Në vigjiljen e Krishtlindjeve në parkun "Disneyland" të Shangait, duhet të prisje 10 minuta në radhë për të bërë një fotografi me rosakun Donald me një kostum babagjyshi të Krishtlindjeve. Shumë njerëz kishin veshur shalle dhe triko me modele dreri verior.
"Këtu ka një atmosferë të fortë Krishtlindjesh. Pemët e Krishtlindjeve dhe dekorimet e tjera janë të bukura!" thotë nxënësja e shkollës së mesme Zhang Zixuan.
Shoqja e saj Ding Liuqing ndjek një shkollë të mesme në Kaliforni, por për shkak të pandemisë COVID-19, iu desh të kthehej në Kinë dhe të ndjekë mësimin në internet.
"Shpresoj që vitin e ardhshëm kjo pandemi të përfundojë, që të kthehem në shkollë," shprehet Ding.
Për disa, 2020-a është një vit reflektimi.
"Kam kuptuar që është e rëndësishme të kaloj më shumë kohë me familjen," tha për CGTN-in Qian Zhenyuan, biznesmen i tregtisë elektronike.
"Disney" u godit rëndë në vitin 2020. Parqet e saj në Kaliforni dhe Paris mbeten të mbyllura për shkak të pandemisë së COVID-19. Muajin e kaluar, kompania njoftoi se 32 000 veta do të humbasin punën në gjysmën e parë të vitit 2021. Megjithatë, "Disneyland" i Shangait, i pari nga gjashtë parqet tematike "Disney" që hapi dyert gjatë pandemisë, raportoi fitime në tremujorin e katërt të kësaj viti. (Zhan Dian/Artan)