Turistët kinezë pritet të bëjnë 230 milionë udhëtime gjatë sezonit aktual të dimrit, vlerësohet në një raport të lëshuar nga Akademia e Turizmit të Kinës (CTA).
Sipas raportit, të cituar nga “Xinhua”, sezoni aktual i turizmit në akull dhe dëborë, i cili zgjat nga nëntori 2020 deri në mars 2021, pritet të gjenerojë më shumë se 390 miliardë juanë (rreth 60 miliardë dollarë) në të ardhura.
Nga të anketuarit për raportin, 82 për qind janë të gatshëm të marrin pjesë në turne në distanca të shkurtra, ndërsa 55 për qind janë të gatshëm të regjistrohen në turne në distanca të gjata.
Han Yuanjun, një studiues me CTA, tha se më shumë njerëz kinezë tani preferojnë të udhëtojnë me familjet e tyre në udhëtime të mençura, të personalizuara, të pavarura dhe me cilësi të lartë nën parandalimin dhe kontrollin e rregullt të Covid-19.
Biznesi i turizmit në akull dhe dëborë në Kinë u godit rëndë nga epidemia. Gjatë sezonit të kaluar, nga nëntori 2019 deri në mars 2020, numri i turneve u tkurr me 130 milionë, me humbje prej 240 miliardë juan, krahasuar me sezonin e mëparshëm.
Sidoqoftë, raporti tregon se besimi i njerëzve po kthehet, me më shumë se gjysmën e të intervistuarve duke thënë se ata do të mbajnë ose rrisin buxhetin e tyre për udhëtime të tilla krahasuar me vitet e mëparshme. Investimet në turizmin dimëror u zgjeruan gjatë tre viteve të fundit, me vëllimin e përgjithshëm që arriti në 900 miliardë juanë. (Elona)