Anxhela Peristeri është këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Ajo mësimet e para i mori në vendlindjen e saj në Korçë, më pas studjoi në Liceun Artistik e mbaroi në Tiranë, ndërsa studimet e larta i kreu në Greqi. Anxhela ka kënduar në Greqi, ku ka marre pjesë edhe në spektaklin “X Factor”. Pas shumë vitesh mungesë në ekranet dhe në skenat shqiptare, viti 2014 shënoi rikthimin e këngëtares Anxhela Peristeri me një këngë dhe një klip të ri të titulluar "Femër Mediatike". Edhe pse prej vitesh ka jetuar në Greqi, ajo zgjodhi t’i rikthehet audiencës shqiptare. Është fituese e edicionit të parë të "Your Face sounds familiar" dhe e dyta në "C'e la vie", por fitorja në Festivalin Kënga Magike 2017 vulos suksesin e saj.

Pjesëmarrja e saj e parë në Festivalin e 40 të Këngës në RTSH i përket vitit 2001, ku Anxhela Peristeri interpretoi në duet me Alfred Meminaj me këngën "Vetem ty të kam" me tekst nga Arben Duka, muzikë dhe orkestrim nga Miron Kotani. U rikthye pas 19 vjetësh si një ndër konkurentet më të forta në Festivalin e 59-të të Këngës në RTSH me këngën "Karma", vargjet e së cilës i ka shkruar Olti Curri me kompozim nga Kledi Bahiti. Ajo u vlerësua si fituese e këtij edicioni dhe do të përfaqësojë vitin e ardhshën Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision në Roterdam të Hollandës.

CMG: Jemi përpara transmetimit të Festivalit të 59-të Këngës në RTSH dhe pranë meje është një këngëtare shumë e njohur e skenës shqiptare. Me thënë të drejtën nuk e di përse, por kemi 19 vite që nuk jemi takuar bashkë. U deshën të kalonin dy dekada që të vije sërish në skenën e Festivalit të RTSH. Mirë se vjen në programin “Muzika Shqip” në Radio Ejani, Anxhela Peristeri!

Anxhela Peristeri: Përshëndetje Sava! Është kënaqësi të bëj sërish intervistë me ty, por njëkohësisht jam vërtet e lumtur që po marr pjesë sivjet në këtë festival.

CMG: Përse ke pritur kaq shumë Anxhela?

Anxhela Peristeri: Faktikisht ka rastisur sepse siç e dini unë emigrova në Greqi ku qëndrova 7 vite, më pas kur u riktheva pata pak vështirësi për t’u ringritur dhe për të shkuar aty ku isha më parë. Ky vit ishte viti më i lirshëm për mua, ku mund t’i dedikohesha një kënge për ta sjellë në këtë festival, sepse gjithmonë kam dashur të marr pjesë me një material të mirë muzikor.

CMG: Të kemi parë edhe nëpër skena të tjera, në të cilat ke patur sukses.

Anxhela Peristeri: Po, u riktheva në Këngën Magjike, por ai është një festival më ndryshe, një festival hit-esh më shumë, një festival që mund të shkosh edhe me këngë, të cilat ti dëshiron që t’i kesh hite radiofonike, ndërsa për të bërë një këngë për festivalin e dhjetorit, duke qenë se kjo pjesëmarrje ka mundësi të të çojë në skenën e Eurovision-it, duhet një projekt i menduar shumë më mirë dhe do më shumë kohë që të realizohet. Kështu që unë prita që të kisha një material të denjë për këtë festival që të merrja pjesë.

CMG: Kënga “Vetëm ty të kam” e prezantuar në Festivalin e 40-të të Këngës nuk arriti të hynte në finale. Çfarë kujton nga ky prezantim?

Anxhela Peristeri: Këto gjëra ndodhin gjithmonë. Unë në finale nuk kam hyrë as në Këngën Magjike kur shkova herën e parë, por kur u riktheva pas tre vitesh fitova çmimin e parë. Ndoshta materiali që kam pasur, nuk është gjykuar i denjë nga juria për të hyrë në finale dhe nuk hyri. Në raste të tjera është gjykuar dhe ka hyrë, ka marr edhe çmim. Sigurisht që mërzitesh sepse të gjithë duan që të hyjnë në finalen e një festivali dhe pretendojnë për çmime, por jeta kështu është, gjithmonë të jep mësime, për t’u prezantuar herë tjetër me një këngë edhe më të mirë, më të bukur.

CMG: E synon këtë herë Eurovision-in Anxhela Peristeri, duke qenë se po përflitet shumë nëpër media tashmë, ndoshta edhe nga shumë blogerë të huaj, të cilët postojnë Top 5 më të mire, e ti bën pjesë në to?

