Nertila Vreto është një nga këngëtaret e muzikës popullore dhe këngët e saj i kërcejmë e dëgjojmë në gazimet familjare. Ndonëse është prezente prej një kohe të gjatë në tregun muzikor shqiptar, ajo nuk ngurron të sjellë për dëgjuesit këngë të reja. Një këngëtare që ka çarë me vështirësi, por bindshëm në mes këngëtareve të suksesshme të këngës popullore. Këngëtarja e njohur e muzikës popullore të jugut Nertila Vreto, megjithëse fare e re në moshë ka realizuar shume albume, të cilët janë lançuar në tregun muzikor. Ajo ka bashkëpunuar me figura të njohura të muzikës si: Edmond Zhulali, Arben Duka, Genti Lako, Alban Furtuna, Sokol Marsi etj., duke e justifikuar plotësisht besimin e tyre.
Ajo vazhdon aktivitetin e saj muzikor me koncerte, si dhe prodhimin e këngëve e të videoklipeve të reja. Nertila dhe bashkëshorti i saj Daniel Mustafa, para nje viti, kanë fituar vëmendjen e publikut me një duet në një këngë të re të folklorit të jugut. Janë rite kaq të bukura të traditës tonë, të cilat me shumë hijeshi dhe mjeshtëri, Nertila vendosi që t’i sjellë per adhuruesit e saj si një kolazh dasme, me orkestrim të kompozitorit të mirënjohur, mjeshtrit Edi Balili.
Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani, Nertila na tregon për aktivitetin e saj artistik në këto kohë pandemie si dhe planet e saj në të ardhmen.
CMG: Nertila faleminderit që u bëre pjesë e emisionit “Bio Folk” në Radio Ejani.
Nertila Vreto: Faleminderit për ftesën dhe dua ti përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe në veçanti të emisionit Bio Folk. Jeni me të vërtetë një mbështetje e madhe për të gjithë artistët shqiptarë, veçanërisht ata që lëvrojnë muzikën e vërtetë folk. Ju faleminderit nga zemra!
CMG: Si ndjeheni në këtë periudhë pandemie pa aktivitete artistike?
Nertila Vreto: Këtë periudhë sinqerisht nuk e kam përjetuar fort mirë sepse nuk jam mësuar të bëja një pauzë kaq të gjatë, madje as kur linda vajzën nuk kam pasur një pauzë kaq të gjatë. Në fillim e mora me sportivitet, por duke parë situatën në botë fillova të trembesha më shumë për prindërit dhe gjyshërit, me shpresën te Zoti që gjithçka do të kalojë. Pa aktivitete artistike patjetër që si mund të ndjehet një këngëtar, pra është diçka pa frymarrje sepse pa aktivitete ne nuk mund të jemi kurrësesi.
CMG: Të mungon publiku dhe a je aktive në rrjetet sociale për komunikim me fansat ?
Nertila Vreto: Më mungon publiku, më mungon pafund duartrokitja e tyre. Mundohem të jem aktive në rrjetet sociale të komunikoj dhe të shpalos me ta idetë dhe projektet për të ardhmen. Besoj se do kalojë gjithçka dhe do jemi sa më afër me publikun.
Nertila me bashkeshortin Daniel Mustafa
CMG: Sa mbështetje të jep fakti që bashkëshorti juaj Daniel Mustafa është i fushës së muzikës?
Nertila Vreto: Danieli për mua ka qenë krahu im i djathtë dhe kjo nuk diskutohet, duke qenë se edhe ai është pjesë e fushës së muzikës më jep shumë mbështetje. Faktikisht këtë periudhë ne e kemi shfrytëzuar në shtëpi, duke punuar me kitarë e duke qenë sa më afër publikut e fansave me këngë folk live, duke përcjellë emocionet tona tek ata.
CMG: Cilët janë këngët që ju keni publikuar kohët e fundit dhe si janë pritur nga publiku?
Nertila Vreto: Kënga ime e fundit ka qenë “Kthehu bir”, një ide dhe muzika e Danielit, e pritur shumë mirë nga publiku dhe besoj se ajo nuk do të jetë e fundit sepse shumë projekte të tjera kemi për të ardhmen. Vetëm duhet të kemi shëndetin dhe gjithçka do shkojë mirë.
Nertila Vreto me bashkeshortin dhe vajzen e tyre
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt?
Nertila Vreto: Unë pothuajse me të gjithë kam pasur bashkëpuime të frytshme, kompozitorët, tekstshkruesit, por edhe këngëtarët me bashkëpunimet që kam bërë edhe në të shkuarën ato kanë rezultuar të suksesshme. Mua më vjen mirë që edhe pas shumë vitesh më dërgojnë fansat këngët e tyre të preferuara në Instagram dhe jam shumë e befasuar.
CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen në fushën e muzikës?
Nertila Vreto: Projekte kemi pafund nuk diskutohet. Kjo kohë na ka vlejtur për të menduar shumë gjatë për projektet dhe ide pafund dhe unë besoj se do ti realizojmë këtë vit.
CMG: Së fundi një urim për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.
Nertila Vreto: Unë me shpirt uroj të gjithë shqiptarët kudo ndodhen që ky vit të jetë i begatë, të kemi shëndetin, dashuri për njëri- tjetrin dhe të jemi sa më afër njëri -tjetrit. Mbi të gjitha një vit të mbarë dhe mos përjetofshim kurrë më këto që kemi përjetuar. E paçim këngën jetë e gëzime!
Intervistoi: Gazmend Agaj