjes. Si të gjeti viti 2021?
Ardian Trebicka: Viti i ri na ka gjetur me shëndet të plotë dhe uroj të vazhdojë kështu se shëndeti është bërë kryefjala e ditëve.
CMG: Çfarë mesazhi do të përcillje nga valet e Radio Ejani ?
Ardian Trebicka: Uroj që ky vit të na fali sa më shumë dashuri, ta duam njëri-tjetrin dhe në çdo familje shqiptare të mbizotërojë vetëm drita. Vajzës time Iliana i uroj të jetë ajo që është, Iliana me të cilën unë krenohem. E përqafoj dhe uroj që 2021 t’i sjellë gjithë të mirat asaj.
CMG: Unë uroj që gjithçka të ecë mbarë dhe çdo njeri në kuptimin e plotë të fjalës, reflektojë ashtu siç duhet.
Ardian Trebicka: Uroj që viti i ri 2021 të jetë një vit i mbarë sepse kuptuam se në 2020 mund të humbisnim edhe jetën. Prandaj të duam njëri-tjetrin, të duam jetën. Të falim dhe të dashurojmë sa më shumë.
CMG: Dashuri pa falje nuk ka kuptim. Të falenderoj për këtë bisedë dhe të uroj suksese!
Ardian Trebicka: Faleminderit Sava! Edhe unë të uroj shumë suksese! Radio "Ejani" është një nga radiot që unë e dëgjoj shpesh, të falenderoj që më zgjodhe mua si personazhin e parë për këtë vit.