Anxhela Peristeri: Kjo më gëzon sepse do të thotë që u ka pëlqyer kënga ime. Shpresoj që t’iu pëlqejë edhe performanca gjithashtu. Sigurisht që e pretendoj Eurovision-in, mendoj që kam një këngë të denjë këtë herë, siç thashë edhe më parë, prandaj u vonova të merrja pjesë. Megjithatë festivali ka prurje shumë të mira dhe në fund do fitojë më i miri, kështu që nuk i dihet kush do shkojë.

CMG: Na trego pak për fillesat e tua si këngëtare, për dëgjuesit e radio Ejani.


Anxhela Peristeri: Faktikisht unë kam studiuar për muzikë që në moshën 6 vjeçare, për violinë në shkollën 8-vjeçare dhe më pas kam mbaruar Liceun Artistik për kanto. Në universitet ndryshoi profili sepse vazhdova për filologji italiane, por muzika ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime dhe do të jetë gjithmonë.

CMG: A ke realizuar vetë muzikën e një kënge me të cilën je përfaqësuar diku?

Anxhela Peristeri: Jo, janë thjesht materiale për videoklipe, të cilat janë hedhur ne treg. Në festival kam preferuar që të jem në duar të sigurta, ose te Kledi Bahiti, Adrian Hila, Armend Rexhepagiqi etj. Dua që përfaqësimin në festival ta kem me kompozitorë vërtet të mirë. Por më pëlqen të krijoj edhe vetë. të shkruaj këngët e mia, ku përqindjen më të madhe të teksteve e kam shkruar vetë. Si kantautore domethënë për realizimin e muzikës, nuk mendoj se jam aq e mirë sa duhet për të marrë pjesë në një festival me një kompozim timim.

CMG: Cila është kënga jote e preferuar nga repertori yt?

Anxhela Peristeri: Ka shumë këngë që mua më pëlqejnë, sepse secila ka një histori të vetën dhe një moment të vetin, ndoshta do të veçoja meqë e kam nxjerrë dhe tani nga fundi këngën “Pa mua”, duetin me Sinan Vllasaliun, si dhe këngën më të re me titullin ”Karma” të Festivalit të 59-të.

CMG: Shumë këngë të bukura! Komplimenta gjithashtu dhe për duetin me Sinan Vllasaliun. Si lindi ai bashkëpunim?

Anxhela Peristeri: Unë kisha nje këngë vjet dhe doja që tekstin të ma shkruante Fifi dhe ishte vetë ajo e cila më sygjeroi Sinanin. Më tha që kjo këmgë do të dalë shumë bukur nëse e këndon në duet me të. E ndërsa isha në kërkim për dikë për duetin, më rezultoi shumë i sukseshëm ky bashkëpunim. Sinan Vllasaliu është një nga këngëtarët më të mirë të Kosovës, kështu që ishte një bashkëpunim shumë frytdhënës dhe i bukur.

CMG: Sa i takon jetës private, si është Anxhela momentalisht?

Anxhela Peristeri: Momentalisht jam shumë mirë.

CMG: Je single apo në një lidhje?

Anxhela Peristeri: Kjo është një pyetje që unë nuk i përgjigjem kurrë. Është jeta private dhe secili duhet ta mbajë personale dhe unë do ta mbaj private, përderisa ka arritur të jetë kështu deri në këto momente.

CMG: Ke menduar të krijosh familje në të ardhmen ?

Anxhela Peristeri: Sigurisht që kam menduar, jo shumë vonë sepse jam 34 vjeç, por çdo gjë ka kohën e vet.

CMG: Anxhela çfarë do të shtoje së fundmi?

Anxhela Peristeri: E di që jemi në një periudhë shumë të vështirë të gjithë. Pandemia na ka ndikuar për keq, qoftë nga ana psikologjike ashtu edhe nga ana shëndetësore. Kemi parë shumë njerëz që i kanë vuajtur shumë keq pasojat e saj. Do të doja që njerëzit të kishin më shumë energji pozitive dhe të bënin durim. Më vjen shumë mirë që ky festival po zhvillohet edhe në këtë periudhë, sepse do të ndikojë në psikologjinë e të gjithëve ne gjithashtu edhe të teleshikuesve dhe të artistëve, që na kishte munguar skena. Gjithashtu do të doja t’u jepja një mesazh të gjithëve: -Qëndroni positive, sepse çdo gjë do të kalojë!

CMG: Të falenderoj shumë e të uroj suksese, tani në Eurovision!

Anxhela Peristeri: Faleminderit shumë!

Intervistoi: Sava Lena