Nëse deri vitin e kaluar kalimi i natës së Vitit të Ri në shtëpi ishte një zgjedhje, këtë vit për shkak të orarit të ndalimit të gjithë shqiptarët do të kalojnë natën e 31 dhjetorit 2020 në shtëpinë e tyre dhe për këtë arsye shumë po pyesin se si ta kalojnë natën e Vitit të Ri dhe cilat programe televizive mund të ndiqen për të festuar ardhjen e vitit të ri.
Urgjenca e Coronavirus ka ndryshuar zakonet e shqiptarëve të cilët këtë vit do të duhet të zëvendësojnë daljen pas orës 12 në sheshet kryesore, me një mbrëmje para televizionit, mbase në shoqërinë e një prej programeve të organizuara ad hoc nga televizionet më të ndjekura, Tv Klan, Top Channel, Vizion Plus dhe RTSH.
Program festiv ne Top Channel
Le të shohim në detaje programimin televiziv për mbrëmjen e 31 dhjetorit 2020 në kanalet kryesore televizive. Televizionet shqiptare kanë zgjedhur programet e tyre më të ndjekura për të pritur hyrjen e 2021. Katër televizionet me shikueshmëri më të lartë: TV Klan, Top Channel, Vizion Plus e RTSH do të transmetojnë spektakle në prime time, duke hapur si çdo vit një sfidë shikueshmërie.
Top Channel do të sjellë për shqiptarët një programacion shumë të pasur ku nuk do të mungojnë tematikat për argëtimin e të gjithëve. Karakteristikë e këtij viti është që programi i Top Channel për Vitin e Ri, është i bazuar kryesisht në prodhimet e tij, kryesisht në prodhimet e ‘show’-t të madh. Nata e 31 dhjetorit dhe 1 janarit, do të ndahet mes dy spektakleve të transmetuara gjatë gjithë viti, “Portokalli” dhe “Shiko kush luan”, të cilët do të vijnë në formën e tyre më të mirë dhe spektakolare të mundshme. Situta humori nga e përditshmja e shqiptarëve, ironi, kërcime, këngë, të ftuar të ndryshëm, por edhe sensibilizim dhe nderim për punën e bluzave të bardha, në shenjë falenderimi për punën e tyre të paepur, do të jenë pjesë e spektaklit të Portokallisë, që do të drejtohet nga Salsano Rapi dhe Eneida Tarifa. Mesazhi do të jetë i qartë: mirëseardhje për vitin që dëshirojmë të vijë i mbarë dhe i shëndetshëm për të gjithë botën.
Ndërkohë që në mbrëmjen e datës 1 janar i është lënë hapësirë spektaklit “Shiko kush luan”, me moderatore Luana Vjollca, një show tip kabaret, me të ftuar personazhe të njohur nga bota e artit dhe ekranit, të cilët do të ofrojnë spektakël dhe argëtim.
Program festiv ne Vizion Plus
Edhe në Vizion Plus, në “prime time”, mbrëmja e fundi e 2020-ës do të nisë me të qeshura e humor, që do të mund t’i gjeni në shown e madh të fundvitit “Vizion Pozitiv”, ora 21. Spektakli do të sjellë humorin, harenë, muzikën dhe optimizmin që na duhet për të nisur vitin e ri, pas këtij viti të vështirë që po lëmë pas. Këtë na e siguron vetë Agron Llakaj, drejtuesi i një teatri të mirëfilltë humori dhe një trupe aktorësh që gjatë 2020-ës kanë përcjellë përmes ekranit të Vizion Plus çdo fundjavë ngjarjet më të bujshme të momentit në një këndvështrim unik.
Ndërkohë që edhe mbrëmjen e 1 janarit, Vizion plus do ta presë me humor, kësaj radhe me shown e njohur dhe të dashur të këtij televizioni “Al Pazar,”, i cili do të sjellë humor dhe argëtim për publikun përmes karaktereve dhe personazheve që tashmë i njohim.
