CMG: Përshëndetje Festina Mejzini! Bashkë jemi takuar katër vite më parë në prezantimin tënd në Festivalin e RTSH-së. Më pas ti u prezantove me grupin rock ”Na” dhe kjo është hera e tretë që merr pjesë në këtë festival. Një duet me grupin muzikor të rock-ut, “Na”, për t’u rikthyer si soliste këtë vit ne festivalin e 59-të.
Festina Mejzini: Mirë se ju gjeta! Faleminderit për ftesën! Ndjehem shumë e nderuar që jam përsëri pjesë e festivalit. Është gjithmonë kënaqësi për mua.
CMG: Le ta nisim nga fillimi për të gjithë ata, të cilët nuk e njohin Festinën. Na trego pak për fillimet e tua. Kur nise të merreshe me muzikë, personi që e spikati talentin tënd?
Festina Mejzini: Në fakt fillimet e mia kanë qënë në spektaklin “X-Factor 1” në Shqipëri, i cili u zhvillua në vitin 2012. Që nga aty nisi rrugëtimi im drejt muzikës, më pas pata pjesëmarrjet nëpër festivalet Kënga Magjike, Festivalet e RTSH-së, Festivali Kënga ime, 100 vjet muzikë e shumë të tjera. Kam qënë pjesë ë festivaleve, por jo me prurje me videoklipe, si njihen arstistë të tjerë. Unë kam vetëm një videoklip timin, i cili është videoklipi im i pare dhe kënga mban titullin “Festa”, e kompozuar nga Big Basta.
Këtë vit vij për herë të tretë në festivalin e RTSh-së, me një bashkëpunim me profesor Flamur Shehun, mjeshtër i madh i muzikës, ndërsa vargjet i ka shkruar po ashtu një mjeshtër i madh, Jorgo Papingji. Jemi një grup i fortë dhe pse jo, pretendojmë për të marrë çmimin e parë, siç thotë populli “e treta e vërteta”. Çdo konkurent në një garë ka dëshirë që të fitojë dhe ne në këtë garë pretendojmë për vend të parë.
CMG: Do merrje pjesë në festivalin të RTSH-së, nëse fituesi nuk do të shkonte në Eurovision?
Festina Mejzini: Po! Personalisht më pëlqen gara mes artistësh. Gjithashtu e dua këtë festival se është live dhe pjesëmarrje të tilla kanë gjithmonë emocione brënda. Nuk ma merr mendja që vetëm Eurovisioni është synimi përsa i përket këtij festivali, por ajo është kënaqësi e dyfishtë.
CMG: Mendon se Eurovisioni i ka zbehur shkëlqimin festivalit?
Festina Mejzini: Jo. Mendoj se ndoshta ja ka ndritur sepse është diçka madhështore që fituesi të shkojë në Eurovision. Por festivali mbetet nga më të veçantat në Shqipëri sepse është festival kombëtar dhe për ne pjesëmarrësit nga Kosova është emocion shumë i madh të vijmë në Shqipëri për të marr pjesë.
CMG: Zhanri yt i preferuar që ke dashur gjithmonë te këndosh, por pse jo edhe ta dëgjosh në kohën e lirë?
Festina Mejzini: Unë të preferuar kam muzikën Jazz, Blues-Jazz. Kjo është ajo që më pëlqen shumë, por më pëlqen edhe Pop-R&B. Është një muzikë e trend botëror do të thoja dhe është dicka qe kapet shumë shpejt nga publiku.
CMG: Cilën këngë do të doje të dëgjoje në këto momente nga repertori yt?
Festina Mejzini: Nga repertori im, hmmmm...S’e di, ndoshta këtë këngë me të cilën jam në festival. Tani edhe në prova, gjatë gjithë kohës, ajo është një nga këngët, që po dëgjoj më së shumti.
CMG: Përsa i takon prezantimit në festivalin e RTSH-së, si e sheh konkurrencën e artistëve midis njëri-tjetrit, materialet muzikore, zhurma që është bërë për fituesin etj?
Festina Mejzini: Secili nga ne që ka hyrë në këtë festival, ka hyrë për të fituar, domethën është gara ajo që e bën më interesant festivalin. Secili prej nesh ka vecoritë e tij dhe siç është artisti që ka bagazh, ka edhe artistë të rinj. Edhe unë ndoshta mund të bëj pjesë te artistët e rinj, edhe pse ka 8 vite që kam dalë nga ”X-Factor”, por jo aq shumë sa të jem gjatë gjithë kohës në skenat shqiptare, për arsye se kam studiuar dicka që s’ka lidhje me muzikën dhe ajo më ka penalizuar pak.
Gjithsesi unë do mundohem që të jem sa me pranë publikut shqiptar, që mos të harrohem. Festivali është dicka shumë interesante dhe ne konkurrentët jemi miqësuar shumë me njëri-tjetrin sepse me disa prej tyre kam qenë në “X-Factor” në konkurrim dhe kjo është gjë shumë e mirë.
CMG: I sheh si rivalë konkurentët?
Festina Mejzini: Jo aspak! Nuk kam rivalitet, por më shumë do ta quaja shoqëri.
CMG: Kënga jote e preferuar në këtë festival?
Festina Mejzini: E imja do thoja... hahaha(qesh)
CMG: Po përveç këngës tënde?
Festina Mejzini: Po tregohem shumë modeste! Nuk e di, çdo këngë ka veçantinë e vet. Ndoshta për shijet e publikut ose gjithëpërfshirëse gjithashtu dhe shijet e mia është kënga e Fatos Shabanit. Është një stil shumë i bukur i muzikës, është si version “unplug”, është stil shumë i lezetshëm dhe më pëlqen shumë.
CMG: Ku do të gjejë ndërrimi i viteve, festat e fundvitit?
Festina Mejzini: S’e di, ndoshta në Kosovë, për arsye se jemi në një situatë jo të mirë, të jashtëzakonshme për momentin edhe ma do mëndja që do jem pranë familjes. Shpresojmë që të jëtë i mirë ky fundvit, për ne edhe për të gjithë botën.
CMG: A je prekur nga pandemia?
Festina Mejzini: Artistëve u janë pezulluar shumë prej aktiviteteve të tyre. Unë nuk kam profesion muzikën, punoj në tjetër fushë dhe kam punuar gjatë gjithë kohës online, por pandemia të gjithëve na ka penalizuar përsa i përket prurjeve muzikore. Nga ana tjetër, këtë vit kam patur për të sjellë një këngë timen me videoklip, por për arsye pandemie e kam shtyrë për vitin tjetër dhe uroj t’ja dal, shpresoj që shumë shpejt, të jetë pranë publikut albumi im i parë. Përsa i përket pandemisë, më ka prekur dhe mua Covid-19. Unë e kalova me sukses. Një pjesë e mirë e të rinjve mendoj e kalojnë më shpejt, por duhet të kenë shumë kujdes moshat më të mëdha, e të moshuarit, të cilët janë më të rrezikuarit.
CMG: Të falenderoj për këtë bisedë. Çfarë do u thoje dëgjuesve të Radio Ejani?
Festina Mejzini: Ju falenderoj shumë, ju përshendes dhe ju uroj festat e fundvitit! Shpresoj të keni kujdes dhe shëndet të gjithëve.
Intervistoi Sava Lena