Mbremje festive ne ekranin e Tv Klan
Edhe TV Klan ka menduar ta presë ndërrimin e viteve me humor. Në mbrëmjen e 31 janarit, do të transmetojë show më të rëndësishëm të humorit të këtij televizioni “Klanifornia”. Spektakël humori kabare me aktorët më të mirë dhe më të dashur. Humor, personazhe, batuta, situata komike, muzikë, të qeshura pa fund. Shumë karaktere, galeri personazhesh. Realiteti shqiptar do të vijë në darkën e ndërrimit të viteve i zbërthyer me humorin e kësaj trupe. Fenomenet që shqetësojnë shoqërinë, politika, personazhet e saj nën lupën e “Klanifornias” do të na bëjnë jo vetëm të qeshin por dhe të reflektojmë! Përveç humorit, pjesë e spektaklit do të jenë dhe këngëtarët më të mirë shqiptarë! Hitet e momentit, lajme ekskluzive, intervista pikante, kamera të fshehta dhe shumë e shumë surpriza vetëm në programin festiv të vitit të ri.
Program argetues ne TVSH
Jashtë garës për audiencë nuk mbetet as RTSH. “Urimi i bardhë”, titullohet spektakli i madh Vitit të Ri që vjen si dhuratë e bukur për familjet shqipatre, brenda dhe jashtë vendit, për të mbyllur këtë vit sfidues për të gjithë, me shpresë dhe gëzim. Gjithashtu viti i ri troket hareshëm, me Koncertin e madh të Vjenës, i cili vjen me një surprizë për të gjithë adhuruesit e tij sërish në valët e RTSH-së.
Mbremja e datës 1 janar, fton publikun me një komedi të Marjana Kondit, titulluar “Do e kuptosh kur të rritesh”, ndërkohë që recitali “Tirona e Artjolës”, që do të transmetohet edhe ky me datë 1 janar, do të kënaqë të gjithë adhuruesit e muzikës popullore.
Por nëse pikën kulmore të konkurencës televizionet e kanë me programet që përmendëm më sipër, konkurenca dhe atmosfera e vitit të ri shtrihet edhe gjatë orëve të tjera të ditës.
Mëngjesi, por edhe mesdita, ndryshe nga ditët e zakonshme, do të sjellin atmosferë festive, me të ftuar dhe spektakël, brenda natyrës së programeve të zakonshme, duke sjellë për të gjithë ndjekësit e tyre puntata speciale plot muzikë, humor, informacion dhe shumë surpriza të tjera. Stafet e emisioneve kanë punuar shumë për të prezantuar në studiot e tyre sa më shumë atmosferë festive.
E gjithë kjo punë prodhuese nga televizionet nuk ka qenë e thjeshtë për tu arritur. Si në çdo sektor tjetër të tjetës, edhe televizionet janë prekur nga kriza e koronavirusit. Kostoja e prodhimit të programeve në televizione është rritur për shkak të pandemisë. Megjithatë drejtuesit e televizioneve kryesore në vend pohojnë se pavarësisht krizës janë ruajtur emisionet e strukturës, ndërkohë që ka edhe rikonceptime. Përveç programeve të humorit me të cilët televizionet kryesore në vend kanë zgjedhur të kënaqin publikun e tyre, filma të rinj, koncerte recitale dhe emisione të tjera argëtuese, do të mbushin orët e ditëve festive për shqiptarët që këtë vit do tu duhet të festojnë nga shtëpia.
Të gjitha përpjekjet të shpien drejt një qëllimi të vetëm: T’i japin sa më shumë shpresë dhe optimizëm festës së shqiptarëve.
Pandemia i riktheu lavdinë televizionit, kur sidomos gjatë karantinës, studime ndërkombëtare nxorën në pah se njerëzit po shpenzonin 40% të kohës së tyre në këtë formë. Mesatarja e orëve të kaluara para televizorit ishte 6 orë e 30 minuta në ditë, ndërkohë u dyfishua në raport me periudhën e mëparshme.
Neritana Kraja